Arbëri

Erdogan kërkon armëpushim në Ukrainë e mobilizim për dërgimin e ndihmave në Gazë

Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë. 

Në fjalën e tij në Samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë,  Erdogan ka folur për bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll, duke thënë se kanalet e dialogut duhet të mbeten të hapura. 

“Jemi në një moment kritik që armët të ndalen dhe paqja të vendoset në Ukrainë. Gjithsecili po kontribuon, inkurajimi i palëve pa u imponuar asgjë është i rëndësishëm. Duhet ndalur gjakderdhja. Sot po zhvillohen bisedime në Stamboll, në këtë fazë mbështetemi te të gjithë partnerët tanë për t’i mbajtur të hapura kanalet e dialogut”, ka theksuar Ergogan. 

Ai ka theksuar se Turqia do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj në këtë proces.

Presidenti turk e ka kritikuar qasjen e politikanëve ndaj konfliktit në Gazë. 

“Nuk kemi asnjë veprim për të arritur një dinjitet njerëzor sa i takon Gazës, përveç një armëpushimi të përhershëm duhen mobilizuar mjetet për dhënien e ndihmave dhe për të bërë Gazën të jetueshme sërish”, është shprehur Erdogan, raporton TCH.

Ai ka thënë se liderët e Evropës duhet të veprojnë të bashkuar dhe të orientuar nga fryma e veprimit të përbashkët.

“Për të tejkaluar krizën e besimit në arenën ndërkombëtare, duhet të ndërtojmë një arkitekturë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse të qeverisjes globale. Ka një potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunim. Janë shumë fusha ku ne mund të bashkëpunojmë. Në këto kohë kritike kur diskutojmë të ardhmen e sigurisë evropiane, duhet të përfitojnë edhe aleatët që nuk janë pjesë e BE-së. Kjo ide do të ishte në interes të sigurisë evropiane. Koha ka treguar se nëse përçaheni jeni më të dobët, nëse bashkohemi jemi më të fortë”, është shprehur Erdogan.

Lexo përditësimet tjera
fotoja familjare

Nga Tirana, liderët evropianë paralajmëruan pasoja për Rusinë