Familjet e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit e Kadri Veselit kanë refuzuar takimin e thirrur nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.
Djali i Krasniqit, Altin Krasniqi, në emër të familjeve të tjera ka njoftuar se në takim do të shkojnë vetëm pas vendimit të Kuvendit ndaj aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një letre publike, familjet kanë bërë thirrje për përgjegjësi institucionale dhe unitet qytetar, derisa kanë shprehur mirënjohje për mbështetjen e popullit.
“Presim sjellje të përgjegjshme shtetërore nga të zgjedhurit e popullit, në mbrojtje të Kushtetutës dhe ligjit, në raport me Dhomat e Specializuara. E vlerësojmë ftesën e Albulena Haxhiut, por, për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm lidhur me ndikimin dhe ndërhyrjet familjare në vendimmarrjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, presim që të takohemi pas vendimit të Kuvendit”, thuhet në letrën e familjeve të publikuar nga Krasniqi.
Specialja i shpalli fajtorë për krime lufte dhe i dënoi me nga 25 vjet burgim Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, ndërsa Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13.
Edhe
Familjarët e Thaçit, Krasniqit e Veselit besojnë në luftën e pastër të UÇK-së
Që nga data 16 shtator, kur Gjykata Speciale dha vendim dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Kosovë nuk janë ndalur protestat, të cilat qëllim kanë kundërshtimin e këtij vendimi. Përveç në Kosovë, protesta janë mbajtur ditëve të kaluara edhe në New York, Kanada, Zvicër, Gjermani e Austri.
Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator ka proceduar në Kuvend nismën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të Specializuar. Ajo ka kërkuar kufizim të mandatit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe monitorim ndërkombëtar të punës së saj.

-
Protestë para selisë së OKB-së në New York kundër vendimit të Speciales
-
Haxhiu kërkon unitet dhe bashkërendim për hapat pas aktgjykimit të Speciales
-
Dita e gjashtë e protestës në kundërshtim të vendimit të Speciales për ish-krerët e UÇK-së
-
Diaspora sot në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së