Qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen kutive të votimit edhe një herë, për të pestën herë në 16 muajt e fundit, nëse llogariten edhe dy rundet e lokaleve.
Të martën, në ditën e fundit të afatit kushtetues, partitë e përfaqësuara në Kuvend, kanë dështuar të zgjedhin presidentin, e për pasojë, vendi sipas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, do të shkojë në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditëve.
Gjatë së martës janë bërë katër përpjekje për të zgjedhur presidentin. Përpjekja e parë u bë në orën 10:00, që ishte vazhdimësi e seancës së një dite më parë, më pas seanca ka vazhduar në orën 14:30, pastaj në 19:30 dhe në fund në orën 23:00.
Por në asnjë rast nuk pati kuorum për të proceduar me votimin për zgjedhje.
Deputetët e koalicionit qeverisës në krye me Lëvizjen Vetëvendosje ishin në sallë, por jo edhe ata të opozitës.
Në fakt, deputetët e opozitës para secilës përpjekje kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë në votim pa një marrëveshje paraprake.
Kandidate për presidente ishin Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje pas tërheqjes të hënën mbrëma të Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut.
Ndryshe prej së hënës mbrëma, kur ka nisur seanca për zgjedhjen e pasardhësit të Vjosa Osmanit, e kur pati votim, në katër përpjekjet e së martës nuk është votuar fare.
Edhe në seancën e fundit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, iu ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që të kthehen në sallë dhe të marrin pjesë në votim.
“Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë, t’i lënë anash barrikadimet. Kjo është arsyeja pse në vazhdimësi kam bërë thirrje që deputetët e opozitës të vijnë këtu. Janë minutat e fundit të kësaj legjislature. Kjo rrugë e nisur mbarë nuk meritonte të ndërpritej”, ka thënë Haxhiu.
E gjatë kohës sa deputetët e koalicionit qeveritar po prisnin, fjalën e ka marrë ministri në Qeverinë Kurti, Hekuran Murati.
Ai ka ftuar qytetarët që në zgjedhjet e reja të mos i votojnë partitë opozitare, pasi sipas tij, po e bojkotojnë Kuvendin dhe po e sabotojnë Republikën.
“Kur këta anëtarë të opozitës nesër të shkojnë e të kërkojnë vota, qytetarët duhet të pyesin veten ‘pse t’i votojmë’. Ata janë të deleguar të popullit, por ata në këtë rast nuk po e përfaqësojnë popullin”, ka thënë Murati.
Ai po ashtu ka numëruar edhe humbjet që do të ketë vendi nga shkuarja në zgjedhje.
“Pos 10 milionëve që do të kushtojë organizimi i zgjedhjeve, do të humbin edhe dhjetëra miliona të tjerë. Kosova është paraparë të përfitojë 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, por për këtë duhet miratuar reformat një pas një. E pa Kuvend nuk do të jetë e mundur kjo”, ka thënë ai.
Pas tij, deputetëve në sallë u është drejtuar edhe Kurti. Ai ka thënë se në zgjedhjet e reja që po e presin vendin, VV-ja vetëm sa do të rritet si parti.
“Ata janë të vetëdijshëm që zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet por dëshirojnë që këtë të mos e kemi as ne. Veçse për këtë nuk vendosin ata, por populli i Kosovës i cili gjithmonë e më shumë na ka mbështetur neve në përputhje me realizimin e zotimeve tona dhe përmirësimin e situatës së tij edhe në aspektin socio-ekonomik edhe në atë të sigurisë. Pas një qeverisjeje 5-vjeçare është rritur mbështetja për ne. Çdo herë kështu do të jetë. Ne do të jemi afër popullit t’i shërbejmë me aq sa dimë e mundemi dhe mbështetja për ne vetëm sa do të rritet", ka thënë Kurti.
E pas seancës Kurti ka mbajtur konferencë me kandidaten e propozuar Feride Rushiti.
"Unë e bëra këtë lëvizje vetëm e vetëm që vendi të dalë nga ngërçi politik... Udhëtimi im vazhdon me organizatën joqeveritare që unë e përfaqësoj", tha Rushiti.
Përplasjet VV-LDK
Në fakt, Kurti ka mbajtur dy konferenca gjatë së martës, ku ka shpjeguar ecurinë e procesit, sipas tij.
Në konferencën e dytë, ai ka ftuar LDK-në që të paraqesë 15 nënshkrimet e saj, e të tjerat do t’i plotësojë Vetëvendosje. Ka premtuar edhe tërheqjen e njërës prej kandidateve nga gara për t’i bërë vend asaj të LDK-së, që është përmendur të jetë Vjosa Osmani.
