Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetët çojnë vendin sërish në zgjedhje

Karrigia e planifikuar për presidentin e ri mbetet para sallës së Kuvendit

Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit edhe një herë, për të pestën herë në 16 muajt e fundit, nëse llogariten edhe dy rundet e lokaleve.

Të martën, në ditën e fundit të afatit kushtetues, partitë e përfaqësuara në Kuvend, kanë dështuar të zgjedhin presidentin, e për pasojë, vendi sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, do të shkojë në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Gjatë së martës janë bërë katër përpjekje për të zgjedhur presidentin. Përpjekja e parë u bë në orën 10:00, që ishte vazhdimësi e seancës së një dite më parë, më pas seanca ka vazhduar në orën 14:30, pastaj në 19:30 dhe në fund në orën 23:00.

Por në asnjë rast nuk pati kuorum për të proceduar me votimin për zgjedhje.

Deputetët e koalicionit qeverisës në krye me Lëvizjen Vetëvendosje ishin në sallë, por jo edhe ata të opozitës.

Në fakt, deputetët e opozitës para secilës përpjekje kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në votim pa një marrëveshje paraprake.

Kandidate për presidente ishin Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje pas tërheqjes të hënën mbrëma të Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut.
Ndryshe prej së hënës mbrëma, kur ka nisur seanca për zgjedhjen e pasardhësit të Vjosa Osmanit, e kur pati votim, në katër përpjekjet e së martës nuk është votuar fare.

Edhe në seancën e fundit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të kthehen në sallë dhe të marrin pjesë në votim.

“Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë, t’i lënë anash barrikadimet. Kjo është arsyeja pse në vazhdimësi kam bërë thirrje që deputetët e opozitës të vijnë këtu. Janë minutat e fundit të kësaj legjislature. Kjo rrugë e nisur mbarë nuk meritonte të ndërpritej”, ka thënë Haxhiu. 

E gjatë kohës sa deputetët e koalicionit qeveritar po prisnin, fjalën e ka marrë ministri në Qeverinë Kurti, Hekuran Murati.

Ai ka ftuar qytetarët që në zgjedhjet e reja të mos i votojnë partitë opozitare, pasi sipas tij, po e bojkotojnë Kuvendin dhe po e sabotojnë Republikën.

“Kur këta anëtarë të opozitës nesër të shkojnë e të kërkojnë vota, qytetarët duhet të pyesin veten ‘pse t’i votojmë’. Ata janë të deleguar të popullit, por ata në këtë rast nuk po e përfaqësojnë popullin”, ka thënë Murati.

Ai po ashtu ka numëruar edhe humbjet që do të ketë vendi nga shkuarja në zgjedhje. 

“Pos 10 milionëve që do të kushtojë organizimi i zgjedhjeve, do të humbin edhe dhjetëra miliona të tjerë. Kosova është paraparë të përfitojë 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, por për këtë duhet miratuar reformat një pas një. E pa Kuvend nuk do të jetë e mundur kjo”, ka thënë ai.

Pas tij, deputetëve në sallë u është drejtuar edhe Kurti. Ai ka thënë se në zgjedhjet e reja që po e presin vendin, VV-ja vetëm sa do të rritet si parti.

“Ata janë të vetëdijshëm që zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet por dëshirojnë që këtë të mos e kemi as ne. Veçse për këtë nuk vendosin ata, por populli i Kosovës i cili gjithmonë e më shumë na ka mbështetur neve në përputhje me realizimin e zotimeve tona dhe përmirësimin e situatës së tij edhe në aspektin socio-ekonomik edhe në atë të sigurisë. Pas një qeverisjeje 5-vjeçare është rritur mbështetja për ne. Çdo herë kështu do të jetë. Ne do të jemi afër popullit t’i shërbejmë me aq sa dimë e mundemi dhe mbështetja për ne vetëm sa do të rritet", ka thënë Kurti.

E pas seancës Kurti ka mbajtur konferencë me kandidaten e propozuar Feride Rushiti.

"Unë e bëra këtë lëvizje vetëm e vetëm që vendi të dalë nga ngërçi politik... Udhëtimi im vazhdon me organizatën joqeveritare që unë e përfaqësoj", tha Rushiti. 

Përplasjet VV-LDK

Në fakt, Kurti ka mbajtur dy konferenca gjatë së martës, ku ka shpjeguar ecurinë e procesit, sipas tij.
Në konferencën e dytë, ai ka ftuar LDK-në që të paraqesë 15 nënshkrimet e saj, e të tjerat do t’i plotësojë Vetëvendosje. Ka premtuar edhe tërheqjen e njërës prej kandidateve nga gara për t’i bërë vend asaj të LDK-së, që është përmendur të jetë Vjosa Osmani.

