Një prej hartuesve të Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka ofruar një propozim, siç ka thënë, të veçantë juridik dhe profesional për Grupin Punues për hartimin e Strategjisë për Mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
Ai ka njoftuar se këtë propozim e ka adresuar edhe të ekipet mbrojtëse që aktualisht janë duke përgatitur ankesat kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Sipas tij ky propozim synon të ofrojë një platformë konceptuale dhe një kornizë të strukturuar argumentimi për shqyrtimin e çështjeve kryesore historike, juridike, penale dhe procedurale që mund të kenë rëndësi në procedurën e apelit.
“Ai nuk synon të ndërhyjë në punën e Grupit Punues dhe as të zëvendësojë strategjitë e pavarura të avokatëve mbrojtës, por të paraqesë një kontribut profesional që mund të shërbejë si material orientues dhe plotësues gjatë përgatitjes së ankesave”, ka shkruar Bajrami në një status në Facebook.
Ai ka thënë se propozimi përqendrohet në dhjetë shtylla themelore argumentimi, me synimin që të shqyrtohen në mënyrë sistematike konstatimet faktike, interpretimet juridike, përgjegjësia penale individuale, doktrina e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, vlerësimi i provave, respektimi i standardeve të gjykimit të drejtë dhe përmbushja e standardit të provës përtej dyshimit të arsyeshëm.
Edhe
Për fitoren në Apel, propozohen ndryshime ligjore, ekspertizë ndërkombëtare e diplomaci
“Qëllimi përfundimtar është që ky kontribut t’u vihet në dispozicion ekipeve mbrojtëse si një bazë shtesë për analizë dhe debat profesional, në funksion të shqyrtimit të të gjitha mundësive juridike për kundërshtimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe kërkimin e një vendimi lirues, në përputhje me ligjin dhe standardet e drejtësisë penale”, ka shkruar Bajrami.
Shkalla e parë e Speciales Thaçin e Krasniqin i ka dënuar me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 e Selimin me 13 vjet burgim.
Propozimi i plotë i Arsim Bajramit:
STRATEGJI E MBROJTJES PËR ANKESËN NË DHOMEN E APELIT NDAJ AKTGJYKIMIT TË SHKALLËS SË PARË NË RASTIN THAÇI DHE TË TJERËT
Strategji gjithëpërfshirëse për kundërshtimin e konstatimeve të fajësisë dhe kërkimin e aktgjykimit lirues
1.Ankesa kundër aktgjykimit të shkallës së parë në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, duhet të konceptohet si një kundërshtim gjithëpërfshirës juridik dhe provues ndaj konstatimeve faktike, interpretimeve juridike dhe përfundimeve mbi të cilat është mbështetur aktgjykimi dënues. Objektivi themelor i saj duhet të jetë demonstrimi se aktgjykimi nuk mund të qëndrojë juridikisht në ato pjesë ku elementet thelbësore të përgjegjësisë penale nuk janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm, ku përgjegjësia individuale është nxjerrë përmes supozimeve dhe jo provuar me fakte konkrete, ose ku vlerësimi i provave dhe zbatimi i ligjit kanë prodhuar gabime materiale që ndikojnë në vlefshmërinë e vendimit.
2. Strategjia e mbrojtjes duhet të mbështetet në ndërthurjen koherente të argumenteve historike, kushtetuese, të së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës penale. Ajo nuk duhet të kufizohet vetëm në kundërshtimin e disa konstatimeve të veçanta, por duhet të analizojë në mënyrë tërësore arsyetimin e Kolegjit të Gjykimit, lidhjen ndërmjet provave dhe përfundimeve juridike, si dhe shkallën në të cilën Prokuroria e ka përmbushur barrën e provës ndaj secilit të akuzuar. Qëllimi përfundimtar duhet të jetë përmbysja e aktgjykimit të shkallës së parë dhe nxjerrja e aktgjykimit lirues për secilin nga të akuzuarit.Një pikënisje thelbësore e kësaj strategjie është rivlerësimi i drejtë i kontekstit historik dhe politik të luftës në Kosovë gjatë viteve 1998–1999. Ngjarjet duhet të shqyrtohen në kuadër të represionit sistematik ndaj popullsisë shqiptare, politikave të regjimit serb, përdorimit të forcës ushtarake dhe policore kundër civilëve, vrasjeve masive, masakrave, dëbimeve me dhunë, deportimeve, shkatërrimit të pronës, torturave dhe dhunës seksuale. Këto rrethana janë të domosdoshme për të kuptuar lindjen, zhvillimin dhe objektivat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe mjedisin politik dhe ushtarak në të cilin kanë ndodhur ngjarjet që janë objekt i shqyrtimit gjyqësor.
