Koalicioni Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit është zhvilluar në një ambient konkurrues dhe kryesisht të qetë, por me mungesë të theksuar të debatit për politika publike konkrete dhe të financueshme.
Në konferencën e mbajtur një ditë para zgjedhjeve, DnV-ja prezantoi gjetjet nga monitorimi i procesit zgjedhor, duke përfshirë fushatën, administrimin e zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mediat tradicionale dhe aktivitetet e subjekteve politike në rrjetet sociale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas DnV-së, gara zgjedhore ka qenë e hapur dhe subjektet politike kanë pasur mundësi të zhvillojnë aktivitetet e tyre në të gjithë vendin. Megjithatë, organizata ka ngritur shqetësime për pabarazi në garë, duke theksuar se vendime dhe veprime të institucioneve publike para nisjes së fushatës kanë ndikuar në perceptimin e barazisë ndërmjet konkurrentëve politikë.
Në raport theksohet se fushata është dominuar kryesisht nga promovimi i liderëve politikë dhe mesazheve elektorale, ndërsa kandidatët individualë kanë qenë më pak të ekspozuar para votuesve.
DnV-ja e ka vlerësuar si pozitiv faktin që gjatë fushatës nuk janë regjistruar incidente të theksuara, ndërsa temat kryesore të trajtuara kanë qenë ekonomia, energjia, pagat, pensionet, skemat sociale, infrastruktura dhe teknologjia.
Megjithatë, organizata nënvizon se shumica e premtimeve elektorale janë prezantuar pa sqarime të mjaftueshme për koston financiare, burimet e financimit dhe afatet e realizimit, duke bërë që debati publik të fokusohet më shumë në slogane sesa në politika të matshme dhe të zbatueshme.
Një tjetër zhvillim pozitiv, sipas DnV-së, është përfshirja e një numri të madh kandidatësh të rinj në garë. Mbi gjysma e kandidatëve po garojnë për herë të parë për një mandat përfaqësues, ndërsa mosha mesatare e tyre është rreth 42 vjeç.
Sa i përket përfaqësimit gjinor, gratë përbëjnë rreth 34 për qind të kandidatëve për deputetë, duke tejkaluar pragun minimal ligjor. Megjithatë, DnV-ja ka evidentuar se pjesëmarrja e tyre në debatet televizive dhe hapësirën mediatike ka qenë dukshëm më e ulët krahasuar me burrat.
Organizata vlerëson gjithashtu se fushata 10-ditore është karakterizuar kryesisht nga tubime të mëdha elektorale në qendrat kryesore të Kosovës, ndërsa aktivitetet derë më derë dhe diskutimet e drejtpërdrejta me qytetarët kanë qenë më të pakta, duke kufizuar dialogun e thelluar mes kandidatëve dhe votuesve.