“Kam biseduar me të (Hatixhe Hoxhën v.j.). Ajo është dakorduar të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK-ja i sjell 15 nënshkrime për kandidaten e saj kushdo që është. LVV-ja i jep edhe 15 nënshkrime dhe në këtë mënyrë do ta kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një kandidat nga LDK-ja dhe sonte le ta zgjedhim presidenten/in e Kosovës. Këtu jam, në zyrën e LVV-së këtu te Kuvendi, këtu mund të më gjejë LDK-ja dhe të m’i sjellë 15 nënshkrimet. Edhe nëse i kanë vetëm 13 a 14 nënshkrime, ne i plotësojmë, nuk e këqyrim për pak. S’kemi asnjë problem me cilindo kandidat që e sjell LDK-ja”, ka thënë Kurti.  

Por pas secilës konferencë të Kurtit gjatë së martës, të tilla kanë mbajtur edhe ato opozitare, sidomos LDK-ja, ku në një rast u paraqit kryetari i saj Lumir Abdixhiku e në një shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu.

Abdixhiku, propozimin e Kurtit për tërheqje të njërës kandidate e quajti lojë sa për të siguruar kuorum për votim.

Ai ka thënë se LDK-ja i ka ofruar 15 nënshkrimet dhe propozimin për kandidat, por se sipas tij kryeministri Albin Kurti s’ka qenë i interesuar. 

“Nënshkrimet nuk dorëzohen te LVV-ja sepse LVV nuk është subjekt ku duhet t’i dorëzosh, as Nagavci nuk është autoritet. Këto janë çështje të marrëveshjeve politike, siç jemi ulur gjithmonë të bisedojmë kemi mundur të flasim për një emër. Çka po kuptoj është e qartë që Kurti do një kundërkandidat për njërën prej kandidatëve të vet, do kuorum që të zgjedhë presidentin karate. Ne i kemi 15 nënshkrime për kandidatin e LDK. Është propozuar kandidati, duhet të merresh vesh me palën tjetër se cili është kandidat. Ai duhet të na tregoj a i ka pasur votat për Vjosa Osmanin. Sa e kuptova, ai tha kam vota për ta bërë kundërkandidate Vjosën të Ferides. Këto rrethana ai kërkon kundërkandidat. Jemi në orët e fundit. Po shkojmë në situatë të zgjedhjeve të reja”, ka thënë ai. 

Abdixhiku ka shtuar se Kurti nuk e deshi rikandidimin e Vjosa Osmanit, teksa ka thënë se populli do ta zgjedhë atë pavarësisht atij, duke iu referuar zgjedhjeve të parakohshme.  

“Ndiej keqardhje që Kurti nuk ka arritur as minimalisht të shprehë gatishmëri për një konsensus për një emër që e konsideroj dhe e vlerësoj shumë, ai siç duket nuk e vlerëson. Çka nuk kuptoj, pse po i pengon kaq shumë Vjosa Osmani Kurtit? Ndoshta Kurti nuk do ta zgjedhë, por jam i bindur se populli do ta zgjedhë”, ka thënë Abdixhiku. 

E shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se Kurti po e shkakton një krizë dhe se po e dërgon vendin në zgjedhje, teksa ka listuar tri, siç i ka quajtur ajo, “të vërteta” për Kurtin. 

“Albini Kurti nuk po e do Vjosa Osmanin presidente. Albini Kurti nuk po do kompromis me LDK-në. Albini Kurti deshi me e përmbysë rendin kushtetues. Kaq e thjeshtë është. Kjo në fakt nuk është krizë politike. Është krizë e një njeriu që s’pranon rend e ligj! Ky njeri, fatkeqësisht po na dërgon sërish në zgjedhje”, ka thënë Lushaku.

Gjatë konferencës së saj, u shkaktua edhe një “incident”.

Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri, ndërhyri duke i thënë: “më ka çu Kurti me i marrë nënshkrimet”, duke iu referuar tezës së VV-së, se LDK-ja nuk i ka ofruar nënshkrimet në mënyrë zyrtare, aty ku duhet, por ato i ka prezantuar në media.

Për këtë ka folur edhe Kurti në konferencën e parë të së martës. Sipas tij, lista me nënshkrime kishte datën e dy ditëve më parë dhe në të nuk ishte specifikuar emri i kandidatit për president.
Ai ka folur edhe për përpjekjet që sipas tij, ka bërë ai me partitë opozitare për të arritur konsensus.

