Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

DnV: Vetëm tri parti politike janë përgjigjur për planifikimin financiar për fushatë

Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV) ka thënë se vetëm tri parti politike janë përgjigjur në pyetësorët mbi planifikimet financiare për fushatën zgjedhore.

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Fjala dhe KDTP janë tre subjektet politike që kanë kthyer përgjigje pozitive në pyetësorët e dërguar nga DnV, është bërë e ditur në një konferencë për media të martën.

“Gjashtë ditë para fillimit zyrtar të fushatës, subjekteve politike garuese u është dërguar me e-mail një pyetësor për të kuptuar mbi planifikimet financiare që subjektet politike kishin për fushatë. Ky aktivitet kishte për qëllim të masë transparencën e subjekteve lidhur me shpenzimet e tyre sidoqoftë, vetëm tre subjekte politike i janë përgjigjur kësaj thirrje përkatësisht VV, KDTP dhe Partia Fjala”, kanë thënë nga ky koalicion.

DnV-ja ka analizuar trendin e kësaj fushate, që sipas saj, vazhdon të mbetet i njëjtë sa i përket pjesëmarrjes së grave në aktivitete zgjedhore.

“Trendet e kësaj fushatë zgjedhore në shumë aspekte mbeten të njëjta me fushatën e mëparshme. Përfaqësimi gjinor mbetet tejet i ulët, ku gratë përbëjnë 25% të pjesëmarrësve në aktivitetet zgjedhore dhe në vetëm 27% kandidatet gra i janë adresuar elektoratit. Prezencë njëjtë e ulët e grave është shënuar dhe në media. Në 259 debatet televizive të monitoruara përgjatë periudhës 13 janar – 7 shkurt 2021, në 9 kanale televizive, nga gjithsej 402 kandidatë të subjekteve politike, vetëm 21% e tyre ishin gra”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate.