Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Deputetët çojnë vendin sërish në zgjedhje

Karrigia e planifikuar për presidentin e ri mbetet para sallës së Kuvendit

Ilustrim

Foto: Driton Paçarada

Qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit edhe një herë, për të pestën herë në 16 muajt e fundit, nëse llogariten edhe dy rundet e lokaleve.

Të martën, në ditën e fundit të afatit kushtetues, partitë e përfaqësuara në Kuvend, kanë dështuar të zgjedhin presidentin, e për pasojë, vendi sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, do të shkojë në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Gjatë së martës janë bërë katër përpjekje për të zgjedhur presidentin. Përpjekja e parë u bë në orën 10:00, që ishte vazhdimësi e seancës së një dite më parë, më pas seanca ka vazhduar në orën 14:30, pastaj në 19:30 dhe në fund në orën 23:00.

Por në asnjë rast nuk pati kuorum për të proceduar me votimin për zgjedhje.

Deputetët e koalicionit qeverisës në krye me Lëvizjen Vetëvendosje ishin në sallë, por jo edhe ata të opozitës.

Në fakt, deputetët e opozitës para secilës përpjekje kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në votim pa një marrëveshje paraprake.

Kandidate për presidente ishin Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje pas tërheqjes të hënën mbrëma të Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut.
Ndryshe prej së hënës mbrëma, kur ka nisur seanca për zgjedhjen e pasardhësit të Vjosa Osmanit, e kur pati votim, në katër përpjekjet e së martës nuk është votuar fare.

Edhe në seancën e fundit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të kthehen në sallë dhe të marrin pjesë në votim.

“Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë, t’i lënë anash barrikadimet. Kjo është arsyeja pse në vazhdimësi kam bërë thirrje që deputetët e opozitës të vijnë këtu. Janë minutat e fundit të kësaj legjislature. Kjo rrugë e nisur mbarë nuk meritonte të ndërpritej”, ka thënë Haxhiu. 

E gjatë kohës sa deputetët e koalicionit qeveritar po prisnin, fjalën e ka marrë ministri në Qeverinë Kurti, Hekuran Murati.

Ai ka ftuar qytetarët që në zgjedhjet e reja të mos i votojnë partitë opozitare, pasi sipas tij, po e bojkotojnë Kuvendin dhe po e sabotojnë Republikën.

“Kur këta anëtarë të opozitës nesër të shkojnë e të kërkojnë vota, qytetarët duhet të pyesin veten ‘pse t’i votojmë’. Ata janë të deleguar të popullit, por ata në këtë rast nuk po e përfaqësojnë popullin”, ka thënë Murati.

Ai po ashtu ka numëruar edhe humbjet që do të ketë vendi nga shkuarja në zgjedhje. 

“Pos 10 milionëve që do të kushtojë organizimi i zgjedhjeve, do të humbin edhe dhjetëra miliona të tjerë. Kosova është paraparë të përfitojë 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, por për këtë duhet miratuar reformat një pas një. E pa Kuvend nuk do të jetë e mundur kjo”, ka thënë ai.

Pas tij, deputetëve në sallë u është drejtuar edhe Kurti. Ai ka thënë se në zgjedhjet e reja që po e presin vendin, VV-ja vetëm sa do të rritet si parti.

“Ata janë të vetëdijshëm që zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet por dëshirojnë që këtë të mos e kemi as ne. Veçse për këtë nuk vendosin ata, por populli i Kosovës i cili gjithmonë e më shumë na ka mbështetur neve në përputhje me realizimin e zotimeve tona dhe përmirësimin e situatës së tij edhe në aspektin socio-ekonomik edhe në atë të sigurisë. Pas një qeverisjeje 5-vjeçare është rritur mbështetja për ne. Çdo herë kështu do të jetë. Ne do të jemi afër popullit t’i shërbejmë me aq sa dimë e mundemi dhe mbështetja për ne vetëm sa do të rritet", ka thënë Kurti.

E pas seancës Kurti ka mbajtur konferencë me kandidaten e propozuar Feride Rushiti.

"Unë e bëra këtë lëvizje vetëm e vetëm që vendi të dalë nga ngërçi politik... Udhëtimi im vazhdon me organizatën joqeveritare që unë e përfaqësoj", tha Rushiti. 

Përplasjet VV-LDK

Në fakt, Kurti ka mbajtur dy konferenca gjatë së martës, ku ka shpjeguar ecurinë e procesit, sipas tij.
Në konferencën e dytë, ai ka ftuar LDK-në që të paraqesë 15 nënshkrimet e saj, e të tjerat do t’i plotësojë Vetëvendosje. Ka premtuar edhe tërheqjen e njërës prej kandidateve nga gara për t’i bërë vend asaj të LDK-së, që është përmendur të jetë Vjosa Osmani.