“U përpoqëm për një kandidat konsensual, por ishte e pamundur. I ftova disa herë në takim, kryetarin e LDK-së, Abdixhiku, kryetarin e  PDK-së, Hamza. Ndonëse nuk ofruan asnjë propozim, në vazhdimësi jam unë ai që kam ofruar propozime edhe me emra konkretë, patjetër me funksione për ta, por morëm veçse refuzime. Ne propozime, ata refuzime. Të shtunën, e bëmë edhe një hap tutje, kërkuam nga subjektet politike, PDK dhe LDK, që së bashku të sillnin 3 emra ku përveç nënshkrimeve, njërin edhe do ta votonim. Ju e dini që as PDK, e as LDK nuk kanë deputetë për të propozuar kandidatë të tyre. LDK-ja mund të propozojë një gjysmë kandidati, sepse i ka 15 deputetë, e nevojiten 30. Ndërkaq, PDK-ja mund të propozojë 2/3 e një kandidati, meqenëse i ka 22 deputetë e nevojiten 30. Por, ato të dyja bashkë mund ta propozojnë një kandidat, e ne u thamë ja po bëhemi edhe ne bashkë me ju e le t’i propozojmë tre kandidatë, që të gjitha propozimet tuaja, ju propozoni emra, ne ua japim mbështetjen në seancë plenare. Asnjë propozim. E shtymë afatin për t’u dhënë kohë shtesë. Kot, sepse refuzim sërish”, ka thënë Kurti.

Qëndrimet e PDK-së dhe AAK-së

Gjatë ditës së martë kanë reaguar edhe dy partitë e tjera opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja. 
Partia Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ka njoftuar se ka mbledhur edhe kryetarët e degëve të saj. 

“PDK-ja rithekson se do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që bie ndesh me Kushtetutën dhe rendin juridik, duke u angazhuar në të gjitha format demokratike dhe institucionale për mbrojtjen e tyre. Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, ka thënë Hamza para përpjekjes së fundit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin.

Ka reaguar edhe deputetja e kësaj partie Vlora Çitaku, duke thënë se Kurti nuk po e kupton që në zgjedhjet e fundit ka fituar veç 51 për qind të votave, e jo 100 për qind.

“Albin, Nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Po 51% nuk janë 100%. Kush është shtetar, institucionalist dhe respekton Kushtetutën, nuk dëshmohet vetëm nga e kaluara e largët, por mbi të gjitha nga veprimet e sotme. Si opozitë, pa asnjë kusht, kemi votuar zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe dje, madje edhe me procedurë të përshpejtuar. Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK-ja nuk nënshtrohet”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.
Gjatë së martës, kjo parti dhe AAK-ja i kanë bërë ftesë kandidates Feride Rushiti që të tërhiqet nga gara, gjë që nuk ka ndodhur.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ajo ka pranuar të bëhet pjesë e lojës së Kurtit.

“Seanca e dytë as nuk duhet të mbahet dhe as të nisë sepse kjo seancë përfaqëson një vazhdim të sulmit ndaj institucionit më të lartë të Kosovës. Nuk do lejojmë të rrezikohet dhe dëmtohet më tej rendi kushtetues... Kurti foli për tre emra por ai as nuk u konsultua me partitë që i thirri po në mënyra arbitrare i solli në Kuvend dy emra therë. Kjo qasje vetëm unifikuese nuk është... Propozimi ynë është që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura sepse po bëhet pjesë e një procesi të montuar politik”, ka thënë Tahiri. 

Në legjislaturën që sapo është shpërndarë, VV-ja kishte 57 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 15 dhe AAK-ja 6.

20 ulëset e tjera ishin të komuniteteve.

Sipas aktgjykimit të fundit të Kushtetueses, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen 45 ditë pas dështimit për të zgjedhur presidentin e ri.

 

 

 

Abdixhiku: Vjosën nuk e shohim si kuorum, por si presidente

5 muaj më parë / 29 pri 2026 00:50
Lumir Abdixhiku , Vjosa Osmani

Foto-ilustrim: KOHA

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas shpërndarjes së legjislaturës së 10-të, në një konferencë për media tha se vendi shkoi në zgjedhje sepse Lëvizja Vetëvendosje kandidaten e LDK-së, Vjosa Osmanin e pa vetëm si kuorum dhe jo si presidente.

Abdixhiku tha se Osmanin, LDK-ja e sheh si një presidente të denjë.

“Na janë kërkuar nënshkrimet janë ofruar ato nënshkrime por në thelb të problemit është parë që ky emër pra i Vjosa Osmanit është synuar më shumë si një korum për një president që ata e quanin karate. Ne Vjosën nuk e shohim si kuorum për presidenten e tyre që tahsmë i kishte votat e tyre, e shohim më shumë se kaq. E shohim si presidente të denjë të Republikë ssë Kosovës por këto vota nuk u dhanë nga Lëvizja Vetëvendosje. Vjosën nuk e deshën, nuk e votuan, besoj se populli i Kosovës do të ketë mendim ndryshe për këtë çështje”, ka deklaruar Abdixhiku.

