Ministri i ri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, do të jetë ministri i pestë prej të cilit pritet jetësimi i sigurimeve shëndetësore.
Ligji për Sigurime Shëndetësore është miratuar në vitin 2014. Atëkohë ministër i këtij dikasteri ishte Ferid Agani. Ai pati premtuar që zbatimi do të fillonte nga janari i vitit 2015.
Jo vetëm Agani, por premtime të ngjashme pati nga secili ministër që mori pushtetin pastaj, raporton KOHA.
Dy herë gjatë mandatit të Rrahmanit ishte planifikuar mbledhja e pagesave për sigurime shëndetësore. Në të dyja herët kjo gjë kishte dështuar.
Pas Rrahmanit drejtimin e këtij dikasteri e pati marrë sekretari i PDK-së, Uran Ismaili.
Ai pati deklaruar se në fund të vitit 2019 do të fillojë zbatimi i këtij ligji, e as këtë herë një gjë e tillë nuk u bë.
Ngjashëm kishte premtuar edhe ish-ministri Arben Vitia i Lëvizjes Vetëvendosje.
Disa javë pasi Vitia mori udhëheqjen e këtij dikasteri është paraqitur rasti i parë me Covid-19, duke u kthyer si angazhim kryesor i Ministrisë së Shëndetësisë përballja me pandeminë.
E ministri i ri, Armend Zemaj, nuk ka përmendur një datë se kur mund të nisë zbatimin ky ligj.
KOHA ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me ngecjet në zbatimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore.
Një nga pengesat kryesore për vite me radhë është konsideruar Sistemi i Informimit Shëndetësor, i cili konsiderohet si parakusht për zbatimin e këtij ligji.
Miliona euro janë shpenzuar për këtë sistem, megjithatë shumë segmente të tij konsiderohen si të dështuara.