“Kam biseduar me të (Hatixhe Hoxhën v.j.). Ajo është dakorduar të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK-ja i sjell 15 nënshkrime për kandidaten e saj kushdo që është. LVV-ja i jep edhe 15 nënshkrime dhe në këtë mënyrë do ta kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një kandidat nga LDK-ja dhe sonte le ta zgjedhim presidenten/in e Kosovës. Këtu jam, në zyrën e LVV-së këtu te Kuvendi, këtu mund të më gjejë LDK-ja dhe të m’i sjellë 15 nënshkrimet. Edhe nëse i kanë vetëm 13 a 14 nënshkrime, ne i plotësojmë, nuk e këqyrim për pak. S’kemi asnjë problem me cilindo kandidat që e sjell LDK-ja”, ka thënë Kurti.  

Por pas secilës konferencë të Kurtit gjatë së martës, të tilla kanë mbajtur edhe ato opozitare, sidomos LDK-ja, ku në një rast u paraqit kryetari i saj Lumir Abdixhiku e në një shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu.

Abdixhiku, propozimin e Kurtit për tërheqje të njërës kandidate e quajti lojë sa për të siguruar kuorum për votim.

Ai ka thënë se LDK-ja i ka ofruar 15 nënshkrimet dhe propozimin për kandidat, por se sipas tij kryeministri Albin Kurti s’ka qenë i interesuar. 

“Nënshkrimet nuk dorëzohen te LVV-ja sepse LVV nuk është subjekt ku duhet t’i dorëzosh, as Nagavci nuk është autoritet. Këto janë çështje të marrëveshjeve politike, siç jemi ulur gjithmonë të bisedojmë kemi mundur të flasim për një emër. Çka po kuptoj është e qartë që Kurti do një kundërkandidat për njërën prej kandidatëve të vet, do kuorum që të zgjedhë presidentin karate. Ne i kemi 15 nënshkrime për kandidatin e LDK. Është propozuar kandidati, duhet të merresh vesh me palën tjetër se cili është kandidat. Ai duhet të na tregoj a i ka pasur votat për Vjosa Osmanin. Sa e kuptova, ai tha kam vota për ta bërë kundërkandidate Vjosën të Ferides. Këto rrethana ai kërkon kundërkandidat. Jemi në orët e fundit. Po shkojmë në situatë të zgjedhjeve të reja”, ka thënë ai. 

Abdixhiku ka shtuar se Kurti nuk e deshi rikandidimin e Vjosa Osmanit, teksa ka thënë se populli do ta zgjedhë atë pavarësisht atij, duke iu referuar zgjedhjeve të parakohshme.  

“Ndiej keqardhje që Kurti nuk ka arritur as minimalisht të shprehë gatishmëri për një konsensus për një emër që e konsideroj dhe e vlerësoj shumë, ai siç duket nuk e vlerëson. Çka nuk kuptoj, pse po i pengon kaq shumë Vjosa Osmani Kurtit? Ndoshta Kurti nuk do ta zgjedhë, por jam i bindur se populli do ta zgjedhë”, ka thënë Abdixhiku. 

E shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se Kurti po e shkakton një krizë dhe se po e dërgon vendin në zgjedhje, teksa ka listuar tri, siç i ka quajtur ajo, “të vërteta” për Kurtin. 

“Albini Kurti nuk po e do Vjosa Osmanin presidente. Albini Kurti nuk po do kompromis me LDK-në. Albini Kurti deshi me e përmbysë rendin kushtetues. Kaq e thjeshtë është. Kjo në fakt nuk është krizë politike. Është krizë e një njeriu që s’pranon rend e ligj! Ky njeri, fatkeqësisht po na dërgon sërish në zgjedhje”, ka thënë Lushaku.

Gjatë konferencës së saj, u shkaktua edhe një “incident”.

Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri, ndërhyri duke i thënë: “më ka çu Kurti me i marrë nënshkrimet”, duke iu referuar tezës së VV-së, se LDK-ja nuk i ka ofruar nënshkrimet në mënyrë zyrtare, aty ku duhet, por ato i ka prezantuar në media.

Për këtë ka folur edhe Kurti në konferencën e parë të së martës. Sipas tij, lista me nënshkrime kishte datën e dy ditëve më parë dhe në të nuk ishte specifikuar emri i kandidatit për president.
Ai ka folur edhe për përpjekjet që sipas tij, ka bërë ai me partitë opozitare për të arritur konsensus.

“U përpoqëm për një kandidat konsensual, por ishte e pamundur. I ftova disa herë në takim, kryetarin e LDK-së, Abdixhiku, kryetarin e  PDK-së, Hamza. Ndonëse nuk ofruan asnjë propozim, në vazhdimësi jam unë ai që kam ofruar propozime edhe me emra konkretë, patjetër me funksione për ta, por morëm veçse refuzime. Ne propozime, ata refuzime. Të shtunën, e bëmë edhe një hap tutje, kërkuam nga subjektet politike, PDK dhe LDK, që së bashku të sillnin 3 emra ku përveç nënshkrimeve, njërin edhe do ta votonim. Ju e dini që as PDK, e as LDK nuk kanë deputetë për të propozuar kandidatë të tyre. LDK-ja mund të propozojë një gjysmë kandidati, sepse i ka 15 deputetë, e nevojiten 30. Ndërkaq, PDK-ja mund të propozojë 2/3 e një kandidati, meqenëse i ka 22 deputetë e nevojiten 30. Por, ato të dyja bashkë mund ta propozojnë një kandidat, e ne u thamë ja po bëhemi edhe ne bashkë me ju e le t’i propozojmë tre kandidatë, që të gjitha propozimet tuaja, ju propozoni emra, ne ua japim mbështetjen në seancë plenare. Asnjë propozim. E shtymë afatin për t’u dhënë kohë shtesë. Kot, sepse refuzim sërish”, ka thënë Kurti.

