Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus ka thënë se procedura për votimin e kandidatëve të propozuar nga shumica e deputetëve serbë do të duhej të riniste deri në përfundimin e afatit për konstituim.
Ai ka shtuar se mundësia e shortit nuk ka mundur të aktivizohet të premten, siç e paralajmëroi kryeparlamentari për zgjedhjen e Nenad Rashiqit, pasi ky i fundit nuk u propozua nga Lista Serbe.
“Kur përfundojnë tre raunde votimi për të gjithë kandidatët e propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, procedura rinis për ditët e mbetura brenda afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Në këtë rast, shumica e deputetëve të komunitetit serb nuk e kanë refuzuar të drejtën për të propozuar kandidatin, prandaj mekanizmi i “shortit” nuk ka mundur të aktivizohet. Ajo që ka ndodhur sot në praktikë është se kandidati për nënkryetar nuk është propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, siç parashihet, por nga deputetët e shumicës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kuvendi u shpall i konstituuar të premten pas zgjedhjes së Rashiqit nënkryetar.