Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Familja e 11-vjeçarit në betejë me Policinë e Prokurorinë për vrasjen që s’u parandalua

Gjashtë muaj para se të vritej, 11-vjeçari Kujtim Veseli ishte dhunuar seksualisht nga vrasësi. Rasti ishte denoncuar, por autoritetet nuk e kishin paraburgosur të dyshuarin dhe as nuk i kishin bërë ekspertizë viktimës. Për mosveprim, një prokurori i është shqiptuar masë disiplinore “ulje e pagës në 30%, për 6 muaj”. Familja e 11-vjeçarit të vrarë, i ka kërkuar sërish Prokurorisë dhe Policisë për t’i vënë para drejtësisë përgjegjësit, që nuk e parandaluan vrasjen

Institucionet e drejtësisë vazhdojnë të heshtin karshi ankesave të familjarëve të 11-vjeçarit Kujtim Veseli, i cili gjashtë muaj para se të vritej ishte dhunuar seksualisht nga njeriu, që dyshohet se e privoi nga jeta. Rasti i dhunimit ishte denoncuar, por autoritetet nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim.

I akuzuari për vrasjen e 11 vjeçarit nga Fushë Kosova, e kishte pranuar veprën penale për dhunim në prill të vitit 2019, por edhe këtë herë institucionet e kishin lënë në liri.

Familja e 11-vjeçarit ka dorëzuar sërish ankesë në Prokurorinë e shtetit dhe në Policinë e Kosovës, me kërkesën që të dënohen përgjegjësit që neglizhuan rastin.

Rina Kika, avokate e familjes së viktimës, thotë se gjendja e familjarëve të Kujtimit është e rëndë, dhe tregon për ankesat që tashmë i kanë dorëzuar.

“Javën që shkoj ne i kemi dorëzuar dy ankesa, një ndaj zyrtares policore e cila ka qenë përgjegjëse për rastin e Kujtimit në janar të vitit 2019 dhe një ndaj zyrtares nga Prokuroria, prokurores e cila ka qenë përgjegjëse në korrik të vitit 2019. Këto dy zyrtare publike i kemi denoncuar për shkak se nuk i kanë ndërmarr veprimet e duhura”, ka thënë Kika.

Edhe Kika për vrasjen e Kujtim Veselit: Institucionet s’kanë interesim t’i hetojnë përgjegjësit Arbëri Kika për vrasjen e Kujtim Veselit: Institucionet s’kanë interesim t’i hetojnë përgjegjësit

Në Prokurorinë e Shtetit dhe as në Inspektoratin Policor nuk treguan gjatë së martës, nëse janë duke u zhvilluar hetime ose nëse do të merren masa për personat e përmendur në ankesën e familjes së Kujtim Veselit.

E, avokatja e familjes thotë se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi.

Ajo ka shprehur pakënaqësinë edhe me vendimin e Këshillit Prokurorial, i cili prokurorit Ruhan Salihu i kishte shqiptuar vetëm masë disiplinore “ulje e pagës në 30%, për 6 muaj”, edhe pse ishte konstatuar se ai nuk kishte kërkuar ndalimin dhe paraburgimin e të dyshuarit për dhunim dhe as nuk kishte kërkuar të bëhej ekspertiza mjeko-ligjore e viktimës.

“Kjo masë nuk është fare adekuate për shkeljet dhe nuk është proporcionale me pasojat të cilat i ka sjellë përgjegjësia e tij disiplinore dhe shkeljet, që i ka bërë ai prokuror”, ka thënë Kika.

Për vrasjen e Kujtimit, edhe Avokati i Popullit, ka publikuar një raport, në të cilin ka listuar shkeljet e institucioneve përgjegjëse. Në raportin 20 faqesh, thuhet se i dënuari për vrasjen e Kujtimit, Sefedin Osmani kishte 15 aktakuza e 26 kallëzime penale.

Aty thuhet se në prill të vitit 2019 ishin pezulluar hetimet nga ana e Policisë, për të akuzuarin.

“Më 18 shtator 2019, IAP-ja ka marrë përgjigje nga PThP-ja: ‘... lënda është pranuar në Prokurori me datë 15 prill 2019. Më 11.06.2019, është marrë aktvendim për fillim të hetimeve meqë i pandehuri S. O. është ftuar me ftesë në prokurorinë Themelore në Prishtinë. Ftesa është pranuar nga i njëjti, mirëpo nuk është paraqitur në Prokurori. Ftesa e dytë të pandehurit i është dërguar me datë 21.05.2019 dhe i njëjti prapë e ka pranuar por nuk është paraqitur. Me datë 26.06.2019 është pezulluar hetimi”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit, të publikuar gjatë vitit 2019.

Ky institucion kishte konstatuar edhe shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në këtë rast.

Edhe Rasti i dhunimit të 11-vjeçares, nga KGJK-ja kërkohet të marrë masa ndaj gjyqtarëve amnistues LAJMET E MBRËMJES Rasti i dhunimit të 11-vjeçares, nga KGJK-ja kërkohet të marrë masa ndaj gjyqtarëve amnistues

Pas vrasjes së Kujtimit, edhe të tjerë fëmijë kishin treguar se ishin ngacmuar e ishin rrahur nga i njëjti person.

Sefedin Osmani në tetor të 2020-ës, u dënua me 25 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për dhunimin për muaj rresht dhe vrasjen e 11-vjeçarit nga Fushë Kosova, Kujtim Veseli.