Qëndrimet e PDK-së dhe AAK-së

Gjatë ditës së martë kanë reaguar edhe dy partitë e tjera opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja. 
Partia Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ka njoftuar se ka mbledhur edhe kryetarët e degëve të saj. 

“PDK-ja rithekson se do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që bie ndesh me Kushtetutën dhe rendin juridik, duke u angazhuar në të gjitha format demokratike dhe institucionale për mbrojtjen e tyre. Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, ka thënë Hamza para përpjekjes së fundit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin.

Ka reaguar edhe deputetja e kësaj partie Vlora Çitaku, duke thënë se Kurti nuk po e kupton që në zgjedhjet e fundit ka fituar veç 51 për qind të votave, e jo 100 për qind.

“Albin, Nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Po 51% nuk janë 100%. Kush është shtetar, institucionalist dhe respekton Kushtetutën, nuk dëshmohet vetëm nga e kaluara e largët, por mbi të gjitha nga veprimet e sotme. Si opozitë, pa asnjë kusht, kemi votuar zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe dje, madje edhe me procedurë të përshpejtuar. Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK-ja nuk nënshtrohet”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.
Gjatë së martës, kjo parti dhe AAK-ja i kanë bërë ftesë kandidates Feride Rushiti që të tërhiqet nga gara, gjë që nuk ka ndodhur.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ajo ka pranuar të bëhet pjesë e lojës së Kurtit.

“Seanca e dytë as nuk duhet të mbahet dhe as të nisë sepse kjo seancë përfaqëson një vazhdim të sulmit ndaj institucionit më të lartë të Kosovës. Nuk do lejojmë të rrezikohet dhe dëmtohet më tej rendi kushtetues... Kurti foli për tre emra por ai as nuk u konsultua me partitë që i thirri po në mënyra arbitrare i solli në Kuvend dy emra therë. Kjo qasje vetëm unifikuese nuk është... Propozimi ynë është që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura sepse po bëhet pjesë e një procesi të montuar politik”, ka thënë Tahiri. 

Në legjislaturën që sapo është shpërndarë, VV-ja kishte 57 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 15 dhe AAK-ja 6.

20 ulëset e tjera ishin të komuniteteve.

Sipas aktgjykimit të fundit të Kushtetueses, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen 45 ditë pas dështimit për të zgjedhur presidentin e ri.

 

 

 

Lushaku: Kurti nuk po e do Vjosa Osmanin dhe as kompromisin me LDK-në

5 muaj më parë / 28 pri 2026 18:49
Jehona Lushaku-Sadriu

Photo: Driton Paçarada

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pasi ky i fundit gjatë një konference për media i kërkoi LDK-së ta sjellë te shefja e grupit të LVV-së emrin e propozuar për kandidat për president. 

Kurti ka thënë se LDK-ja asnjëherë nuk ia ka dërguar ndonjë propozim për president në takimet që liderët e partive kishin mbajtur lidhur me presidentin e ri. Njëjtë u përgjigj edhe kur u pyet për mundësinë e rikandidimit të Vjosa Osmanit. 

E, Lushaku ka thënë se Kurti po e shkakton një krizë dhe se po e dërgon vendin në zgjedhje, teksa ka listuar tri, siç i ka quajtur ajo, “të vërteta” për Kurtin. 

“Albini Kurti nuk po e don Vjosa Osmanin Presidente. Albini Kurti nuk po don kompromis me LDK-në. Albini Kurti deshti me e përmbys rendin kushtetues. Kaq e thjeshtë është. Kjo në fakt nuk është krizë politike. Është krizë e një njeriu që s’pranon rend e ligj! Ky njeri, fatkeqësisht po na dërgon sërish në zgjedhje”, ka shkruar Lushaku.

 

PDK-ja paralajmëron reagim politik e qytetar nëse zgjidhet presidenti ndesh me Kushtetutën

5 muaj më parë / 28 pri 2026 18:07
Bedri Hamza

Partia Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ka njoftuar se ka mbledhur edhe kryetarët e degëve të saj. 

PDK-ja në njoftimin për media thotë se nëse sonte procedohet me zgjedhjen e presidentit, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar.

“PDK rithekson se do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që bie ndesh me Kushtetutën dhe rendin juridik, duke u angazhuar në të gjitha format demokratike dhe institucionale për mbrojtjen e tyre. Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, citohet të ketë thënë kryetari i partisë Bedri Hamza.

Çitaku – Kurtit: Nëse ka njeri që s’e njeh rezultatin zgjedhor je ti, 51% s’janë 100%

5 muaj më parë / 28 pri 2026 17:59
Vlora Çitaku

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti pasi ky i fundit në një konferencë për media ka thënë se sjelljet e opozitës lidhur me zgjedhjen e presidentit janë joshtetërore dhe anti-institucionale, teksa i ka akuzuar për bllokim institucional. 