Tahiri: Sot shpëtoi demokracia në Kosovë

5 muaj më parë / 29 pri 2026 00:43
Besnik Tahiri

Besnik Tahiri i Aleancës për Ardhmëri të Kosovës ka thënë se sonte ka përfunduar “episodi i fundit i një filmi triller, me të cilin qytetari i Kosovës u mbajt në ethe”. 

Ai tha se kryeministri Albin Kurti edhe në seancën e fundit e keqpërdori foltoren e Kuvendit duke goditur opozitën. 

“Por, nuk foli për përgjegjësinë që populli i Kosovës ia dha partisë së parë me votë. 66 deputetë, 51 për qind, nuk i mjaftuan për të arritur një marrëveshje, një dakordim për një president unifikues. Është për keqardhje. Ajo që dua të them e adresoj sot, është se sot shpëtoi demokracia në Kosovë, që është fituar me mund, sakrificë dhe gjak. Sot fitoi Kosovën. Nuk iu nënshtruam diktatit”, tha Tahiri. 
 

Abdixhiku: Koha për bashkim të njerëzve që e duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë

5 muaj më parë / 29 pri 2026 00:35
Lumir Abdixhiku

Foto: Arkiv

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se vendi po shkon në zgjedhje për shkak të mungesës së kompromisit nga ana e pushtetit, duke theksuar se, sipas tij, është kërkuar nënshtrim dhe jo bashkëpunim politik.

Ai ka bërë të ditur se LDK-ja ka marrë pjesë në përpjekjet për konsensus, duke u përgjigjur pozitivisht ndaj ftesave për takime dhe duke ofruar propozime konkrete, përfshirë edhe emra për postin e presidentit. Megjithatë, sipas Abdixhikut, këto propozime janë injoruar dhe procesi ka përfunduar pa marrëveshje.

“Kërkuan konsensus. Ua dhamë. U takuam. Kërkuan emra. Thamë Vjosën. E injoruan. Kërkuan nënshkrime. Ua dhamë, 15 sosh, sa i kishim. Në fund, kërkuan gjënë e vetme që dinin, nënshtrimin. Këtë s’mund ta kishin. Vjosën, Presidenten e deritashme, e panë vetëm si kuorum, si numër plotësues për Presidenten e tyre “karate”. Ne e pamë ndryshe. E pamë siç duhet të ishte edhe me votat e tyre, një Presidente përfaqësuese dinjitoze e Republikës”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Abdixhiku ka theksuar se dallimi mes LDK-së dhe pushtetit qëndron në qasjen ndaj institucioneve dhe përfaqësimit, duke përmendur se partia e tij e sheh figurën e presidentit si përfaqësuese dinjitoze të Republikës, ndërsa pala tjetër, sipas tij, ka pasur qasje të ndryshme.

Në reagimin e tij, ai ka nënvizuar se vendimmarrja përfundimtare i takon qytetarëve përmes zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se ky dallim do të reflektohet në votë.

Në fund, Abdixhiku ka bërë thirrje për bashkim të qytetarëve që, sipas tij, duan një Kosovë normale, pa tensione dhe pa propagandë.

“Dhe këtë dallim do ta vulosë populli i Kosovës. Do ta zgjedhë vet. Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë, me dinjitet brenda Lidhjes Demokratike. Do ta kemi!”, ka shkruar tutje ai.

Rushiti: Pranova kandidimin vetëm që vendi të dalë nga ngërçi politik

5 muaj më parë / 29 pri 2026 00:29 Nga: Ardit Kika
Feride Rushiti - Albin Kurti

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Feride Rushiti, ka thënë se ajo pranoi të kandidohej për presidente vetëm për qëllimin e stabilizimit të institucioneve dhe ecjen e Kosovës përpara. 

Rushiti u paraqit në konferencë për media së bashku me kryeministrin Albin Kurti. 

“Dua të bëjë të qartë se ky kandidim nuk ka qenë ambicie e as aspiratë për pushtet, ishte vetëm përpjekje e sinqertë, një kontribut për vendim tim, si një person jopartiak, që t’i jap mundësi të largohet ngërçi politik të cilin po e kalon vendi”, tha Rushiti. 

E pyetur se a është ndjerë pjesë e kalkulimeve politike, Rushiti e mohoi një gjë të tillë. Ajo deklaroi se këtë propozim e pranoi pas kërkesave nga partnerët ndërkombëtarë dhe me bindjen se do ta zgjidhë ngërçin politik.

Ajo potencoi se angazhimin e vazhdon në organizatën të cilën e udhëheqë.

