Institucioni që zgjedh shefat e prokurorive ka mbetur pa tre anëtarë.
Ata kanë dhënë dorëheqje, në prag të shpalljes së konkursit për kryeprokurorë të Prokurorive Themelore në Kosovë.
Zejnullah Gashi nga Prizreni, Dëshire Jusaj nga Gjakova e Arben Ismajli nga Gjilani kanë paraqitur dorëheqjet e tyre të enjten, në mbledhjen e Këshillit Prokurorial, e cila është mbajtur përmes platformës ZOOM.
Burime të KOHËS kanë thënë se prokurorët po planifikojnë që të konkurrojnë për pozitat e kryeprokurorëve në tri prokurori.
Kryeprokurorët zgjidhen nga Këshilli Prokurorial, trup nga i cili janë dorëhequr anëtarët.
Konkursi do të hapet pas më pak se një muaji, e të dorëhequrit si anëtarë, mandat kanë pasur vetëm edhe 3 muaj.
Ligji për Konfliktin e Interesit për zyrtarët publikë ndalon për periudhë 24-mujore, që një zyrtar të mund të punësohet ose emërohet në pozitë menaxhuese në atë institucion ose në institucionet vartëse, nëse para përfundimit të mandatit funksioni i tij ka qenë në mbikëqyrje ose në kontroll të institucionit.
Të tre anëtarët, njoftimet për dorëheqje i kanë bërë paraprakisht për 30 ditë, për t’i dhënë KPK-së kohë, për t’i zëvendësuar.
Me dorëheqje të paraqitura tashmë, anëtarët e dorëhequr kanë marrë pjesë në diskutimin e draft-rregullores për zgjedhjen e kryeprokurorëve, pozita të cilat ata i synojnë.
Pas mbledhjes se KPK-së, Instituti i Kosovës për Drejtësi përmes një reagimi ka kërkuar që tre anëtarëve të dorëhequr t’u ndalohet pjesëmarrja në garën për kryeprokurorë.
“Për këto arsye, IKD-ja kërkon që me qëllim të shmangies nga konflikti i interesit, ruajtjes së integritetit të sistemit prokurorial dhe besimit të publikut në këtë sistem, të njëjtit anëtar të mos aplikojnë në pozitat për kryeprokurorë, dhe nëse kjo ndodh, KPK-ja mos të lejojë kandidaturën e ish-anëtarëve Zejnullah Gashi, Dëshirë Jusaj dhe Arben Ismajli”, shkruhet në reagimin e IKD-së.
Kjo nuk është hera e parë që anëtarët e KPK-së dorëhiqen për t’u bërë kryeprokurorë.
Një rast i ngjashëm pati ndodhur vitin e kaluar, disa ditë para se të hapej gara për kryeprokuror special, ishte dorëhequr kryesuesi i atëhershëm Blerim Isufaj, i cili më pas mori votat për kryeprokuror nga ish-kolegët e tij të Këshillit.