3. Mbrojtja duhet të synojë të argumentojë, përmes dokumentacionit historik të besueshëm, raporteve ndërkombëtare të kohës, dokumenteve diplomatike, materialeve ushtarake dhe dëshmive të besueshme, se objektivi themelor politik dhe ushtarak i UÇK-së ishte çlirimi i Kosovës dhe mbrojtja e popullsisë së saj nga represioni dhe dhuna. Qëllimi historik i një lëvizjeje çlirimtare nuk duhet të barazohet me sjelljen e pretenduar kriminale të individëve të caktuar. Po ashtu, ekzistenca e incidenteve individuale, edhe në rastet kur provohet sjellje kriminale, nuk mund të interpretohet automatikisht si dëshmi e një politike institucionale kriminale apo e një qëllimi të përbashkët kriminal.Ky kontekst historik nuk e përjashton vetvetiu mundësinë e përgjegjësisë penale individuale. Ai, megjithatë, përbën kornizën e domosdoshme për vlerësimin e drejtë të pretendimeve të Prokurorisë, të provave të paraqitura dhe të përfundimeve të arritura nga Kolegji i Gjykimit. Ankesa duhet të argumentojë se rrethanat historike nuk mund të interpretohen në mënyrë selektive dhe të shkëputen nga realiteti më i gjerë faktik në të cilin kanë ndodhur ngjarjet. Për këtë arsye, mbrojtja duhet të kërkojë vlerësim të balancuar të të gjitha provave, përfshirë ato që favorizojnë të akuzuarit, duke shmangur përgjithësimet dhe supozimet lidhur me natyrën dhe objektivat e organizatës.
4. Një komponent qendror i ankesës duhet të jetë kundërshtimi i argumentuar juridik dhe provues i zbatimit të doktrinës së ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Mbrojtja duhet të shqyrtojë nëse Prokuroria ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e formës konkrete të ndërmarrjes së përbashkët kriminale mbi të cilën është mbështetur aktgjykimi, si dhe nëse të gjitha elementet objektive dhe subjektive të saj janë vërtetuar për secilin të akuzuar. Duhet të përcaktohet nëse ka ekzistuar një qëllim i identifikueshëm i përbashkët kriminal, nëse pjesëmarrësit e pretenduar kanë ndarë kuptimin dhe synimin e kërkuar juridikisht dhe nëse secili i akuzuar ka dhënë kontributin që kërkohet nga standardi ligjor përkatës.Ankesa duhet të theksojë se bashkëpunimi politik, pjesëmarrja në takime, paraqitjet publike, përgjegjësitë organizative, pozitat e larta politike ose ushtarake dhe kontaktet ndërmjet drejtuesve të UÇK-së nuk përbëjnë, në vetvete, prova të pjesëmarrjes në një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Këto rrethana duhet të vlerësohen në kontekstin e tyre dhe nuk mund ta zëvendësojnë provën e qëllimit të posaçëm kriminal dhe të elementit subjektiv që kërkohet nga ligji. Ekzistenca e një strukture politike ose ushtarake nuk është e barasvlershme me ekzistencën e një marrëveshjeje kriminale.Rolet dhe veprimet konkrete të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit duhet të shqyrtohen veçmas dhe në mënyrë të individualizuar. Ankesa duhet të identifikojë provat konkrete mbi të cilat është mbështetur Kolegji i Gjykimit ndaj secilit të akuzuar dhe të vlerësojë nëse ato i përmbushin elementet juridike të formës përkatëse të përgjegjësisë. Vëmendje e posaçme duhet t’i kushtohet funksionimit real të strukturave politike dhe ushtarake të UÇK-së, marrëdhënieve ndërmjet Shtabit të Përgjithshëm dhe njësive operative, natyrës së autoritetit të ushtruar nga individë të caktuar dhe shkallës në të cilën vendimet e marra në nivel qendror zbatoheshin në praktikë. Këto çështje duhet të provohen përmes fakteve konkrete dhe jo të nxirren vetëm nga titujt formalë, dukshmëria publike apo pozita organizative.Në rastet kur Kolegji i Gjykimit është mbështetur në formën e zgjeruar të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, mbrojtja duhet të kundërshtojë posaçërisht nëse janë provuar kërkesat për parashikueshmërinë e krimeve shtesë dhe pranimin e rrezikut përkatës nga i akuzuari. Prokuroria duhet të provojë elementin subjektiv të kërkuar dhe nuk mund ta zëvendësojë atë me mundësinë abstrakte që krime të caktuara mund të ndodhnin. Për këtë arsye, ankesa duhet të shqyrtojë nëse Kolegji i Gjykimit i ka dalluar saktë format e ndryshme të ndërmarrjes së përbashkët kriminale dhe nëse ka zbatuar testin e duhur juridik ndaj provave që lidhen me secilin të akuzuar.