“Asnjëherë nuk e kam ndjerë veten pjesë të kalkulimeve politike. Pasi e kam parë që janë konsumuar të gjitha mundësitë, pas shumë kërkesave që i kam marrë edhe nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë dhe nga kauza e të mbijetuarve të cilët i përfaqësoj jam ulur dhe e kam konsideruar veten figurë unifikuese dhe me bindjen se vota e tyre (opozitës) nuk do të mungoj në Kuvend. Angazhimi im tutje do të vazhdojë në organizatën time joqeveritare të cilën e përfaqësoj”, ka deklaruar Rushiti.

Ajo tha se ka qenë në kontakt me Ambasadën e SHBA-së, dhe ka marrë përgëzime për guximin. 

Bajrami: LVV-ja me duartrokitje e dërgoi vendin përsëri në zgjedhje

5 muaj më parë / 29 pri 2026 00:15
Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, pasi u shpërnda legjislatura e 10-të e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, me duartrokitje e dërgoi vendin sërish në zgjedhje.

Në përfundim të seancës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, pasi përfundoi fjalimin, kryeministri Albin Kurti u duartrokit nga deputetët e LVV-së të cilët gjendeshin në sallë.

“LVV me duartroktije e dërgoj vendin përsëri në zgjedhje, sepse Albin Kurti nuk don me qeverisë, ai don me sundu. Ai për të dytën herë e kthej prapa besimin e popullit”, shkroi Bajrami në postimin e saj në Facebook.

Kurti: Kosova për të pasur presidente të re duhet të ketë opozitë të re

5 muaj më parë / 28 pri 2026 23:59
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se partitë opozitare në Kosovë janë në rënie të lirë dhe me çdo proces zgjedhor vetëm sa po bien më tepër. 

Ai ka thënë se Kosovës i duhet një opozitë e re për të pasur presidente të re. 

“Opozita është e vjetër. Kjo opozitë mundet me sjellë ndonjë fytyrë të re, por zanatin e karakterin e ka të vjetër. Prandaj janë në rënie të lirë. Po bien vazhdimisht nëpër cikle elektorale. Sa më shumë po mbahen zgjedhje aq më poshtë po shkojnë. Asnjë mësim s’po nxjerrin. Do të ishin qesharakë sikur të mos ishin të gjorë”, ka thënë Kurti. 

Ai tha se opozita po thotë “ose populli le të na heqë nga Kuvendi ose duhet të na dojë me zor”. 

“Veç këto dy mundësi janë. Ata janë thellësisht të pakënaqur me numri ne deputetëve që kanë. Praktikisht LDK-ja po thotë që i kemi 15 deputetë por nuk më duhen asgjë. PDK-ja po thotë që i kam 22 deputetë por nuk po më duhen asgjë, sepse ju e dini 22 + 15 bëjnë 37 e në 57 e ne 66. Këtë s’po munden ta kapërdijnë mendërisht dhe çka po u thonë qytetarëve, po shkojmë në zgjedhje”, tha Kurti. 


 

PDK: U mbrojt rendi kushtetues, zgjedhjet të caktohen sipas afateve kushtetuese

5 muaj më parë / 28 pri 2026 23:54
Bedri Hamza

Bedri Hamza

Photo: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është mbrojtur rendi kushtetues dhe është shmangur, sipas saj, një shkelje e rëndë e Kushtetutës.

Sipas PDK-së, përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese kanë dështuar, ndërsa institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues janë ruajtur. Kjo parti e konsideron se përgjegjësia kryesore për krizën politike bie mbi pushtetin aktual, të cilin e akuzon për krijimin e krizave të njëpasnjëshme politike, keqqeverisje dhe probleme ekonomike.

PDK-ja vlerëson se, në përputhje me Kushtetutën, vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor. Në këtë drejtim, ajo i ka bërë thirrje ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke siguruar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.

Po ashtu, kjo parti u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të përgatiten për zgjedhje dhe përmes votës së tyre të refuzojnë, siç thuhet, përçarjen dhe bllokadat institucionale.

Në reagimin e saj, PDK-ja thekson se vendi ka nevojë për një drejtim të ri, stabilitet politik dhe institucione funksionale, duke kërkuar një qeverisje që respekton Kushtetutën. Sipas saj, pas zhvillimeve të fundit, vendimmarrja kalon tek qytetarët përmes procesit zgjedhor.

Murati: Shkuarja e sërishme në zgjedhje ka kosto shumë të madhe

5 muaj më parë / 28 pri 2026 23:52
Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme, pos që ka kosto së paku 10 mln euro, do të shkaktojë edhe humbje të fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. 

