Të dielën kanë arritur në Kosovë edhe dy gazetarë ukrainas, Liudmyla Mekh dhe Serhii Shevchenko, si pjesë e programit “Journalist in Rresidence – Kosovo”, ka njoftuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Gazetarët ukrainas janë vendosur në Prishtinë dhe do ta kenë mundësinë ta vazhdojnë punën e tyre nga Kosova.
“Gazetarët veteranë kanë punuar në media të ndryshme në Ukrainë, dhe janë pjesë aktive e Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës (NUJU). Zonja Mekh është themeluese dhe presidente e Fondacionit “Iniciativa e Gazetarëve”, me bazë në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Gazetarët janë pritur në aeroport nga zyrtarja ligjore e ECPMF, Flutura Kusari, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe përfaqësues të MPB-së”, është thënë nga AGK-ja.
Programi “Journalists in Residence – Kosovo”, financohet nga Qeveria e Kosovës dhe mbulon qiranë për banesë, ofron pagesë mujore dhe sigurim shëndetësor për 20 gazetarët që pritet të mbërrijnë në Kosovë në javët në vazhdim.
Më herët në Kosovë arriti gazetarja ukrainase Lyudmila Makey.