Mbi 12 mijë persona janë evakuuar nga salla Co-op Live në Manchester të Anglisë, pasi një substancë e panjohur u lëshua mes turmës gjatë koncertit të reperit amerikan Don Toliver, ka shkruar BBC.
Ngjarja ka ndodhur të dielën në mbrëmje, rreth orës 22:00, drejt fundit të performancës së artistit. Fansat raportuan një erë të rëndë dhe panik në sallë, ndërsa disa persona nisën të kolliteshin dhe të kishin vështirësi në frymëmarrje.
Policisë e Manchesterit njoftoi se shpalli gjendje emergjente pas raportimeve se një numër personash po përjetonin shqetësime nga një substancë e panjohur, për të cilën fillimisht dyshohej se mund të ishte gaz lotsjellës.
Përfaqësuesit e shërbimit të ambulancës konfirmuan se më shumë se 50 persona u kontrolluan për probleme me sytë dhe rrugët e frymëmarrjes, ndërsa një person u dërgua në spital për trajtim të mëtejshëm.
Disa pjesëmarrës në koncert kanë përshkruar skena paniku dhe kaosi gjatë evakuimit.
Joey Howe, 22 vjeç, ka treguar se gjithçka ndodhi papritur, kur njerëzit nisën të largoheshin me vrap nga vendi i koncertit.
“Pashë shumë njerëz që po dilnin me nxitim. Në atë moment të kap paniku kur sheh të gjithë duke vrapuar. Dritat u ndezën dhe artisti u largua me shpejtësi nga skena. Pastaj ndjeva një erë të tmerrshme”, ka treguar ai për BBC Radio Manchester.
Ai ka shtuar se situata ishte shqetësuese sidomos jashtë sallës, ku pa njerëz që po nxirreshin me karroca invalidësh dhe kishin vështirësi në frymëmarrje.
Një tjetër dëshmitare, 23-vjeçarja Jessica Moult-Boffey, ka thënë se kishte parë persona që qanin dhe bërtisnin nga dhimbja pasi kishin dalë nga salla.
Pas incidentit, disa pjesëmarrës ngritën shqetësime për masat e sigurisë në hyrje të koncertit.
19-vjeçari Malachi Clarke pretendoi se kontrollet nuk ishin të mjaftueshme dhe se çantat e vizitorëve nuk kontrolloheshin si duhet.
“Madje, më duhej t’i pyesja vetë nëse donin të kontrollonin çantën time”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, drejtuesit e Co-op Live kanë reaguar duke theksuar se vendi ka disa masa sigurie, përfshirë sisteme moderne kontrolli që mund të zbulojnë sende të ndaluara pa qenë e nevojshme që vizitorët të zbrazin xhepat.
Policia ka konfirmuar se mbi 12 mijë persona u evakuuan në mënyrë të sigurt dhe se ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë për të ndihmuar të prekurit.
“Prioriteti ynë ishte siguria e çdo personi që ndodhej në koncert. Disa persona morën ndihmë në vendngjarje, ndërsa njëri u dërgua në spital”, ka deklaruar zyrtarja e policisë, Steph Parker.
Ndërkohë, përfaqësuesit e shërbimit të ambulancës kanë njoftuar se po kryhej edhe një proces dekontaminimi si masë paraprake, ndërsa në vendngjarje u angazhuan ekipe të specializuara për incidentet me substanca të rrezikshme.
Autoritetet u kanë bërë thirrje personave që kanë qenë në koncert dhe që më pas kanë vërejtur shqetësime shëndetësore të kërkojnë ndihmë mjekësore.
Deri më tash, substanca e lëshuar nuk është identifikuar dhe policia po heton se si ndodhi incidenti dhe si arriti ajo të futej në ambientet e koncertit.
Don Toliver, emri i vërtetë i të cilit është Caleb Zackery Toliver, po performonte në Manchester në kuadër të turneut të tij “Nitrous”. Reperi 32-vjeçar ka marrë gjithashtu pesë nominime për çmimet “Grammy” 2027, përfshirë nominimin për Artistin e Ri më të Mirë.