Punësimet partiake dhe familjare në institucionet shtetërore, janë kryetemë e së dielës në “Koha Ditore”.
Shkrimi kryesor me titull “Familja e partia para shtetit” flet si partitë politike në pushtet kanë mbushur kompanitë publike dhe ministritë me militantë dhe familjarë.
Aty mund të lexoni edhe për keqpërdorimet me Fondin për Kuadro.
Te tema e javës, po ashtu, mund të kuptoni për dëmin shumëdimensional që nepotizmi i shkakton shtetit.
Në intervistën e javës, flet analisti i politikave në institutin GAP, Agron Demi, i cili tregon se si partitë politike janë kthyer në agjenci të punësimeve.
Në faqet e së dielës mund të lexoni edhe reportazhin për florën dhe faunën e parkut të Gërmisë, që shpesh quhet edhe si “mushkëritë e Prishtinës”.
“Skandali financiar bashkon kryeministra, yje e dallaveraxhinj”, dhe “gardianët e fundit të tokës” janë dy prej shkrimeve nga faqet e botës.
Fejtoni, këtë javë, sjell në kujtesë gjendjen e mjerueshme nëpër rrugët e Shqipërisë së viteve nëntëdhjetë.
Në rubrikën ‘kosovarçe’ vjen shkrimi për qytetin e Podujevës, i cili po zbrazet nga të rinjtë. Cilave shtete po ua mësyjnë llapjanët?
Rubrika e kulturës sjell artistin Besnik Xhemaili, pikturat e të cilit kanë shëtitur nëpër vende të ndryshme të botës.
Në monument mund të lexoni për traditën tetovare në përgatitjen e akulloreve dhe dy ëmbëltorëve emblematike të Prishtinës, “Rinia” dhe “Elida”.
Në mesin e shumë shkrimeve interesante nga sporti veçohet ai për Betim Halimin, portierin e vetëm kosovar që aktualisht po luan në një ligë elitare të Evropës.
Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në mbi 80 faqet e numrit të së dielës në “Koha Ditore”.