E Çitaku ka thënë se Kurti nuk e njeh bashkëpunimin, por se kërkon nënshtrim të subjekteve të tjera. 

“Albin, Nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Po 51% nuk janë 100%. Kush është shtetar, institucionalist dhe respekton Kushtetutën, nuk dëshmohet vetëm nga e kaluara e largët, por mbi të gjitha nga veprimet e sotme. Si opozitë, pa asnjë kusht, kemi votuar zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe dje, madje edhe me procedurë të përshpejtuar. Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka akuzuar tutje Kurtin për përmbysje të rendit kushtetues me nisjen e procesit të zgjedhjes së presidentit të ri pa qenë të pranishëm 80 deputetë në sallën e Kuvendit. 

“Si shkelës serik i Kushtetutës, nuk e ke problem ta përmbysësh edhe rendin Kushtetues. Por këtë nuk do ta lejojmë”.

 

Kurti: LDK-ja duhet ta sjellë te ne listën me nënshkrime dhe të tregojë për kë e ka fjalën

5 muaj më parë / 28 pri 2026 17:04
Albin Kurti

Foto: Arkiv

Kryeministri Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar listën e paraqitur mbrëmë nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës me nënshkrimet e deputetëve të kësaj partie. Kurti kërkoi që LDK-ja ta sjellë listën në mënyrë insitucionale te shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të tregojë për kë e ka fjalën.

Kurti potencoi se nëse LDK-ja e sjellë atë listë, do të kërkoj nga kandidatja për presidente Hatixhe Hoxha të tërhiqet dhe kandidati apo kandidatja e LDK-së të hyjë në garë me kandidaten Feride Rushiti.

“Ne me mirësinë dhe kënaqësinë më të madhe do t’i pranonim. Po ta kishim të qartë emrin e LDK-së për kë, ne do ta takonim kandidaten Hatixhe Hoxhën dhe do t’i kërkonim të tërhiqet dhe ta kemi Feride Rushitin me një kandidat tjetër. Neve duhet të na i sjellin ato nënshkrime dhe duhet të jetë e qartë për kë e kanë fjalën. Ajo listë tregon që ata janë bashkë por për kë dhe për çka janë bashkë ne nuk e dimë. Duhet të tregojnë për kë janë bashkë dhe i pranoj edhe unë ashtu bashkë. Le të na e sjellin kandidatin, unë i kërkoj Hatixhe Hoxhës të tërhiqet dhe shkojmë në garë, sonte Kosova bëhet me president apo presidente të re, varet kush fiton”, ka deklaruar Kurti në konferencën për media.

Kurti ka deklaruar po ashtu se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, asnjëherë nuk ia ka sjellë asnjë propozim për president në takimet që i kanë zhvilluar për këtë çështje.

“Ju jeni dëshmitar që Abdixhikun e kam takuar disa herë nuk ka pasur asnjëherë asnjë propozim. Unë propozime, ai refuzime. Sa i përket paraqitjes së djeshme në orët e vona të natës, ata dolën pas seancës ndërsa gjatë seancës nuk pati asnjë propozim. Letra me 15 nënshkrime mund t’i ofrohej LVV-së në mënyrë institucionale. Ose te shefja e grupit parlamentar ose te unë si kryetar i subjektit politik. Sepse në orën 23:00 të natës pasi u ndërpre seanca dolën me një listë ku ishin emrat e tyre. Ata emra duhet të m’i japin mua jo juve të nderuar gazetar”, deklaroi Kurti.

Kurti: Sjelljet e opozitës janë joshtetërore dhe anti-institucionale

5 muaj më parë / 28 pri 2026 16:54
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se sjelljet e opozitës në Kosovë janë joshtetërore dhe anti-institucionale, duke i akuzuar ato për bllokim të qëllimshëm të funksionimit të institucioneve.

Ai ka vlerësuar se opozita nuk ka synim tjetër përveç pengimit të qeverisjes, duke theksuar se veprimet e saj përbëjnë mosnjohje të rezultatit zgjedhor dhe të vullnetit qytetar të shprehur në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas tij, bojkotimi i seancave plenare është dëshmi e qartë e kësaj qasjeje bllokuese.

“Dëshmi për bllokadën është edhe një fakt tjetër: për ta kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët, përkatësisht përballjen me inflacionin, u mobilizuan të gjithë, përfshirë edhe Listën Serbe, kurse për president nuk po vijnë as në sallë. Kosovës nuk i duhen bllokada si ato të 10 muajve të vitit të shkuar. Me besim të plotë se nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, vendit do t’ia humbnim edhe 10 milionë vetëm për organizimin e zgjedhjeve, pa i përmendur dhjetëra miliona euro nga marrëveshjet e tjera. Ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet që të mos shkojmë në zgjedhje të përsëritura e të panevojshme”, ka thënë Kurti në konferencë për shtyp të martën pasdite.