5. Në lidhje të drejtpërdrejtë me këtë çështje qëndron parimi themelor i përgjegjësisë penale individuale. Asnjë person nuk mund të dënohet vetëm për shkak të autoritetit politik, gradës ushtarake, përkatësisë organizative, pozitës institucionale apo lidhjeve me persona të tjerë që mund të kenë kryer vepra penale. Përgjegjësia penale duhet të mbështetet në sjelljen personale të individit dhe në elementin subjektiv që kërkohet nga ligji. Prandaj, ankesa duhet të shqyrtojë çdo incident të përmendur në aktgjykim, përfshirë vrasjet, arrestimet, ndalimet e paligjshme, keqtrajtimet dhe format e tjera të sjelljes së pretenduar kriminale, për të përcaktuar nëse provat krijojnë lidhje juridikisht të mjaftueshme ndërmjet incidentit dhe secilit të akuzuar.Për çdo incident të pretenduar duhet të shqyrtohen identiteti i kryerësve, rrethanat e ngjarjes, natyra e kontributit të pretenduar të të akuzuarit, forma përkatëse e dashjes dhe baza provuese për atribuimin e përgjegjësisë. Kur përgjegjësia pretendohet mbi bazën e mosveprimit, ankesa duhet të shqyrtojë nëse ka ekzistuar detyrimi juridik për të vepruar dhe nëse i akuzuari ka pasur mundësi reale dhe praktike për ta përmbushur atë detyrim. Kur pretendohet përgjegjësia eprorore, duhet të analizohen veçmas kërkesat lidhur me kontrollin efektiv, dijeninë ose standardin përkatës të dijenisë dhe mosmarrjen e masave të nevojshme dhe të arsyeshme. Ekzistenca e një marrëdhënieje formale epror-vartës ose e një titulli organizativ nuk mjafton, pa prova të tjera, për të vërtetuar elementet juridike të përgjegjësisë eprorore.
6. Një tjetër dimension i rëndësishëm i ankesës duhet të jetë shqyrtimi i identifikimit, interpretimit dhe zbatimit të së drejtës penale materiale që rregullon sjelljen e pretenduar. Korniza juridike e zbatueshme për ngjarjet e viteve 1998–1999 duhet të analizohet me kujdes të veçantë, duke marrë parasysh dispozitat përkatëse të kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara, Kushtetutën e Kosovës, legjislacionin e brendshëm të zbatueshëm dhe rregullat përkatëse të së drejtës zakonore ndërkombëtare. Mbrojtja duhet të vlerësojë nëse përkufizimet juridike dhe format e përgjegjësisë të zbatuara në aktgjykim kanë qenë të qasshme dhe mjaftueshëm të parashikueshme në kohën përkatëse, si dhe nëse interpretimi i Kolegjit të Gjykimit ka respektuar kufijtë e parimit të ligjshmërisë.Parimet themelore të së drejtës penale, përfshirë nullum crimen sine lege, nulla poena sine lege, ndalimin e kriminalizimit retroaktiv, zbatimin e ligjit më të favorshëm kur është i aplikueshëm, përgjegjësinë penale individuale, sigurinë juridike dhe prezumimin e pafajësisë, duhet të përbëjnë pjesë integrale të analizës në apel. Vëmendje e posaçme duhet t’i kushtohet çështjes nëse aktgjykimi e ka zgjeruar përgjegjësinë penale përmes interpretimeve që nuk kanë qenë mjaftueshëm të parashikueshme në kohën e kryerjes së veprimeve të pretenduara. Mbrojtja duhet të identifikojë çdo gabim juridik që lidhet me përkufizimin e veprave penale, elementet subjektive ose kërkesat e formave përkatëse të përgjegjësisë dhe të shpjegojë ndikimin e këtij gabimi në konstatimet e fajësisë.