“Kam biseduar me të (Hatixhe Hoxhën v.j.). Ajo është dakorduar të tërhiqet nga kandidatura nëse LDK-ja i sjell 15 nënshkrime për kandidaten e saj kushdo që është. LVV-ja i jep edhe 15 nënshkrime dhe në këtë mënyrë do ta kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një kandidat nga LDK-ja dhe sonte le ta zgjedhim presidenten/in e Kosovës. Këtu jam, në zyrën e LVV-së këtu te Kuvendi, këtu mund të më gjejë LDK-ja dhe të m’i sjellë 15 nënshkrimet. Edhe nëse i kanë vetëm 13 a 14 nënshkrime, ne i plotësojmë, nuk e këqyrim për pak. S’kemi asnjë problem me cilindo kandidat që e sjell LDK-ja”, ka thënë Kurti.
Por pas secilës konferencë të Kurtit gjatë së martës, të tilla kanë mbajtur edhe ato opozitare, sidomos LDK-ja, ku në një rast u paraqit kryetari i saj Lumir Abdixhiku e në një shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu.
Abdixhiku, propozimin e Kurtit për tërheqje të njërës kandidate e quajti lojë sa për të siguruar kuorum për votim.
Ai ka thënë se LDK-ja i ka ofruar 15 nënshkrimet dhe propozimin për kandidat, por se sipas tij kryeministri Albin Kurti s’ka qenë i interesuar.
“Nënshkrimet nuk dorëzohen te LVV-ja sepse LVV nuk është subjekt ku duhet t’i dorëzosh, as Nagavci nuk është autoritet. Këto janë çështje të marrëveshjeve politike, siç jemi ulur gjithmonë të bisedojmë kemi mundur të flasim për një emër. Çka po kuptoj është e qartë që Kurti do një kundërkandidat për njërën prej kandidatëve të vet, do kuorum që të zgjedhë presidentin karate. Ne i kemi 15 nënshkrime për kandidatin e LDK. Është propozuar kandidati, duhet të merresh vesh me palën tjetër se cili është kandidat. Ai duhet të na tregoj a i ka pasur votat për Vjosa Osmanin. Sa e kuptova, ai tha kam vota për ta bërë kundërkandidate Vjosën të Ferides. Këto rrethana ai kërkon kundërkandidat. Jemi në orët e fundit. Po shkojmë në situatë të zgjedhjeve të reja”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka shtuar se Kurti nuk e deshi rikandidimin e Vjosa Osmanit, teksa ka thënë se populli do ta zgjedhë atë pavarësisht atij, duke iu referuar zgjedhjeve të parakohshme.
“Ndiej keqardhje që Kurti nuk ka arritur as minimalisht të shprehë gatishmëri për një konsensus për një emër që e konsideroj dhe e vlerësoj shumë, ai siç duket nuk e vlerëson. Çka nuk kuptoj, pse po i pengon kaq shumë Vjosa Osmani Kurtit? Ndoshta Kurti nuk do ta zgjedhë, por jam i bindur se populli do ta zgjedhë”, ka thënë Abdixhiku.
E shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se Kurti po e shkakton një krizë dhe se po e dërgon vendin në zgjedhje, teksa ka listuar tri, siç i ka quajtur ajo, “të vërteta” për Kurtin.
“Albini Kurti nuk po e do Vjosa Osmanin presidente. Albini Kurti nuk po do kompromis me LDK-në. Albini Kurti deshi me e përmbysë rendin kushtetues. Kaq e thjeshtë është. Kjo në fakt nuk është krizë politike. Është krizë e një njeriu që s’pranon rend e ligj! Ky njeri, fatkeqësisht po na dërgon sërish në zgjedhje”, ka thënë Lushaku.
Gjatë konferencës së saj, u shkaktua edhe një “incident”.
Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri, ndërhyri duke i thënë: “më ka çu Kurti me i marrë nënshkrimet”, duke iu referuar tezës së VV-së, se LDK-ja nuk i ka ofruar nënshkrimet në mënyrë zyrtare, aty ku duhet, por ato i ka prezantuar në media.
Për këtë ka folur edhe Kurti në konferencën e parë të së martës. Sipas tij, lista me nënshkrime kishte datën e dy ditëve më parë dhe në të nuk ishte specifikuar emri i kandidatit për president.
Ai ka folur edhe për përpjekjet që sipas tij, ka bërë ai me partitë opozitare për të arritur konsensus.
