Arbëri

Emini: Mesazhi i Francës e Italisë për masat ndaj Kosovës, shumë shqetësues

Donika Emini

Njohësja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka vlerësuar se mesazhi i fundit i ardhur nga Franca dhe Italia, të cilat kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës, është tejet shqetësues për vendin. 

Sipas saj, këto dy shtete kanë peshë të madhe politike brenda Bashkimit Evropian, sidomos Franca.

Ajo ka theksuar se marrëdhëniet e Kosovës me Francën kanë qenë të tensionuara në pesë vjetët e fundit dhe se ndryshimi i qëndrimeve mund t’i japë situatës dimension edhe më problematik.

“Fakti që kemi një mesazh të hapur që na dërgohet nga Franca dhe Italia është shumë problematike sepse janë vende me peshë politike brenda BE-së, sidomos Franca. Me Francën kemi pasur marrëdhënie goxha problematike në pesë vjetët e fundit. Shqetësuese është pasi këto dy vende të lëvizin qëndrimet e tyre nuk është lehtë”, ka thënë ajo të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së.

Emini tutje kritikoi mungesën e qartësisë nga BE-ja rreth kritereve që Kosova duhet të përmbushë për heqjen e masave. 

Sipas saj, asnjëherë nuk është specifikuar saktësisht se çfarë duhet të bëjë Kosova në veri, përveç kërkesës së përgjithshme për deeskalim të situatës.

“Nuk ka qenë kurrë e specifikuar se çka duhet konkretisht të bëjë Kosova me veriun në mënyrë që të hiqen masat, kushti i përgjithshëm ka qenë deeskalimi i situatës. Në Bruksel po presin të kemi një qeveri legjitime që të mund të ulen e të diskutojnë çështjet me rëndësi për vendin dhe rrugën drejt BE-së. Është e padrejtë nga BE-ja që kemi një kusht sepse sa të lëvizësh diçka, ka një kusht tjetër, mirëpo është gjithashtu fatkeqësi që Kosova nuk ka pasur qeveri dhe nuk e ka votuar Planin e Rritjes”, është shprehur ajo. 

Emini ka shtuar se masat kanë rëndësi të madhe sepse vendi i vetëm i sanksionuar nga BE-ja është Bjellorusia.