Edhe
Rrustemi: Sulmet e Serbisë pas vendimit në Hagë duhet marrin përgjigjen e duhur nga Republika e jonë
7. Një dimension tjetër i rëndësishëm i ankesës duhet të jetë rivlerësimi gjithëpërfshirës i dosjes provuese. Ekipet mbrojtëse duhet të identifikojnë materialet që nuk janë marrë parasysh në mënyrë të mjaftueshme, që janë keqinterpretuar, që u është dhënë peshë joproporcionale ose që nuk janë harmonizuar siç duhet me provat e tjera. Ky shqyrtim duhet të përfshijë dokumente historike dhe ushtarake, raporte operative, urdhra, komunikime, dokumente politike dhe diplomatike, raporte ndërkombëtare, dëshmi, ekspertiza, materiale forenzike dhe dokumentacion arkivor. Rëndësi të veçantë duhet t’u kushtohet provave që mund të kundërshtojnë qëllimin e pretenduar kriminal, të vënë në pikëpyetje strukturën e pretenduar komanduese, të ofrojnë shpjegime alternative për ngjarje të caktuara ose të dobësojnë lidhjen e pretenduar ndërmjet të akuzuarve dhe veprave penale.Çdo kërkesë për paraqitjen e provave të reja duhet të përmbushë kërkesat procedurale që zbatohen për ankesat pranë Dhomave të Specializuara. Mbrojtja duhet të shpjegojë rëndësinë dhe besueshmërinë e secilës provë të propozuar, arsyet pse ajo nuk është paraqitur më parë ose nuk është shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme, si dhe ndikimin e mundshëm të saj në konstatimet që kundërshtohen. Provat e reja duhet të paraqiten përmes një arsyetimi të saktë juridik dhe provues, duke dëshmuar rëndësinë e tyre materiale për rezultatin e çështjes.
8. Ankesa duhet të përfshijë gjithashtu një shqyrtim sistematik të konstatimeve faktike të Kolegjit të Gjykimit dhe të mënyrës së vlerësimit të provave të Prokurorisë. Ky shqyrtim duhet të përfshijë besueshmërinë e dëshmitarëve, mospërputhjet ndërmjet deklaratave të mëhershme dhe dëshmive në gjykim, autenticitetin dhe interpretimin e materialeve dokumentare dhe elektronike, përdorimin e provave indirekte dhe rrethanore, si dhe trajtimin e provave që favorizojnë të akuzuarit. Mbrojtja duhet të identifikojë rastet kur aktgjykimi mbështetet në pjesë të shkëputura të provave, anashkalon kundërthënie materiale ose nxjerr përfundime që nuk mbështeten mjaftueshëm në dosjen provuese.Çdo konstatim faktik që kundërshtohet duhet të lidhet me paragrafin përkatës të aktgjykimit dhe me provat konkrete mbi të cilat është mbështetur Kolegji i Gjykimit. Më pas, mbrojtja duhet të identifikojë gabimin e pretenduar, të shpjegojë pse konstatimi është i paarsyeshëm ose juridikisht i pambështetur dhe të dëshmojë ndikimin e tij material në vendimin për fajësinë. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet çështjes nëse Kolegji i Gjykimit i ka shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme shpjegimet alternative të arsyeshme të ngjarjeve. Provat rrethanore duhet të vlerësohen në tërësi dhe të përmbushin standardin penal të provës; ato nuk mund të shndërrohen në dëshmi të fajësisë përmes një vargu supozimesh që lënë boshllëqe materiale në rastin e Prokurorisë.
9.Garancitë e gjykimit të drejtë dhe parimi i barazisë së armëve duhet të përbëjnë një bazë tjetër të rëndësishme të ankesës. Mbrojtja duhet të shqyrtojë nëse procedura ka respektuar prezumimin e pafajësisë, të drejtën për përfaqësim efektiv juridik, të drejtën për të marrë në pyetje dëshmitarët, të drejtën për të paraqitur prova, të drejtën për kohë dhe lehtësi të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes dhe të drejtën për ta kundërshtuar në mënyrë efektive rastin e Prokurorisë. Çdo vendim ose praktikë procedurale që mund ta ketë vendosur mbrojtjen në pozitë dukshëm më të pafavorshme duhet të identifikohet dhe të vlerësohet në dritën e kornizës juridike të zbatueshme.Ky shqyrtim duhet të përfshijë kufizimet e mundshme në qasjen në materiale relevante, vështirësitë në sigurimin ose paraqitjen e provave shfajësuese, kufizimet në marrjen në pyetje të dëshmitarëve, trajtimin e pabarabartë të provave të Prokurorisë dhe të mbrojtjes, si dhe vendimet procedurale që mund ta kenë cenuar përgatitjen ose paraqitjen efektive të mbrojtjes. Çdo shkelje e pretenduar duhet të mbështetet me referenca konkrete në dosjen procedurale dhe të shoqërohet me shpjegimin e ndikimit të saj në të drejtat e të akuzuarve dhe në drejtësinë e procedurës.