“U përpoqëm për një kandidat konsensual, por ishte e pamundur. I ftova disa herë në takim, kryetarin e LDK-së, Abdixhiku, kryetarin e PDK-së, Hamza. Ndonëse nuk ofruan asnjë propozim, në vazhdimësi jam unë ai që kam ofruar propozime edhe me emra konkretë, patjetër me funksione për ta, por morëm veçse refuzime. Ne propozime, ata refuzime. Të shtunën, e bëmë edhe një hap tutje, kërkuam nga subjektet politike, PDK dhe LDK, që së bashku të sillnin 3 emra ku përveç nënshkrimeve, njërin edhe do ta votonim. Ju e dini që as PDK, e as LDK nuk kanë deputetë për të propozuar kandidatë të tyre. LDK-ja mund të propozojë një gjysmë kandidati, sepse i ka 15 deputetë, e nevojiten 30. Ndërkaq, PDK-ja mund të propozojë 2/3 e një kandidati, meqenëse i ka 22 deputetë e nevojiten 30. Por, ato të dyja bashkë mund ta propozojnë një kandidat, e ne u thamë ja po bëhemi edhe ne bashkë me ju e le t’i propozojmë tre kandidatë, që të gjitha propozimet tuaja, ju propozoni emra, ne ua japim mbështetjen në seancë plenare. Asnjë propozim. E shtymë afatin për t’u dhënë kohë shtesë. Kot, sepse refuzim sërish”, ka thënë Kurti.
Qëndrimet e PDK-së dhe AAK-së
Gjatë ditës së martë kanë reaguar edhe dy partitë e tjera opozitare, PDK-ja dhe AAK-ja.
Partia Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ka njoftuar se ka mbledhur edhe kryetarët e degëve të saj.
“PDK-ja rithekson se do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që bie ndesh me Kushtetutën dhe rendin juridik, duke u angazhuar në të gjitha format demokratike dhe institucionale për mbrojtjen e tyre. Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, ka thënë Hamza para përpjekjes së fundit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin.
Ka reaguar edhe deputetja e kësaj partie Vlora Çitaku, duke thënë se Kurti nuk po e kupton që në zgjedhjet e fundit ka fituar veç 51 për qind të votave, e jo 100 për qind.
“Albin, Nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Po 51% nuk janë 100%. Kush është shtetar, institucionalist dhe respekton Kushtetutën, nuk dëshmohet vetëm nga e kaluara e largët, por mbi të gjitha nga veprimet e sotme. Si opozitë, pa asnjë kusht, kemi votuar zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe dje, madje edhe me procedurë të përshpejtuar. Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK-ja nuk nënshtrohet”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale.
Gjatë së martës, kjo parti dhe AAK-ja i kanë bërë ftesë kandidates Feride Rushiti që të tërhiqet nga gara, gjë që nuk ka ndodhur.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ajo ka pranuar të bëhet pjesë e lojës së Kurtit.
“Seanca e dytë as nuk duhet të mbahet dhe as të nisë sepse kjo seancë përfaqëson një vazhdim të sulmit ndaj institucionit më të lartë të Kosovës. Nuk do lejojmë të rrezikohet dhe dëmtohet më tej rendi kushtetues... Kurti foli për tre emra por ai as nuk u konsultua me partitë që i thirri po në mënyra arbitrare i solli në Kuvend dy emra therë. Kjo qasje vetëm unifikuese nuk është... Propozimi ynë është që Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura sepse po bëhet pjesë e një procesi të montuar politik”, ka thënë Tahiri.
Në legjislaturën që sapo është shpërndarë, VV-ja kishte 57 deputetë, PDK-ja 22, LDK-ja 15 dhe AAK-ja 6.
20 ulëset e tjera ishin të komuniteteve.
Sipas aktgjykimit të fundit të Kushtetueses, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen 45 ditë pas dështimit për të zgjedhur presidentin e ri.
Kutia e votimit gati
Kuvendi është bërë gati për vazhdimin e votimit për zgjedhjen e presidentit. Në sallën e seancave është bërë gati kutia për fletëvotimet, siç ka raportuar fotoreporteri i KOHËS Driton Paçarada.
Një ditë më herët, Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Partitë opozitare që bojkotuan mbledhjen, kritikuan pushtetin që ka nisur seancën pa praninë e 80 deputetëve, duke e cilësuar si shkelje kushtetuese.

LDK-ja nuk merr pjesë në seancë
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë as sot në seancën e thirrur për presidentin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Këtë e ka konfirmuar deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Ai u përgjigj shkurt për mediat, duke thënë: “Jo, në këtë seancë jo”, tha ai./EO
Ymeri e LDK-së: U testua nëse mund të vendoset Republika e Kurtit – koha e xhaxhit është varrosur
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se me votimin me më pak se 80 vota për president, siç kërkohet nga Kushtetuta për dy raundet e para, u testua “nëse mund të vendoset Republika e Kurtit”.
Në një shkrim në Facebook, ajo ka komentuar mesazhin telefonik të deputetit të VV-së, Naim Bardiqi, “Po e zgjedhim ‘karate’. Pastaj të shohim çfarë thotë Kushtetuesja”.
