Milaim Ademaj, gjyshi i fëmijës pesëvjeçar që vdiq si pasojë e vërshimeve të shtunën mbrëma në Pejë, ka rrëfyer se si ka ndodhur përmbytja e shtëpisë, ku mbetën të vdekur nipi dhe e reja e tij.
Në një intervistë për KTV-në, Ademaj ka thënë se për shkak të shembjeve të dheut pranë, uji ka hyrë brenda shtëpisë ku gjendeshin tetë anëtarë.
Ai ka thënë se gjatë kërkimit, fillimisht është gjetur fëmija në shtëpinë e komshiut, i cili është dërguar në spital ku është konstatuar vdekja e tij, e më pas edhe e reja, trupi i pajetë i së cilës është gjetur tri shtëpi larg.
“Sekonda kanë qenë aty, dy shpirtra i ka marrë mezi i kemi gjetur. Unë isha në sallon duke ndenjur, ato ishin dy tre sekonda, është mbushur, ka pasur shembje, e ka bllokuar jazin ka hyrë mbi kulm dhe është mbushur oborri i vëllait, muri e ka mbajtur, por më pas ka shpërthyer e ka marrë uji. Tetë anëtarë ishin në shtëpi. Tre sekonda, 5 sekonda. Nusen e ka gjuajtur në njërën anë, nipin në anën tjetër, ka dalë prapa. Nipin e kam gjetur në shtëpi të komshiut unë, pasi ka ra uji. Është dashur ta dërgojmë nipin në spital për ta konstatuar vdekjen. Nusen e kemi kërkuar unë me shokë e djem, nuk kemi lënë vend pa e kërkuar. Pastaj, tri shtëpi nën ne e kemi gjetur në bodrum pa shenja jete. Nuk ka faj komuna këtu. Është natyra. Ka pasur reshje dy muaj, ska mundur toka të pijë më”, ka thënë ai.
Ndërkaq, xhaxhai i pesëvjeçarit të ndjerë, Albert Ademaj, ka thënë se pavarësisht thirrjeve tek institucionet, nuk hasën në ndihmën e tyre.
"I ka thirrur kryetarja e lagjes Policinë, ambulancën, por veç dy policë kanë qenë lart, as nuk ka ardhur ambulanca. Djalin vetë e kemi dërguar në spital, ja kemi dhënë ndihmën e parë, jemi munduar. Nusen nuk na ka ndihmuar askush për ta nxjerrë, e kam nxjerrë vetë me një shok timin. Ata kanë kontrolluar aty e më kanë thënë nuk ka asgjë në podrum. Ne kemi hyrë vetë për të dytën herë dhe e kam gjetur aty. Një polic e ka thyer krahun dhe ambulanca ka ardhur për të dhe jo për ta marrë trupin e pajetë", tha Ademaj.