Kurti ka përmendur se opozita është mobilizuar për të kundërshtuar pakon ekonomike për qytetarët dhe masat për përballimin e inflacionit, ndërsa nuk po merr pjesë në proceset e rëndësishme institucionale, siç është zgjedhja e presidentit. Ai ka theksuar se vendi nuk ka nevojë për bllokada si ato të vitit të kaluar dhe se zgjedhjet e reja do t’i kushtonin buxhetit rreth 10 milionë euro, pa përfshirë dëmet e tjera financiare.

Kryeministri ka thënë se ka bërë disa përpjekje për arritjen e një konsensusi, duke ftuar në takim krerët e partive opozitare, por sipas tij, nuk ka pasur asnjë propozim nga ana e tyre.

“U përpoqëm për kandidat konsensual; i ftova disa herë në takim kryetarët e PDK-së dhe LDK-së. Ndonëse nuk ofruan asnjë propozim, unë vazhdimisht kam ofruar ide, por morëm veçse refuzim. Ne propozime, ata refuzime. Dje ftuam debat parlamentar. Filluan të refuzojnë edhe takimet me mua, prandaj ftuam debat parlamentar; as aty nuk erdhën. Edhe një hap u bë mbrëmë, por asgjë nga opozita. Sërish refuzime”, shtoi ai.

Në këtë kontekst, Kurti ka përmendur edhe propozimin e kandidatëve konsensualë, duke theksuar se figura si Feride Rushiti më parë është vlerësuar publikisht nga përfaqësues të opozitës, ndërsa tani, sipas tij, mungon gatishmëria për ta mbështetur në Kuvend.

“Propozuam edhe kandidatë konsensualë. Feride Rushiti, kur nderohej me çmime prestigjioze, shumë deputetë opozitarë mburreshin me postime në rrjetet sociale për të—postime si ajo e deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, apo ajo e PDK-së, Vlora Çitaku. Si është e mundur që, pas gjithë atyre vargjeve vlerësuese, sot nuk e marrin mundin të vijnë në sallë, teksa struken në zyrat e grupeve parlamentare, madje duke dërguar kërcënime për një grua që gjithë jetën ia ka kushtuar mbrojtjes së viktimave”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka falënderuar Rushitin për gatishmërinë për të kontribuar në tejkalimin e krizës, por ka shprehur skepticizëm për mundësinë e zgjidhjes, duke kritikuar qasjen e subjekteve opozitare dhe liderëve të tyre.

“E falënderoj Rushitin për gatishmërinë për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Por kjo duket e pamundur me subjekte politike dhe liderë partish që e kanë humbur arsyen, që kanë vendosur inat jo vetëm me ne, por edhe me popullin e Kosovës, që nuk po i voton më shumë e po i voton gjithnjë e më pak”, shtoi ai.

Në fund, Kurti i ka bërë thirrje opozitës që të jetë në Kuvend në seancën e orës 19:00, duke theksuar se institucionet nuk mund të funksionojnë përmes bojkotit dhe bllokadave.

PDK mbledh kryesinë: Po rrezikohet rendi kushtetues

5 muaj më parë / 28 pri 2026 16:33
PDK

Partia Demokratike e Kosovës, ka mbledhur kryesinë e partisë me ç’rast deklaruan se po rrezikohet rendi kushtetues.

Në një njoftim për media PDK-ja ka thënë se përpjekja për zgjedhjen e presidentit në mënyrë të njëanshme është shkelje flagrante e Kushtetutës së Kosovës.

“Në përfundim, Partia Demokratike e Kosovës zotohet se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme politike dhe institucionale për mbrojtjen e Kushtetutës, rendit demokratik dhe të ardhmes së vendit, duke ftuar njëkohësisht qytetarët të jenë vigjilentë dhe aktivë në mbrojtje të shtetit të së drejtës”, thuhet në njoftimin për media të PDK-së.

Vazhdon drama, seanca shtyhet sërish

5 muaj më parë / 28 pri 2026 14:49
Vazhdon drama, seanca shtyhet sërish

Photo: Driton Paçarada

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka shtyrë edhe një herë seancën për zgjedhjen e presidentit, në mungesë të kuorumit.

Haxhiu ka njoftuar se vazhdimi i seancës do të mbahet prej orës 19:00.

“Për shkak të mungesës së opozitës, dhe gjithnjë duke u përpjekur që t’i kemi ata në seancën për zgjedhjen e presidentit dhe për shkak të obligimeve... Ju njoftoj që kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, ka thënë ajo.

Edhe AAK-ja bën thirrje që Rushiti të tërhiqet nga gara për president

5 muaj më parë / 28 pri 2026 14:44
Besnik Tahiri

Shefi i grupit parlamentar të  AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se seanca për zgjedhjen e presidentit, ashtu siç ka nisur pa 80 deputetë të pranishëm, as nuk mund të vazhdojë tutje. Ka theksuar se në këtë mënyrë po cenohet rendi kushtetues. 

Tahiri ka shtuar se Feride Rushiti duhet të tërhiqet nga gara për presidentin.

