Arbëri

Dyqane, kafene e rrugë njëkahëshe, si do të duket tuneli i Kurrizit

Rrugë njëkahëshe, shteg i biçikletave, trotuare për qytetarë, investim në sinjalizim dhe ndriçim.

Kështu pritet të duket tuneli i Kurrizit në lagjen “Dardania”, i cili gjatë viteve 90 ishte vend-takimi kryesor i rinisë së atëhershme, ndërsa për momentin shfrytëzohet vetëm nga veturat, pasi nuk ka ndriçim dhe kundërmon rëndë.

Si vend takim i ri, do të jetë ora e re digjitale.

Pasi ky tunel do të bëhet me një pamje të re, në një zonë të saj, pritet të bëhet ndërlidhja mes të kaluarës dhe të tashmes përmes një muri reflektiv ku në anën tjetër do të shfaqen imazhe të Prishtinës së vjetër.

Wc publike, shitore, bar kafe dhe tregje, do të jenë po ashtu pjesë të këtij tuneli.

Ky është projekti i punuar nga kompanitë “AET GROUP” dhe “Die Form”, në kuadër të konkursit të projektimit për renovimin infrastrukturor dhe artistik të Komunës së Prishtinës, u shfaq para banorëve të Dardanisë, të enjten e kaluar.

Sipas nënkryetares së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, është e rëndësishme që qytetarët të aprovojnë pëlqimin e projektit përpara se ajo të zbatohet.

“Janë mësuar që kompanitë të punojnë i dorëzojnë ato dhe komisioni i përzgjedh ato, pra kompania prapa mureve i punon dhe tek pastaj qytetarët ballafaqohen me atë që është punuar. Besoj edhe për ju është një eksperiencë e re, sidomos po gëzohemi që jeni të rinj dhe do të ballafaqoheni me publikun dhe të tregoni tregimin prapa pse keni ardhur deri aty”, tha Sahatçiu.

Rinovimi i tunelit është paramenduar të jetë si një ringjallje e kohërave të arta të Kurrizit, në përputhshmëri me nevojat aktuale të rinisë dhe në përgjithësi të shoqërisë.

“Përmes tri metodologjive të ndryshme, përzgjedhja e materialeve të ndryshme të cilat do t’i rezistojnë kohës dhe do ta mundësojnë një funksionalitet të Kurrizit që është më i mirë se gjendja e sotme dhe është i përshtatshëm për gjeneratat që vijnë. Kudo që ka blloqe të xhamit do të përdorim prizma të cilat janë më të mira për impakt njerëzor dhe janë më vështirë të vandalizueshme, do të kemi çelik garvanizuar dhe inox për shkëlqim maksimal për sipërfaqe reflektive, pra do të kemi material më të qëndrueshme”, u shpreh Aurela Berila nga kompania “Dieform”.

Në nënkalim është paramenduar të ketë edhe binë lëvizëse, e cila do të zbritet nga plateja e tunelit, në rastet kur organizohen koncerte.

Lëvizëse do të jenë edhe modulet e ndryshme që do përdoren për organizimin e panaireve dhe konferencave.

Në anën tjetër, për kthimin e këtij tuneli në një rrugë njëkahëshe duhet të bëhen ende analiza.

“Rruga është planifikuar të kaloj në rrugë njëkahëshe, paralelisht është menduar të vendoset do largohen erërat, pastaj Ky ndërrim i kahes së automjeteve në Kurriz do të ketë impakt edhe në rrugët tjera, nëse nuk i trajtojmë të gjitha këto nuk do të mund të kalojmë në rrugën njëkahëshe aq lehtë. Kemi menduar edhe kalimin e rrugëve tjera në rrugë njëkahëshe. Do të bëhen analiza të tjera”, shpjegoi inxhinieri Jetmir Berisha.

{gallery}

Ndërsa ndriçimi është paramenduar të jetë me led.

“Ndriçimi artistik do të vendoset, ndriçimit led i cili ndërron ngjyrat të krijoj atmosfera të ndryshme dhe të përcjellë emocione tek kalimtarët, apo nganjëherë kur do të ketë koncerte të përcjellë edhe një emocion të veçantë tek pjesëmarrësit aty. Do të kenë një bazë nga do të aktivizohet ndriçimi dhe do të kenë një skenarë të veçantë pra kur të ketë kalim të veturave dhe të qytetarëve, pra për nevoja të veçanta për ndriçime të veçanta”, shtoi ai.

Në këtë pikë pati edhe kundërshtim të banorëve të pranishëm, për cka, nënkryetarja premtoi se do të analizohet më mirë kjo pjesë.

Megjithëse në fund qytetarët jepen pëlqimin për kalimin e këtij projekti, ata patën disa propozime.

Pjesa në hyrje të tunelit nga ora ekzistuese do t’i dedikohet historisë së Kurrizit, me emrat e lokaleve të ndryshme që kanë vepruar në atë kohë.

Ndërsa, një pjesë e tunelit të Kurrizit do të ruhet në gjendjen e tanishme, për të shërbyer si referencë vizuale direkte e së kaluarës. Ky mur përmban grafitë të ndryshme që revokojnë ndjenjë nostaligjike.