Arbëri

Osmani takon Costan: S’ka arsye të shtyhet heqja e plotë e masave

Vjosa OSmani - Antonio Costa

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë Bashkimi Evropian dhe se nuk ka arsye që të pengohet ose shtyhet heqja e plotë e masave.

Deklaratën ajo e ka bërë në një takim me presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa.

“Mirëpresim vendimin e BE-së për heqjen e pjesshme të masave, përderisa shpresojmë e punojmë që, sa më parë, ato të hiqen në tërësi. Republika e Kosovës ka dëshmuar konstruktivitet, bashkëpunim e përputhshmëri të plotë me politikën e jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian.  Në takim potencova se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e përcaktuara nga vetë BE, sado që ato ishin të padrejta, prandaj nuk ka asnjë arsye që të pengohet e shtyhet heqja e masave të tjera të mbetura. Në anën tjetër, shpresojmë që sa më parë, të kemi përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare që edhe Kosova, bazuar në merita, të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani po qëndron në Bruksel në kuadër të takimit të liderëve të BE-së dhe Bashkimit Evropian.

Më herët gjatë ditës, Komisioni Evropian konfirmoi për KOHËN se ka vendosur që të lëshojë 50 për qind të asistencës financiare në kuadër të procesit të heqjes së masave ndëshkuese. Vendimi vjen pas transferimit të qetë të pushtetit lokal në veri të Kosovës.