“Seanca e dytë as nuk duhet të mbahet dhe as të nisë sepse kjo seancë përfaqëson një vazhdim të sulmit ndaj institucionit më të lartë të Kosovës. Nuk do lejojmë të rrezikohet dhe dëmtohet më tej rendi kushtetues... Kurti foli për tre emra por ai as nuk u konsultua me partitë që i thirri po në mënyra arbitrare i solli në Kuvend dy emra therë. Kjo qasje vetëm unifikuese nuk është... Propozimi ynë është që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura sepse po bëhet pjesë e një procesi të montuar politik”, ka thënë Tahiri. 

Një ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë.

Partitë opozitare që bojkotuan mbledhjen, kritikuan pushtetin që ka nisur seancën pa praninë e 80 deputetëve, duke e cilësuar si shkelje kushtetuese.
 

Haxhiu ripërsërit thirrjet për prani të opozitës në sallë

5 muaj më parë / 28 pri 2026 14:38
albulena haxhiu

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu edhe në vazhdimin e seancës i ka thirrur deputetët e opozitës që të jenë prezent në seancën plenare për zgjedhjen e presidentit.

Haxhiu ka thënë se sipas vlerësimit që ka bërë Gjykata kushtetuese deputetët janë të zgjedhur të popullit dhe duhet të ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Kosovës. 

Sipas saj është obligim kushtetues i secilit deputet që të jetë në seancë.

Ajo i ka ftuar në seancë deputetët me emra të përveçëm, duke thënë se arsye për mungesë ka marrë vetëm nga deputetja e Vetëvendosjes Afërdita Hajrizi. 

“Edhe njëherë i ftoj deputetët, i lus ata të jenë të pranishëm në këtë seancë. Në vend që të bëjmë presion për kandidatet që të tërhiqen nga gara i ftoj ata që të vijnë, e jo të flasin nga ambiente të tjera. Ky është vendi ku flasim e argumentojmë”, ka theksuar Haxhiu. 

Hamza: Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit

5 muaj më parë / 28 pri 2026 14:13
Bedri Hamza

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka quajtur akt të rrezikshëm nisjen e procesit të zgjedhjes së presidentit të ri pa qenë 80 deputetë në sallë.

Ai ka thënë se kjo po bëhet njëanshëm dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës. Siç ka theksuar ai, përpjekja për zgjedhjen e presidentit në këtë mënyrë minon rendin demokratik. 

“Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit tonë. Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës është sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik. Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit tonë”, ka shkruar Hamza.

Hamza ka shtuar se nisja e këtij procesi pa shumicë parlamentare rrezikon ta çojë vendin drejt “një anarkie politike” dhe ta destabilizojë vendin. 

“Kosova është ndërtuar mbi vlerat e lirisë, drejtësisë e barazisë dhe nuk do të lejojmë që këto vlera të cenohen përmes abuzimit me pushtetin apo shkeljes së Kushtetutës”, ka shtuar Hamza duke u bërë thirrje qytetarëve për vëmendje që “të mos lejojnë shkelje”.

 

PDK-ja i bën thirrje Rushitit të tërhiqet nga gara për presidentin

5 muaj më parë / 28 pri 2026 13:16
Vlora Citaku

Photo: Driton Paçarada

Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë thirrje Feride Rushiti, të tërhiqet nga kandidatura për presidente. Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, ka thënë se Rushiti do t’i bënte nder shtetit dhe vetes po që se largohet nga kandidimi. 

Në një konferencë për media para vazhdimit të seancës për presidentin me fillim prej orës 14:00, Çitaku akuzoi partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, dhe kryetarin e saj Albin Kurti për “tejkalim të të gjithë kufijve”.

“Në këtë situatë reagimi opozitar dhe qytetar është detyrim për të mbrojtur rendin kushtetues dhe të ardhmen e vendit tonë Ne si subjekt politik opozitar do t’ i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për këtë. Sot nga Kuvendi dua të apeloj te partia në pushtet që t’i ndërpresë të gjitha këto veprime karateje të dhunës politike. S’është kuvend i karatesë, por institucion i të zgjedhurve të popullit. Nga zemra i bëj thirrje zonjës Feride Rushiti të tërhiqet nga kjo lojë politike antikushtetuese e Albin Kurtit. E turpshme për shtetin dhe atë vet. Më vjen keq që ka pranuar të huazojë emrin e saj për maskaradë politike”, ka thënë ajo.

Çitaku ka thënë po ashtu se shkelja e qëllimshme e Kushtetutës është rrezik për themelet e shtetit.

“Këtë nuk do ta lejojmë dhe këtë bashkë me qytetarët e Kosovës do ta ndalojmë”, ka thënë ajo.

Kuvendi me fillim prej orës 14:00 pritet të vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit.

Në rast moszgjedhjeje të presidentit deri në mesnatë, Kosova do të përballet me zgjedhje të reja parlamentare.

Një ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. 

Partitë opozitare që bojkotuan mbledhjen, kritikuan pushtetin që ka nisur seancën pa praninë e 80 deputetëve, duke e cilësuar si shkelje kushtetuese.

Bardiqi kërkon falje për "karatenë", e quan sarkazëm

5 muaj më parë / 28 pri 2026 11:29
Naim Bardiqi karate

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Bardiqi, ka kërkuar falje për gjuhën e përdorur në një mesazh privat në telefonin e tij gjatë seancës së nisur të hënën për zgjedhjen e presidentit, ku ka përdorur fjalën “karate”.

