LAJMET E MBRËMJES

Rasti i dhunimit të 11-vjeçares, nga KGJK-ja kërkohet të marrë masa ndaj gjyqtarëve amnistues

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor nuk ka arritur që ta përfundojë lehtë adresimin e tij para mediave.

Në konferencën e ftuar për gazetarë kryesuesi Albert Zogaj nisi të fliste rreth dyshimeve për dhunimin e një vajze 11-vjeçare dhe mbi akuzat e adresuara ndaj institucionit që udhëheq lidhur me rastin.

Është arsyetuar se ky rast nuk ka marrë asnjëherë epilog në gjykatë dhe prandaj nuk ka përgjegjësi.

Por konferenca është ndërprerë nga ana e protestuesve që hynë në sallën e konferencës për të kërkuar drejtësi e përgjegjësi nga udhëheqës të institucioneve që kanë dështuar ta mbronin vajzën e dhunuar.

“Ju nuk keni të drejtë me folë për rastet e dhunës seksuale pa kërku falje. D.m.th., ligji nuk ua lejon me dhanë qaq pak dënime sa ju keni dhanë. Dilni këtu e na tregoni se ju nuk keni gisht në rastin e 11-vjeçares. Kjo është e patolerueshme dhe ofendim për krejt neve. E me krejt rrogat që i merrni ju, dilni këtu e na tallni para krejt mediave dhe qytetarëve”, tha Liridona Sijarina, organizatore e protestës.

E një tjetër protestues ia pamundësoi Zogajt të fliste.

Fishkëllimat zgjatën gati 20 minuta. Në hyrje herë pas here shiheshin forcat polciore që më vonë hynë në sallë.

Njëra prej organizatorëve të protestës, Liridona Sijarina, i kërkoi Policisë që të merret me gjyqtarët dhe jo me protestuesit.

“Shteti nuk po na mbron neve e ju po merreni me ne. Me çfarë të drejte? Qe ku i keni fajtorët, merruni me ta”, tha Sijarina.

Konferenca u ndërpre derisa protestuesit dolën. Jashtë sallës policia ua kërkoi dokumentet e identifikimit, të cilat ua ktheu pas një kohe të shkurtër.

Po këta protestues, rreth një orë më vonë, iu bashkuan me qindra protestuesve të tjerë të mbledhur afër Qeverisë. Prej aty marshuan deri te objekti i Prokurorisë së Shtetit.

Kërkesë kryesore e tyre ishte shkarkimi i prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

Aktivistja Bjeshkë Guri ka thënë se Prokuroria ka dështuar që të ofrojë drejtësi në rastin e së miturës.

“Kjo na tregon se prokuroria dhe përkatësisht KPK-ja është duke dështuar të krijojë obligimet që i takojnë dhe është bashkëfajtor në dhunimin e grave... Na alarmon për raste të tjera, të ngjashme që mund të jenë duke ndodhur e për të cilat ne nuk kemi informata. Precedenti i fundit tregon që kur rastet nuk bëhen publike prokuroria është neglizhuese. Për të marrë përgjegjësi mbi rastin dhe për të krijuar kulturë të ndëshkimit të prokurorëve neglizhentë, gjë të cilën KPK-ja nuk është duke e bërë, ne kërkojmë urgjentisht shkarkimin e kryeprokurorit Kujtim Munishi”, tha aktivistja Bjeshkë Guri.

Mes kërkesave të tjera ishin: legalizimi i përdorimit dhe shpërndarja e gazit irritues për vetëmbrojtje, shkarkimi i zyrtarëve policorë, përgjegjës për rastin e përdhunimit të së miturës, krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici, siguria, drejtësia dhe rehabilitimi për të mbijetuarat e dhunës seksuale, si dhe përfshirja e edukatës seksuale si lëndë shkollore.

Protestë ka pasur edhe javën e shkuar, kur me mijëra pjesëmarrës kërkuan drejtësi për vajzën 11-vjeçare.