“Për shkak të bojkotit, vendi po detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje. Do të ketë kosto shtesë së paku 10 milionë euro për zgjedhje të reja, e do të ketë kosto shumë më të madhe shtesë, si pasojë e mosfunksionimit të Kuvendit e mosmiratimit të reformave të parapara me Planin e Rritjes...Miratimi i planit të rritjes nga Kuvendi ishte vetëm hapi i parë. Por, ato fonde prej 882 milionë euro janë të gjitha të lidhura me reforma të caktuara, e të cilat nëse nuk miratohen, një pjesë e tyre kanë afat skadence deri në qershor”, tha Murati në seancën në Kuvend. 

Ai ka thënë se nëse nuk ka Kuvend në maj e qershor do të humben dhjetëra miliona nga Plani i Rritjes. 

“Kush e paguan këtë, e paguajnë qytetarët”, tha Murati. 

Kosova pritet të humbë 68.8 milionë euro nga Plani i Rritjes nëse deri në fund të qershorit nuk i përmbush hapat në reforma. 

Murati ka akuzuar deputetët e opozitës, duke thënë se dy ditë më parë në seancë penguan rishikimin e buxhetit.  
 

Kurti: Mbështetja për ne vetëm sa do të rritet

5 muaj më parë / 28 pri 2026 23:49
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e orës 23:00 në përpjekje për të zgjedhur presidentin apo presidenten e re, ka thënë se opozita është ajo e cila nuk po e respekton vullnetin e qytetarëve dhe vendin po çojnë në zgjedhje të reja.

Kurti ka thënë se opozita e di se zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Ai u shpreh optimist se mbështetja e qytetarëve për Lëvizjen Vetëvendosje vetëm sa do të rritet.

“Ata janë të vetëdijshëm që zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet por dëshirojnë që këtë të mos e kemi as ne. Veçse për këtë nuk vendosin ata por populli i Kosovës i cili gjithmonë e më shumë na ka mbështetur neve në përputhje me realizimin e zotimeve tona dhe përmirësimin e situatës së tij edhe në aspektin socio-ekonomik edhe në atë të sigurisë. Pas një qeverisje 5-vjeçare është rritur mbështetja për neve. Çdo herë kështu do të jetë. Ne do të jemi afër popullit t’i shërbejmë me aq sa dijmë e mundemi dhe mbështetja për ne vetëm sa do të rritet", ka thënë Kurti.

Opozita nuk mori pjesë as në këtë seancë.

Gjendet një mjet i dyshuar si tymuese afër Kuvendit, Policia vendos shirita

5 muaj më parë / 28 pri 2026 23:43
bombol gazi

FOTO: KOHA

Një mjet i dyshuar si tymuese është gjetur afër objektit ku është edhe Kuvendi i Kosovës, e ku po mbahej seanca për zgjedhjen e presidentit. 

Sipas pamjeve të siguruara nga KOHA, Policia ka vendosur shirita në vendin ku është gjetur mjeti. 

KOHA ka kontaktuar me Policinë për të mësuar më shumë. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.

Haxhiu: Kjo rrugë e nisur mbarë nuk meritonte të ndërpritej

5 muaj më parë / 28 pri 2026 23:19
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në nisjen e seancës së orës 23:00 për zgjedhjen e presidentit ka thënë se edhe në minutat e fundit po presin nëse deputetët e opozitës do të hyjnë në sallë.

“Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë, t’i lënë anash barrikadimet. Kjo është arsyeja pse në vazhdimësi kam bërë thirrje që deputetët e opozitës të vijnë këtu. Janë minutat e fundit të kësaj legjislature. Kjo rrugë e nisur mbarë nuk meritonte të ndërpritej”, ka thënë Haxhiu.

Kanë mbetur edhe pak minuta para se vendi të shkojë sërish në zgjedhje.

Tahiri: Në këtë situatë jemi si rezultat i dramave të prodhuara nga Kurti

5 muaj më parë / 28 pri 2026 21:22
arian tahiri

Arian Tahiri i Partisë Demokratike të Kosovës në konferencë për media ka thënë se kryeministri Albin Kurti është “njeri që prodhon vetëm drama”. 

“Rezultat i dramave të tij jemi këtu sonte, jemi pa president. Edhe jemi të cenuar me pas tendencë me u thyer rendi kushtetues”, ka thënë Tahiri. 

Ai ka thënë se PDK-së i ishte thënë nga Kurti të propozonte një kandidat dhe Lëvizja Vetëvendosje do ta propozonte një tjetër, e të shkohej në garë. 

“Por i dimë numrat e deputetëve në Kuvend, 66 i kanë ata e ne 22. Epilogu dihet paraprakisht. Ishte tërësisht joserioze. I kemi thënë përgjigjemi pozitivisht kur e formalizojmë marrëveshjen”, tha Tahiri. “...Pasi s’u formalizua marrëveshja, që ne të propozojmë kandidatin e kundërkandidatin, i kemi uruar suksese në zgjedhjen e presidentit me partitë tjera”. 
 