Ai ka deklaruar se publikimi i mesazheve të tilla përbën cenim të privatësisë, duke theksuar se Kuvendi është vendi i punës së deputetëve dhe komunikimet private nuk duhet të bëhen publike.

Sipas Bardiqit, mesazhi në fjalë është shkruar me sarkazëm dhe nuk ka pasur qëllim ofendues ndaj askujt. Ai ka kërkuar falje nëse përmbajtja e tij është keqinterpretuar.

“Konsideroj se është cenim i privatësisë, Kuvendi është vend i punës për deputetin prandaj mesazhi në privat nuk e konsideroj se janë për t’u publikuar. Ato mesazhe janë me sarkazëm, kërkoj falje nëse ka pasur ndonjë keqkuptim qoftë për LVV-në, qytetarët apo votuesit. S’ka të bëjë me asgjë, asgjë ofenduese. E keni parë që është në thonjëza, me sarkazëm e përdorur e që nënkupton se edhe në mungesë të opozitës, deputetët e mazhorancës do të bëjnë votimin sipas rregullave dhe procedurave”, ka thënë ai. 

Foto: Ekonomia Online

Ai ka shtuar se bëhej fjalë për një komunikim mes miqsh dhe jo për një qëndrim që cenon seriozitetin e procesit të zgjedhjes së presidentit.

"Po e zgjedhim 'karate'. Pastaj të shohim çfarë thotë Kushtetuesja", ishte mesazhi telefonik i Bardiqit i publikuar në një fotografi dje në media.

VIDEO:

Bajqinovci pasi Haradinaj paralajmëroi protesta: Kush del në rrugë pas oligarkëve politikë

5 muaj më parë / 28 pri 2026 11:29
Mefail Bajqinovci

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Mefalil Bajqinovci, ka reaguar pasi që kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) paralajmëroi protesta për të kundërshtuar ato që i ka cilësuar shkelje të rënda kushtetuese.

“Po kush del në rrugë pas oligarkëve politikë? Populli ua dha përgjigjen me 51.11% me Albin Kurti. E tash, kur s’kanë votë, kërkojnë zhurmë. Ani kur i sheh kush po bën thirrje, të njëjtit që e shfrytëzuan shtetin, e sot kërkojnë “revolta” për me u kthyer prapë. Por koha e tyre ka kalu, populli nuk del për ta, populli i ka çu në opozitë”, ka shkruar Bajqinovci në një status në Facebook. 

Para vazhdimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, Haradinaj ka thënë se Kosova ka hyrë në drejtim të rrezikshëm.

Një ditë më herët, Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Partitë opozitare që bojkotuan mbledhjen, kritikuan pushtetin që ka nisur seancën pa praninë e 80 deputetëve, duke e cilësuar si shkelje kushtetuese.

Haradinaj thirrje deputetëve të VV-së: Mos u bëni pjesë e turpit, pasojat do të jenë të përjetshme

5 muaj më parë / 28 pri 2026 11:27
Ramush Haradinaj - Kuvendi i Kosovës

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kushdo që bëhet pjesë e seancës për zgjedhjen e presidentit të martën do të ketë pasoja të rënda. 

Ai ka shtyrjes së seancës nga ora 11:00 në orën 14:00 për shkak të mungesës së opozitës në sallë ka thënë se këtë situatë nuk e ka parë asnjëherë në Kosovë. 

Haradinaj u ka bërë thirrje deputetëve të LVV-së që të mos vazhdojnë me seancë. 

“Është situatë ndryshe nga të gjitha zhvillimet që kam pa në Kosovë pas pavarësisë. Ata që ushtrojnë funksionet shtetërore dje kanë bë shkelje kushtetuese. Është një drejtim i rrezikshëm dhe u bëjë thirrje të ndalen, të mos vazhdojnë në këtë drejtim. Ruajtja e pushtetit, mbajtja, ardhja në pushtet është e mundshme duke respektuar Kushtetutën, demokracinë, nëse shkojmë në këtë rrugë të rëndësishme po na pamundësojnë funksionet në bazë të Kushtetutës dhe nuk mendojnë rrugë tjetër pos t’i kthehemi popullit. I thërras vetëdijes së të gjithëve të mos bëhen pjesë e shkeljes kushtetuese, këtij turpi. Nëse bëhen pjesë e dhunimit të Kushtetutës, kësaj sjellje të rrezikshme, pasojat do të jenë të përjetshme për të gjithë ata që bëhen pjesë”, ka thënë Haradinaj. 
 

Seanca shtyhet ende pa nisur

5 muaj më parë / 28 pri 2026 11:08
Seanca shtyhet ende pa nisur

Photo: Driton Paçarada

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka shtyrë për në orën 14:00 seancën për zgjedhjen e presidentit, akoma pa e nisur atë të paralajmëruarën për në orën 10:00.

Ajo e arsyetoi këtë duke thënë se po i pret deputetët e opozitës, që i ka ftuar të marrin pjesë në seancë. Haxhiu ka thënë se ky është obligim kushtetues.

