Dy personat që mbetën të vdekur të shtunën mbrëma si pasojë e vërshimeve në Pejë, ishin brenda shtëpisë së tyre në momentin kritik, ka bërë të ditur për KOHËN, nënkryetari i Komunës së Pejës, Fatmir Asllani.
Siç ka mësuar KOHA, shtëpia e gruas dhe fëmijës tashmë të ndjerë, është në rrugën "Asllan Çeshme", afër jazit ku ka pasur shembje të dheut.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFamiljarët e viktimave kanë bërë të ditur se varrimi i tyre do të bëhet të hënën.
Asllani ka njoftuar se aktualisht po bëhet pastrimi i kanalit, i cili është mbushur me zhavorr dhe materiale inerte që i ka bartur uji.
Ai më tej ka thënë se janë diku rreth gjashtë vetura të cilat po ashtu janë bartur brenda në kanal, teksa po punohet për lirimin e tij për shkak të paralajmërimeve se do të ketë të reshura shiu.
“Momentalisht po merremi me pastrimin e kanalit. Është i mbushur me zhavorr, me materiale inerte, janë rreth pesë-gjashtë vetura që i ka gjuajtur brenda. Po mundohemi ta sanojmë problemin. Po paralajmërohet shi, andaj po punojmë në lirimin e kanalit”, ka thënë ai.
Edhe dy persona të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e këtyre vërshimeve. Drejtori i Shëndetësisë në Pejë, Petrit Loci, ka thënë për KOHËN se gjendja e tyre është stabile.
Ekipi i KOHËS në terren ka sjellë pamje nga ky qytet, ku vërehen dëmet e mëdha materiale të shkaktuara, për të cilat po punohet për t’u evituar.
Për gjendjen e rëndë në Pejë, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se janë ngritur kapacitetet e Qeverisë me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave që të ndihmohet në përballimin dhe tejkalimin e pasojave.
“Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, janë në komunikim me Komunën e Pejës për të koordinuar veprimet në ofrim të mbështetjes së nevojshme”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Edhe presidentja Vjosa Osmani ka konsideruar se Komuna e Pejës duhet të përkrahet në mënyrë që të përballojë dhe të rikuperohet nga situata e krijuar.
Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, teksa kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e gruas dhe të birit të saj pesëvjeçar, kanë kërkuar nga Qeveria që të ngrejë të gjitha kapacitetet në mënyrë që qytetarët e Pejës ta tejkalojnë sa më lehtë këtë situatë.