10. Një argument tjetër qendror duhet të lidhet me mjaftueshmërinë e arsyetimit të Kolegjit të Gjykimit dhe zbatimin e standardit të provës përtej dyshimit të arsyeshëm. Një aktgjykim dënues duhet të mbështetet në prova që vërtetojnë çdo element thelbësor të veprës penale dhe formën përkatëse të përgjegjësisë sipas standardit të kërkuar. Aktgjykimi duhet të shpjegojë se si provat mbështesin secilin përfundim material dhe pse janë refuzuar shpjegimet e tjera të arsyeshme. Mbrojtja duhet të identifikojë konstatimet që mbështeten në spekulime, supozime të pambështetura, përgjithësime ose zinxhirë jo të plotë të inferencave.Vëmendje e posaçme duhet t’u kushtohet rasteve kur aktgjykimi nuk shpjegon lidhjen ndërmjet provave dhe përfundimeve, nuk trajton në mënyrë të mjaftueshme kundërthëniet materiale, anashkalon provat shfajësuese ose e trajton pozitën organizative si zëvendësim të provës së përgjegjësisë penale. Barra e provës i takon tërësisht Prokurorisë dhe nuk mund t’u bartet, drejtpërdrejt ose tërthorazi, të akuzuarve. Të akuzuarit nuk kanë detyrim ta provojnë pafajësinë e tyre. Kur provat lënë dyshim të arsyeshëm për ekzistencën e një elementi thelbësor të veprës penale ose për përgjegjësinë e një të akuzuari, parimet përkatëse të së drejtës penale kërkojnë që ky dyshim të interpretohet në favor të tij.Megjithëse objektivi kryesor i ankesës duhet të mbetet përmbysja e konstatimeve të fajësisë dhe nxjerrja e aktgjykimit lirues, mbrojtja duhet të shqyrtojë edhe individualizimin dhe proporcionalitetin e dënimeve të shqiptuara. Kjo duhet të parashtrohet vetëm si bazë alternative e ankesës, pa e dobësuar kërkesën kryesore për lirim nga akuzat. Analiza duhet të përcaktojë nëse dënimet janë mbështetur në rrethana individuale të provuara, në sjelljen konkrete që i atribuohet secilit të akuzuar, në kornizën përkatëse të dënimit dhe në rrethanat lehtësuese e rënduese. Çdo mosdallim i roleve dhe rrethanave individuale, ose mbështetje në rrethana rënduese të paprovuara, duhet të identifikohet dhe të argumentohet. Kur e justifikon ligji i zbatueshëm, mbrojtja mund të kërkojë uljen përkatëse të dënimit si mjet alternativ juridik.
Përfundimi
Qëllimi përfundimtar i ankesës duhet të jetë përmbysja e vendimit dënues dhe nxjerrja e aktgjykimit lirues për secilin të akuzuar. Kjo kërkesë duhet të formulohet veçmas për secilin të akuzuar dhe të mbështetet në shpjegimin e saktë të gabimeve faktike dhe juridike që e cenojnë konstatimin e fajësisë. Mbrojtja duhet të dëshmojë se gabimet e identifikuara janë materiale dhe se Prokuroria nuk i ka provuar elementet e kërkuara të përgjegjësisë penale përtej dyshimit të arsyeshëm.
Kërkesa kryesore duhet të jetë që Kolegji i Apelit ta aprovojë ankesën, t’i shfuqizojë konstatimet përkatëse të fajësisë, ta përmbysë aktgjykimin e shkallës së parë në pjesët e kundërshtuara dhe të nxjerrë aktgjykim lirues për akuzat për të cilat nuk janë provuar elementet juridike të përgjegjësisë penale. Në masën që e lejon korniza procedurale dhe kur rrethanat e justifikojnë, mbrojtja mund të parashtrojë kërkesa alternative për anulimin e konstatimeve përkatëse dhe masa të tjera juridike, përfshirë rigjykimin. Çdo kërkesë për uljen e dënimit duhet të mbetet dytësore në raport me kërkesën kryesore për aktgjykim lirues.