Nagavci: Nuk jemi njoftuar për nënshkrimet e LDK-së as unë e as Kurti

5 muaj më parë / 28 pri 2026 11:07
Arbërie Nagavci

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se për nënshkrimet e mbledhura nga Lidhja Demorkatike e Kosovës, të cilat i paraqiti mbrëmë kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, nuk është njoftuar as kryeministri Albin Kurti, e as ajo si shefe e deputetëve të VV-së.

Në deklarimin e saj para mediave pak minuta para fillimit të seancës, Nagavci ka bërë thirrje të ndalen akuzat mes deputetëve dhe të gjendet zgjidhje për zgjedhjen e presidentit. 

“Besoj që Kryetarja e Kuvendit kur të fillojë vazhdimin e seancës do të bëjë edhe një thirrje për opozitën, jemi dëshmitarë që edhe deputetët e opozitës janë shumica prej tyre këtu në Kuvend dhe i ftojmë që të vijnë në sallë dhe të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për të vazhduar tutje punën duke shmangur edhe një palë zgjedhje të reja. E kemi parë dje edhe kryetarin e LDK-së që prezantoi një listë me nënshkrime ndonëse pa një emër specifik, por e vërteta është që ato nënshkrime nuk i janë njoftuar as kryeministrit Kurti as mua si shefe e GP-së në mënyrë që të bashkëngjisim nënshkrimet e deputetëve tanë... Konsideroj që përtej fajësimit ose hedhjes së akuzave, e rëndësishme është të gjejmë zgjidhjen dhe ta zgjedhim presidentin”, ka thënë ajo. 

Nagavci ka vlerësuar se kandidatura e Feride Rushitit do t’i bënte nder të gjithë vendit. 

Haxhiu: Deputetët të detyruar të jenë të pranishëm në seancën për presidentin

5 muaj më parë / 28 pri 2026 11:06
Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka thënë se deputetët janë të detyruar të jenë të pranishëm në seancën për zgjedhjen e presidentit.

Në nisje të seancës, Haxhiu ka thënë se deputetët është dashur të lajmërojnë për arsyet për mospraninë në seancë.

Sipas saj, këtë e ka bërë vetëm deputetja Afërdita Hajrizi e Grupit Parlamentar të VV-së që ka thënë se mungon “për shkaqe shëndetësore”.

Haxhiu ka arsyetuar pretendimin e saj duke thënë se obligimi i deputetëve për të marrë pjesë në seanca të tilla paraqitet në aktgjykime të Kushtetueses.

Deputetët e VV-së në sallë, gati për të nisur seanca

5 muaj më parë / 28 pri 2026 10:58
albin kurti

Photo: Driton Paçarada

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë hyrë në seancën e Kuvendit kur pritet të vazhdojë seanca për zgjedhjen e presidentit. 

Në sallë janë futur edhe kryeministrit Albin Kurti e ministrat e kabinetit qeveritar. 

Një ditë më herët, Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Partitë opozitare që bojkotuan mbledhjen, kritikuan pushtetin që ka nisur seancën pa praninë e 80 deputetëve, duke e cilësuar si shkelje kushtetuese.

Haradinaj paralajmëron protesta

5 muaj më parë / 28 pri 2026 10:40
RAmush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar edhe protesta për të kundërshtuar ato që i ka cilësuar shkelje të rënda kushtetuese.

Para vazhdimit të seancës për zgjedhjen e presidentit, Haradinaj ka thënë se Kosova ka hyrë në drejtim të rrezikshëm.

Një ditë më herët, Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Partitë opozitare që bojkotuan mbledhjen, kritikuan pushtetin që ka nisur seancën pa praninë e 80 deputetëve, duke e cilësuar si shkelje kushtetuese.

“Votimi pa 2/3, ashtu siç e parasheh Kushtetua, është shkelje e rëndë, drejtim i gabuar, drejtim i rrezikshëm që ka marrë vendi. Unë edhe një herë i bëj thirrje u.d. të presidentes, kryetares së Kuvendit, kryetarit të Qeverisë që të ndalen, të mos vazhdojnë në këtë drejtim të rrezikshëm. Nëse shkojnë në këtë rrugë, nuk na lënë rrugë tjetër pos që të vihemi në mbrojtje të Kushtetutës”, ka thënë kryetari i AAK-së. “Kjo është një situatë shumë ndryshe. Kushtetuta mund të mbrohet tani vetëm nga sovrani, ai i zgjedh mënyrat e veta, të protestave, e mënyra të tjera”.

Kurti: Ne i bëjmë përpjekjet maksimale, ta shohim a vjen opozita

5 muaj më parë / 28 pri 2026 10:21
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se do të bëjnë përpjekje maksimale për ta zgjedhur presidentin.

Tek ka hyrë në Kuvend, Kurti ka theksuar se po presin nëse deputetët e opozitës do të shkojnë në seancë. 

“Ne i bëjmë përpjekjet maksimale, tash ta shohim a do të vinë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin, të marrin pjesë në votim”, është shprehur shkurt Kurti. 

Ai nuk është përgjigjur kur është pyetur nëse do ta përkrahin Vjosa Osmanin për presidente.