Sipas saj, ajo që ka ndodhur mbrëmë ka qenë më e rrezikshme.
“Mbramë nuk ka qenë karate, është ofendim për sportin për një fushë të cilën rrufitën premtime e para pa punë. Karate ka rregullat e veta. Mbramë ishte testim, nëse ka mundësi të vendoset Republika e Kurtit e që nëse lejohet, të vendoset sistem paralel partiak për Gjyqësor e për çdo gjë që nuk e ka kap ende kopja e zbehtë e Xhaxhit. Jeni në Republikën e Kosovës edhe koha e xhaxhit është varrosur”, ka shkruar Ymeri në Facebook.
GLPS: Votimi pa kuorum për president, rrezik për rendin demokratik
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e ka cilësuar rrezik për rendin demokratik vazhdimin e votimit për presidentin pa përmbushur kriterin për praninë e 2/3 të të gjithë deputetëve.
Lëvizja Vetëvendosje të hënën e nisi procesin e votimit për dy kandidate edhe pse në sallë ishin më pak se 80 deputetë. Në fund Feride Rushiti i mori 63 vota ndersha Hatixhe Hoxha asnjë. Seanca u ndërpre dhe u paralajmëruar për të vazhduar të martën.
GLPS-ja në një reagim publik ka thënë se kjo seancë u zhvillua në kundërshtim me Kushtetutën dhe një prej proceseve më të rëndësishme shtetërore u kthye në lojë politike.
“Gjykata Kushtetuese, në Aktgjykimet e rasteve Nr. KO 29/11, KO47/16 dhe KO68/26 ka qenë e qartë se për zhvillimin e votimit të Presidentit/es kërkohet prania e 2/3 të të gjithë deputetëve. Çdo procedim përtej kësaj nuk është çështje interpretimi, por shkelje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues. Thënë këtë, përveç se janë ‘nule’ të gjitha veprimet e ndërmarra në seancën e mbrëmshme, GLPS vlerëson se thirrja për vazhdimin e saj sot në të njëjtën formë përbëjnë cenim serioz dhe të papranueshëm të Kushtetutës. Veprimet që injorojnë këtë rregullim nuk mund të justifikohen as me nevojën për funksionalitet institucional, sepse funksionaliteti nuk mund të ndërtohet mbi shkelje të Kushtetutës. GLPS rikujton se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk lejon interpretime politike të përshtatura sipas interesit të momentit, por imponon detyrime të qarta dhe të padiskutueshme. Çdo tentativë për ta relativizuar këtë kërkesë, qoftë përmes interpretimeve procedurale të zgjeruara apo përmes vazhdimit të seancave pa përmbushjen e këtij kushti, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës. Një qasje e tillë nuk është vetëm e papërgjegjshme por e rrezikshme për rendin demokratik, sepse normalizon shkeljen dhe e vendos vendin në një trajektore ku normat kushtetuese zëvendësohen nga arbitrariteti politik”, thuhet në reagim.
GLPS-ja u ka bërë thirrje deputetëve të ndalin këto veprime.
“Në këtë drejtim, GLPS i bën thirrje deputetëve që të ndalin menjëherë këto veprime të paligjshme dhe të rrezikshme dhe thekson që vazhdimi i kësaj qasjeje përbën veprim të drejtpërdrejtë kundër interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe është abuzim i pastër me mandatin publik. Përgjegjësia për këtë degradim bie plotësisht mbi ata që, me vetëdije, zgjedhin të shkelin Kushtetutën. Personat që shkelin Kushtetutën duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë publike dhe institucionale për veprimet e tyre. Shkelja e rendit kushtetues nuk është çështje politike që mund të relativizohet apo të justifikohet sipas rrethanave, por një devijim serioz nga detyrimi themelor ndaj interesit të shtetit dhe qytetarëve”, thuhet në reagim të GLPS-së.
Çka thotë Kushtetuta për zgjedhjen e presidentit
Të martën është dita e fundit e afatit kushtetues që Kuvendi ta zgjedhë presidentin. Në rast se dështon edhe sot deri në mesnatë, Kosova përballet me zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.
Të hënën, në votimin e parë morën pjesë më pak se 80 deputetë. Kjo nga opozita dhe organizata të shoqërisë civile u konsiderua si shkelje kushtetuese.
Zgjedhja e presidentit rregullohet me nenin 86 të Kushtetutës së Kosovës.
Neni 86 [Zgjedhja e Presidentit]
1. Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.
2. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
3. Secili shtetas i Republikës së Kosovës mund të nominohet si kandidatë për President të Republikës së Kosovës, nëse ajo/ai siguron nënshkrimet e të paktën tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidatë për President të Republikës së Kosovës.
4. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
5. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President i Republikës së Kosovës.
6. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.