Berisha: Po të bëhet opozita bashkë, atëherë do të zgjidheshin krejt problemet

5 muaj më parë / 28 pri 2026 21:02
Bekë Berisha

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në konferencë për media ka thënë se partia e tij s’do të bëhet pjesë e “një shkatërrimi të rendit kushtetues, spektakli politik e publik që po zgjat tash e 4 muaj”. 

“S’bëhemi pjesë e një proces që veç emrin demokraci e zgjedhje presidentit nuk e ka. Emrin e ka manipulim politik i opinionit publik. Nuk duam të jemi pjesë e krejt e këtij komploti që po i bëhet shtetit në asnjë rrethanë e asnjë moment”, tha Tahiri. 

E Bekë Berisha ka thënë se AAK-ja po të kishte rol më tepër do ta zgjidhte çështjen për 15 minuta.
Berisha ka thënë se po të bashkohej opozita “atëherë do të zgjidheshin krejt problemet”. Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti është vetëm duke përçarë. 

“Nëse e ndërpresim këtë përçarje të këtij njeriu, atëherë do të ecë përpara Kosova, do të zhvillohet e do të arrijmë të gjitha aspiratat”, tha Berisha.  

Berisha tha se kjo parti e ka pasur kandidatin e saj për president, që ka qenë kryetarit i Aleancës, Ramush Haradinaj, mirëpo që i njëjti, sipas tij, nuk është përkrahur as nga LVV-ja dhe as nga PDK e LDK.

“Ne qysh në fillim i kemi ofruar një kandidat, mirëpo nuk kemi pasur mbështetje as prej këtyre që janë në qeveri dhe as prej këtyre që janë në opozitë. Kemi pasur një kandidaturë serioze për me zgjidh këtë problem”, tha ai.
 

Lushaku: Oferta e Kurtit ishte për t’ia mundësuar kandidates së VV-së të zgjidhet presidente

5 muaj më parë / 28 pri 2026 20:45
Jehona Lushaku-Sadriu

Photo: Driton Paçarada

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se oferta e fundit e kryeministrit Albin Kurtit do t’ia mundësonte kandidates së VV-së, Feride Rushiti, të zgjidhet presidente.

Minuta më herët, Kurti deklaroi se është i gatshëm t’i japë edhe 15 nënshkrime LDK-së nëse propozon çfarëdo kandidati dhe të ketë një garë mes Feride Rushitit dhe një kandidat të LDK-së.

Por Lushaku-Sadriu ka thënë se atë që nuk ia ka dhënë populli Kurtit, nuk mund të ia japin ata.

“Ftesa ishte për ta bërë një kandidate të dytë dhe për t’ia mundësuar kandidates së VV-së me u zgjedh presidente. Çka jemi t’u bo na? Me ja dhanë votat një kryeministri për me e kap krejt shtetin, nuk ia ka dhënë populli. Nuk mundemi ne me ia dhanë”, ka thënë ajo.

Lushaku: Oferta e Kurtit ishte për t’ia mundësuar kandidates së VV-së të zgjidhet presidente

Çitaku: Kurti kërkon kundërkandidat sa për t’ia siguruar kuorumin

5 muaj më parë / 28 pri 2026 20:37
Vlora Çitaku

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas konferencës për media të kryeministrit Albin Kurti ku kërkoi nga Lidhja Demokratike e Kosovës t’i sjellë 15 nënshkrimet për kandidatin e tyre për president.

Çitaku ne reagimin e saj ka thënë se Kurti që nga fillimi ka kërkuar kundërkandidat vetëm sa për t’ia siguruar kuorumin për të përzgjedhurin e tij për pozitën e presidentit.

“Pra, atë që e kemi thënë nga fillimi, doli e vërtetë: Kurti nuk ka kërkuar asnjëherë kandidatë për President nga opozita. Ai ka kërkuar kundërkandidat për të përzgjedhurin/përzgjedhurën e tij, vetëm sa për ta siguruar kuorumin. Kaq e thjeshtë. E tha vetë”, ka thënë Çitaku në reagimin e saj.

Kurti: I ofrojmë LDK-së edhe 15 nënshkrime për kandidatin e tyre, Hoxha u dakordua të tërhiqet

5 muaj më parë / 28 pri 2026 20:18
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë të gatshëm t’i ofrojnë LDK-së edhe 15 nënshkrime për cilindo kandidat që ata ofrojnë. Kurti ka thënë se ka folur edhe me Hatixhe Hoxhën, e cila është shprehur e gatshme ta tërheqë kandidaturën në rast se LDK-ja propozon kandidat.

Sipas Kurtit, do të kishim një përballje mes një kandidate të shoqërisë civile (Feride Rushiti) dhe një kandidat/e të LDK-së.