Për ta bërë efektive këtë strategji, ekipet mbrojtëse duhet të zbatojnë një metodologji të koordinuar dhe sistematike në përgatitjen e parashtresave të ankesës. Secili ekip duhet të kryejë shqyrtim të pavarur të aktgjykimit dhe të dosjes provuese në raport me klientin përkatës, duke kontribuar njëkohësisht në analizën e përbashkët juridike të çështjeve që prekin të katër të akuzuarit. Përgatitja duhet të bazohet në shqyrtimin e hollësishëm të çdo paragrafi relevant të aktgjykimit, të provave përkatëse, të dispozitave ligjore të zbatueshme dhe të rëndësisë materiale të secilit gabim të pretenduar.
Për këtë qëllim, mbrojtja duhet të hartojë një matricë të plotë analitike, ku për secilin konstatim që kundërshtohet identifikohet paragrafi përkatës i aktgjykimit, prova mbi të cilën është mbështetur Kolegji i Gjykimit, prova e anashkaluar ose e vlerësuar në mënyrë të pamjaftueshme, gabimi faktik ose juridik i pretenduar, parimi juridik i zbatueshëm, ndikimi i gabimit në vendimin për fajësinë dhe kërkesa konkrete drejtuar Kolegjit të Apelit. Kjo metodologji do t’i mundësojë mbrojtjes të dallojë qartë gabimet juridike, gabimet faktike, shkeljet procedurale dhe çështjet që lidhen me dënimin, duke siguruar që çdo bazë e ankesës të jetë e argumentuar në mënyrë të mjaftueshme.
Argumentet duhet të paraqiten në mënyrë koherente dhe të disiplinuar, të mbështetura në referenca ndaj dosjes provuese, kornizës juridike përkatëse dhe praktikës gjyqësore të zbatueshme. Argumentet historike dhe politike duhet të integrohen në analizën juridike vetëm në masën që ndihmojnë në ndriçimin e kontekstit faktik dhe në vlerësimin e pretendimeve të Prokurorisë. Ato nuk mund ta zëvendësojnë detyrimin për të identifikuar gabimet konkrete juridike dhe mangësitë provuese të aktgjykimit të shkallës së parë.
Pozicioni i përgjithshëm strategjik duhet të mbetet i mbështetur fort në parimin se përgjegjësia penale është personale dhe duhet të provohet përmes provave të besueshme, përtej dyshimit të arsyeshëm. Pozita politike, përkatësia organizative, dukshmëria publike ose lidhjet me individë të tjerë nuk mund të shërbejnë si zëvendësim për provën e elementeve të veprës penale dhe të formës përkatëse të përgjegjësisë. Prandaj, ankesa duhet të kundërshtojë çdo arsyetim që largohet nga këto parime themelore dhe të kërkojë që dënimet të vlerësohen sipas standardeve të rrepta të së drejtës penale dhe garancive të gjykimit të drejtë.
Edhe
Përbërja dhe detyrat e grupit punues për strategjinë shtetërore për Apelin e ish-krerëve të UÇK-së
Në përfundim, kjo strategji përbën një kornizë gjithëpërfshirëse juridike dhe konceptuale për shqyrtim nga ekipet mbrojtëse gjatë përgatitjes së ankesës kundër aktgjykimit të shkallës së parë në rastin Thaçi dhe të tjerët. Qëllimi i saj është të krijojë një qasje të strukturuar, të bazuar në prova dhe të argumentuar juridikisht, e cila synon para së gjithash përmbysjen e dënimeve dhe sigurimin e aktgjykimit lirues për secilin të akuzuar. Suksesi i kësaj qasjeje do të varet nga shkalla në të cilën çdo argument lidhet me konstatimet konkrete të aktgjykimit, mbështetet në dosjen e plotë provuese dhe formulohet në përputhje me rregullat përkatëse të procedurës së ankimit.
Parimi udhëheqës i kësaj strategjie është se asnjë individ nuk mund të dënohet mbi bazën e pozitës politike, atribuimit kolektiv apo inferencave që nuk mbështeten në prova të mjaftueshme. Përgjegjësia penale duhet të provohet individualisht, në përputhje me parimin e ligjshmërisë dhe përtej dyshimit të arsyeshëm. Kur ky standard nuk është përmbushur, rezultati i duhur juridik është aktgjykimi lirues.