Edhe në aktgjykimin e fundit për “vlerësim të kushtetutshmërisë për procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se:
(i) Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi i Kosovës, në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin 86 të Kushtetutës;
(ii) zgjedhja e Presidentit zhvillohet në 3 (tri) raunde të votimit, ku në 2 (dy) raundet e para kërkohen votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, ndërsa në raundin e tretë kërkohet shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit;
(iii) Në mënyrë që 2 (dy) raundet e para të jenë të vlefshme në procedurën për zgjedhjen e Presidentit, kërkohet që të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Ndërsa për raundin e 3-të (tretë) kërkohet të paktën prania dhe votimi i shumicës të të gjithë deputetëve; dhe
(iv) votimi për zgjedhjen e Presidentit zhvillohet me votim të fshehtë.
Çitaku: Për keqardhje që dy gra huazuan emrat në një maskaradë të rrezikshme e antikushtetuese
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se procedura që u zhvilluar të hënën në mbrëmje për zgjedhjen e presidentit është shkelje e Kushtetutës dhe siç ka thënë ajo, flet për mentalitetin e kryeministrit Albin Kurti.
“Vetë ideja që, me vetëdije, i hyjnë një procesi për të zgjedhur personin që do të udhëheqë institucionin më të lartë në vend, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën, flet shumë për mentalitetin e Albin Kurti”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Ajo ka thënë se është për keqardhje që kandidatet e propozuar nga Vetëvendosja, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, kanë pranuar të bëhen pjesë e procesit.
“Është për keqardhje që dy gra kanë pranuar të huazojnë emrin e tyre në një maskaradë të rrezikshme dhe antikushtetues”, ka shkruar Çitaku. “Po, ky popull ka sakrifikuar shumë për të pasur liri, pavarësi dhe institucione. Dhe nuk do të lejojmë përmbysjen dhe rrënimin e gjithçkaje që është ndërtuar me aq shumë mund. Zullumi këputet prej së trashi, thotë populli”, ka shkruar tutje ajo.
IKD: Procesi për zgjedhjen e presidentit, cenim serioz i rendit kushtetues
Në një reagim dërguar mediave thuhet se procesi që duhej të reflektonte standardet më të larta të ligjshmërisë dhe përgjegjësisë institucionale, është karakterizuar nga një improvizim procedural dhe interpretim të gabuar të normave juridike, siç thuhet, duke ngritur shqetësime të drejtpërdrejta për funksionimin e demokracisë.
“Së pari, mungesa e kuorumit për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme e bën të pavlefshëm vetë zhvillimin e procedurës. Kushtetuta kërkon praninë e së paku 80 deputetëve për nisjen e seancës dhe zhvillimin e dy raundeve të para të votimit, ndërkohë që në sallë kanë qenë vetëm 64 deputetë. Në këto rrethana, çdo veprim i mëtejshëm procedural përbën një precedent të rrezikshëm që cenon rëndë parimin e shtetit të së drejtës dhe krijon hapësirë për anashkalimin sistematik të rregullave kushtetuese”, thuhet në reagim.
Tutje IKD-Ja e ka cilësuar si shkelje të standardeve minimale të transparencës dhe pjesëmarrjes, mënyrën e thirrjes së mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, siç thuhet, vetëm dy minuta para mbajtjes së saj.
“Një afat i tillë e pamundëson pjesëmarrjen efektive të deputetëve dhe e redukton procesin në një formalitet, duke cenuar legjitimitetin e çdo vendimi të marrë”, thuhet në reagim.
Sipas IKD-së edhe çështja e nominimit dhe e nënshkrimeve të deputetëve është trajtuar në kundërshtim me kuadrin kushtetues dhe praktikën gjyqësore. “Kushtetuta kërkon së paku dy kandidatë për President, kusht që është përmbushur fillimisht më 5 mars 2026 me kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut. Megjithatë, tërheqja e tyre nga gara nuk e rikthen procesin në pikën zero në aspektin juridik të nënshkrimeve, pasi këto të fundit konsiderohen të konsumuara në momentin e dorëzimit. Secili kandidat kishte siguruar mbi minimumin prej 30 nënshkrimeve, të cilat, për shkak të natyrës së tyre juridike, janë të lidhura ekskluzivisht me kandidatin përkatës dhe nuk mund të transferohen apo ripërdoren për kandidatë të tjerë”, thuhet në reagim.
Ky interpretim, krahasimisht, thuhet se “mbështetet edhe nga praktika e Gjykatës Kushtetuese në rastin KI 47/10, ku është theksuar se nënshkrimet e deputetëve, pasi dorëzohen si pjesë e një kërkese, nuk mund të tërhiqen në mënyrë arbitrare dhe konsiderohen të konsumuara. Po ashtu, thuhet se Rregullorja e Kuvendit e lejon tërheqjen e nënshkrimeve vetëm deri në momentin e dorëzimit në Zyrën për propozime dhe parashtresa, çka në këtë rast, thuhet se, nuk ka ndodhur.