“Kam biseduar me të (Hatixhe Hoxhën v.j.). Ajo është dakorduar të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK-ja i sjell 15 nënshkrime për kandidaten e saj kushdo që është. LVV-ja i jep edhe 15 nënshkrime dhe në këtë mënyrë do ta kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një kandidat nga LDK-ja dhe sonte le ta zgjedhim presidenten/in e Kosovës. Këtu jam, në zyrën e LVV-së këtu te Kuvendi, këtu mund të më gjejë LDK-ja dhe të m’i sjellë 15 nënshkrimet. Edhe nëse i kanë vetëm 13 a 14 nënshkrime, ne i plotësojmë, nuk e këqyrim për pak. S’kemi asnjë problem me cilindo kandidat që e sjell LDK-ja”, ka thënë Kurti.  

Shtyhet për 23:00 seanca për presidentin

5 muaj më parë / 28 pri 2026 19:44
Kuvendi

Photo: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka shtyrë edhe një herë seancën për presidentin.

Seanca është shtyrë për në orën 23:00, në përpjekjen e fundit për t’i dhënë vendit president ose shkuarje në zgjedhje të reja.

Rinis seanca për zgjedhjen e presidentit, Haxhiu i bën thirrje opozitës të vijë në sallë

5 muaj më parë / 28 pri 2026 19:43
Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Ka rinisur seanca për zgjedhjen e presidentit, derisa në fjalimin hyrës kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, edhe një herë i ka bërë thirrje deputetëve të opozitës të vijnë në sallë.

Haxhiu ka këmbëngulur se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm në seanca plenare.

Abdixhiku: Kurti do kuorum për ta zgjedhur presidentin karate - Osmanin do ta zgjedhë populli

5 muaj më parë / 28 pri 2026 19:34
Lumir Abdixhiku

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ripërsëritur qëndrimin se deputetët e partisë së tij nuk do të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, teksa ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e thotë qartë se deputeti e përcakton vetë nëse merr apo jo pjesë në seancë. 

Ai ka thënë se LDK-ja i ka ofruar 15 nënshkrimet dhe propozimin për kandidat, por se sipas tij kryeministri Albin Kurti s’ka qenë i interesuar. 

“Nënshkrimet nuk dorëzohen te LVV-ja sepse LVV nuk është subjekt ku duhet t’i dorëzosh, as Nagavci nuk është autoritet. Këto janë çështje të marrëveshjeve politike, siç jemi ulur gjithmonë të bisedojmë kemi mundur të flasim për një emër. Çka po kuptoj është e qartë që Kurti do një kundërkandidat për njërën prej kandidatëve të vet, do kuorum që të zgjedhë presidentin karate. Ne i kemi 15 nënshkrime për kandidatin e LDK. Është propozuar kandidati, duhet të merresh vesh me palën tjetër se cili është kandidat. Ai duhet të na tregoj a i ka pasur votat për Vjosa Osmanin. Sa e kuptova ai tha kam vota për ta bërë kundërkandidate Vjosën të Ferides. Këto rrethana ai kërkon kundërkandidat. Jemi në orët e fundit. Po shkojmë në situatë të zgjedhjeve të reja”, ka thënë ai. 

Abdixhiku ka shtuar se Kurti nuk do rikandidimin e Vjosa Osmanit, teksa ka thënë se populli do ta zgjedhë pavarësisht atij. 

“Ndjej keqardhje që Kurti nuk ka arritur as minimalisht të shpreh gatishmëri për një konsensus për një emër që e konsideroj dhe e vlerësoj shumë, ai siç duket nuk e vlerëson. Çka nuk kuptoj, pse po i pengon kaq shumë Vjosa Osmani Kurtit? Ndoshta Kurti nuk don ta zgjedhë, por jam i bindur se populli do ta zgjedhë”. 

Ai ka kritikuar tutje Vetëvendosjen pasi sipas Abdixhikut synimi i saj janë zgjedhjet. 

“Konsiderojmë se është kosto shumë e madhe me fatin e Republikës të luhet kaq shumë për një datë të zgjedhjeve. Shteti nuk është hajgare dhe një parti do duhej të sillej me kujdes të jashtëzakonshëm ndaj normave kushtetuese por këta janë të njohur për t’i shkelur ato”.

 

Bajqinovci: Presidenti do të zgjidhet

5 muaj më parë / 28 pri 2026 19:31
Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, është shprehur optimist se presidenti do të zgjidhet sonte.

Para hyrjes në seancë, Bajqinovci ka thënë shkurt se “presidenti do të zgjidhet”, por nuk ka specifikuar detaje të tjera.

Kuvendi ka kohë deri në orën 00:00 për të zgjedhur presidentin. Ndryshe, shkohet në zgjedhje.