“Të gjitha veprimet e mësipërme, nga mungesa e kuorumit, shkeljet procedurale në funksionimin e komisioneve dhe keqinterpretimi i rregullave e bëjnë të gjithë procesin juridikisht të pavlefshëm. Lejimi i një praktike të tillë përbën rrezik serioz për demokracinë, pasi vendos një standard ku rregullat kushtetuese anashkalohen krijohen rrugë për kriza të përsëritura institucionale”, thuhet në reagim.
IKD-ja i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, që të respektoj Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ashtu që, siç thuhet, të mos procedojë me asnjë veprim në seancë, nëse në sallë nuk janë të pranishëm 80 deputetë.
Çka ndodhi mbrëmë në seancën për presidentin?
Kuvendi i Kosovës, me praninë e deputetëve të partisë në pushtet, pa Haxhi Avdylin, të hënën mbrëma votoi për dy kandidatet për presidente të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Feride Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa kandidatja Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.
Partitë opozitare nuk morën pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentes së Republikës së Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në vazhdimësi i bëri thirrje deputetëve të grupeve tjera parlamentare që t’i bashkohen kësaj seance. Haxhiu madje me të nisur seanca, deklaroi se kanë informacione që ata gjenden në zyrat e tyre brenda ambientit të Kuvendit të Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit, pas përfundimit të rundit të parë të votimit, tha se seanca do të vazhdojë të martën.
Kësaj seance i parapriu një tjetër në orën 17:00 e cila u ftua vetëm për të diskutuar për çështjen e presidentit e ku tërhoqën kandidaturat e tyre për këtë pozitë, zëvendëskryeministri aktual, Glauk Konjufca, dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. As në këtë seancë nuk morën pjesë partitë opozitare.
E gjatë kësaj seance, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi se opozita e ka bojkotuar procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe se sipas tij, kjo mund të kuptohet vetëm si mosrespektim i verdiktit të popullit.
Sipas Kurtit, nuk qëndron as arsyetimi i opozitës se nuk duan që Vetëvendosja të mbajë tri pozitat kyçe të udhëheqjes së shtetit, sepse ai thotë se opozitës ia ka ofruar pozitën e kryeparlamentarit, e po ashtu është bërë ofertë që të propozohen tre emra për president konsensual.
“Aman na ndihmoni të mos i kemi tri pozitat. Po kërkojmë mbështetjen, ndihmën e opozitës. Boll na dalin dy pozita. Si duam tri. Të dashur deputetë të opozitës ejani na ndihmoni të mos i kemi tri pozita, se tash i kemi tre pozita”, ka thënë Kurti.
Seanca për zgjedhjen e presidentit vazhdon më 28 prill me fillim në orën 10:00. Kjo është data e fundit e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së Republikës së Kosovës.
Opozita: Cenim i rendit kushtetues dhe tentim grushtshteti
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit pa pjesëmarrjen e 2/3 të deputetëve, është cenim i rendit kushtetues dhe tentim grushtshteti.
Tahiri ka folur pas seancës, ku u zhvillua rundi i parë për zgjedhjen e presidentit.
“Ajo që sot kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes ndërmori është pa asnjë dyshim goditje e rëndë që i është bërë rendit kushtetues, Kushtetutës së Kosovës, duke e nisur një seancë plotësisht në kundërshtim me rregullat, që janë të mirëpërcaktuara, ku në seancë për zgjedhjen e presidentit duhet të kishte prezencën e 2/3 të deputetëve. Kjo situatë kaq serioze dhe kaq e rrezikshme për demokracinë e vendit, pa asnjë dyshim është cenim i rendit kushtetues dhe tentim grushtshteti”, ka thënë Tahiri.
Derisa Tahiri po fliste, kryeparlamentarja Haxhiu i tha atij “në seancë deputet, seancë në orën 10:00”.
Tahiri iu përgjigj: “Ke bërë një shkelje të madhe kushtetuese”.
Ndërsa, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, ka thënë se është joserioze mënyra se si është thirrur seanca për zgjedhjen e presidentit.
Çitaku në postim në Facebook ka thënë se ftesën e ka pranuar në orën 20:26 për seancën e paraparë të mbahet në 20:30. Seanca për zgjedhje të presidentit ende s’ka nisur.
“Pra, në ora 20:26 na vjen ftesa për seancë që duhet të mbahet në ora 20:30. Kaq serioz janë këta për të zgjedhur Presidentin”, ka shkruar Çitaku.
Për seancën ndërkohë ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza. Ai ka thënë se fillimi i votimit për presidentin pa pasur 2/3 e deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit, është një “puç kushtetues”.
“Sonte joserioziteti, papërgjegjshmëria e ka arritur kulmin. Ky është një puç kushtetues. Është derdhur shumë gjak, shumë mund, shumë sakrificë e shumë vuajtje që ne ta kemi lirinë e Kushtetutën. E kemi thënë vazhdimisht që për ne vendimet e Gjykatës Kushtetuese respektohen edhe atëherë kur ne mund të kemi ndonjë koment, prapë se prapë janë vendime që respektohen. Sonte veçse është shkelur Kushtetuta e Kosovës. Ka hyrë në procedurë të votimit çështja e zgjedhjes së presidentit apo presidentes në mënyrë antikushtetuese dhe kjo praktikë duhet të ndërpritet me qëllim që të ruhet stabiliteti politik dhe institucionet e vendit, sepse në të kundërtën ka rrezik dhe ky rrezik është Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti. Nuk dua të besoj që të prodhohet situatë ku vendi mund të shkojë në anarki”, ka thënë Hamza.
Ai tha se nuk mund të shkohet në rundin e dytë pa u kaluar rundi i parë.
“Duhet të jenë 80 deputetë në sallë prezent dhe të votojnë që të konsumohet rundi i parë, të njëjtën gjë e kërkon edhe rundi i dytë. Nuk mund të shkohet në rundin e dytë pa kaluar rundi i parë. Sa joseriozë dhe të papërgjegjshëm janë, e thërrasin seancën në orën 20:30 e neve na ftojnë në orën 20:25. Kemi ftesë për nesër për seancë në orën 10:00, por ne konsiderojmë që nuk janë plotësuar kushtet që të kalohet në rundin e dytë. Dua të besoj që këta nuk vazhdojnë tutje”, tha Hamza.
Abdixhiku tregon 15 nënshkrimet e deputetëve të LDK-së për propozimin e kësaj partie
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka treguar 15 nënshkrimet e deputetëve të kësaj partie për mbështetjen e nominimit të një kandidati nga ajo. Abdixhiku ka thënë se e ka cekur se kandidate mund të ishte edhe Vjosa Osmani.
“LDK-ja i ka pasur gjithmonë 15 nënshkrime për propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ja ku janë nënshkrimet e LDK-së. Unë nuk flas asnjëherë në emrin tim, flas në emrin e LDK-së. Këto nënshkrime nuk kam dashur t’i bëj publike për lojëra politike”, tha Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se duan një marrëveshje serioze, institucionale.
“Unë besoj që në monologun që e pati LVV-ja e refuzoi propozimin tonë. Si është e mundur të flasësh dy orë dhe të mos flasësh për propozimin për marrëveshje politike të LDK-së. Dua të shpresoj që rundi i parë nuk është konsumuar, përndryshe LDK-ja do t’i mbledhë të gjitha organet e veta partiake për të konsideruar hapat e mëtutjeshëm. Ne nuk mund të marrin në skenarë të palaçove politike. Duam marrëveshje serioze, institucionale”, tha Abdixhiku.
KDI: Zgjedhja e presidentit pa kuorumin e nevojshëm cenon rendin kushtetues
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dënuar ashpër përpjekjen për ta çuar përpara zgjedhjen e presidentit pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues.
“Një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend. Vendimet dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese kanë sqaruar qartë standardin që duhet ndjekur, sipas së cilit përcaktohet që procedura e zgjedhjes së Presidentit kërkon pjesëmarrjen e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve në raundin e parë dhe të dytë të votimit, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti procedura vazhdon në raundin e tretë. Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë rend kushtetues dhe për të zgjedhur Presidentin me një numër të kufizuar deputetësh në sallë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe deformim të qëllimshëm të parimeve kushtetuese. Për më tepër, nuk ekziston asnjë bazë juridike që lejon uljen e kuorumit mbi bazën e pretendimeve për mungesën e deputetëve”, thuhet në reagim të KDI-së.
KDI vlerëson se kjo qasje krijon një precedent të rrezikshëm dhe hap rrugë për interpretime të njëanshme të rregullave kushtetuese.
“Prandaj, KDI-ja u bën thirrje deputetëve që të respektojnë standardet kushtetuese dhe të shmangin veprime që thellojnë krizën institucionale. Po ashtu, atyre u bëjmë thirrje edhe që të ndalojnë çdo veprim që cenon rendin kushtetues dhe të rikthehen në respektimin e plotë të procedurave kushtetuese”, tha KDI.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, para nisjes së seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit/es ka ftuar deputetët e partive opozitare që t’iu bashkohen.
“Ndërkohë presim që deputetët që nuk janë të pranishëm në këtë seancë të na bashkohen. I ftoj grupet parlamentare që nuk janë të pranishme në këtë seancë që të vijnë. Sipas informacioneve që kemi ata janë në zyrat e tyre andaj i ftojmë të vijnë e të na bashkohen”, ka thënë Haxhiu.
Më pas është lexuar biografia e dy kandidateve për presidente, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Pas prezantimit kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka ftuar Komisionin për Legjislacion që të mblidhet e t'i shqyrtojë dy kandidaturat.
Paraprakisht, dy emrat e propozuar për president në seancën e 5 marsit janë tërhequr nga kandidatura, përkatësisht zëvendëskryeministri Glauk Konjufca dhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku .
Kurti: Opozita qëllim e ka dëmtimin e Lëvizjes Vetëvendosje
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë bojkot të opozitës në lidhur me zgjedhjen e presidentit mund ta kuptojë vetëm si mosrespektim të verdiktit të popullit.
Kurti ka thënë se arsyetimi i opozitës se nuk duan që Vetëvendosja të mbajë tri pozitat, nuk qëndron. Thotë se është ofruar pozita e kryeparlamentarit, e po ashtu është bërë ofertë që të propozohen tre emra për president konsensual.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për çështjen e presidentit që nisi në orën 17:00 ka thënë se nuk qëndrojnë deklarimet se Lëvizja Vetëvendosje nuk do marrëveshje politike.
Sipas Kurtit, ka koalicione paszgjedhore të cilat nuk po deklarohen por që është arsye e madhe e kësaj bllokade. Kurti deklaroi se qëllim kanë ta dëmtojnë LVV-në.
“Vitin e kaluar Nisma me tre deputetë sillej sikur t’i kishte 48. Ndërkohë, LDK-ja përbuzi çdo ofertë që ia bëmë duke refuzuar edhe takimet. Ata që sot thonë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do marrëveshje politike dhe nuk mund të qeverisë në koalicion nuk e thonë të vërtetën. Koalicionet parazgjedhore janë formë e ndershme e marrëveshjes politike sepse qytetarët e dinë paraprakisht se kush do të qeverisë bashkë. Por ne kemi koalicione paszgjedhore që nuk po lidhen por që po dihen se janë koalicione paszgjedhore dhe këtu është një pjesë e madhe e arsyes së bllokadës. Pikërisht për shkak se ka preferenca për koalicione të padeklaruara. Kjo është kronologjia e fakteve, të tjerat janë supozime e manipulime që njëjtë si vitin e kaluar, qëllim e kanë dëmtimin sado pak të subjektit fitues, Lëvizjes Vetëvendosje", deklaroi Kurti mes tjerash.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të lënë dallimet dhe ta zgjedhin presidentin. Ai ka thënë se po rrezikohet futja në një cikël të mosstabilitetit të madh.
“T’i dërgojmë mesazh të qartë rajonit se Kosova është shtet që di t’i kalojë dallimet politike kur është më e nevojshme, që institucionet e saja janë stabile dhe se ka përgjegjësi përtej interesave politike”, tha Rexhepi në seancën e Kuvendit.
Opozita me një zë për bojkot të seancës
Seanca që u thirr për të “diskutuar” për çështjen e presidentit u bojkotua nga partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se për subjektin që drejton ai, kjo çështje është e mbyllur.
I pyetur nëse votojnë për një kandidat nga familja Jashari, Hamza ka thënë se nuk kanë ndryshuar qëndrim për ndonjë kandidat nga kjo familje, mirëpo për Vjosa Osmanin, ai nuk ka shprehur mbështetje.
Hamza deklaroi para mediave se Osmani mund të zgjidhet presidente edhe për një mandat tjetër edhe pa votat e PDK-së.
“Nuk mund të flasim mbi bazën e situatave hipotetike. E ruajmë vlerësimin dhe konsideratën më të lartë për familjen Jashari. E kemi dhënë qëndrimin tonë dhe qëndrimi ynë nuk ndryshon. Zyrtarisht i kemi vetëm dy kandidatë. Kemi thënë që fillimisht të ketë marrëveshje mbi parime të caktuara dhe pastaj të vijmë dhe t’i propozojmë emrat. Emrat nuk kemi thënë që duhet të jenë nga PDK-ja. Po që se LDK-ja e sjell Vjosa Osmanin si kandidate për presidente, mund të zgjidhet me votat me Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, ndoshta edhe deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Hamza.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se kjo parti nuk do të marrë pjesë në seancën për diskutime lidhur me zgjedhjen e presidentin. Ai ka thënë se kjo seancë është “show propagandues i VV-së”.
“Nuk marrim pjesë në seancë”, ka thënë kreu i LDK-së para mediave.
Edhe Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, Besnik Tahiri, njoftoi se deputetët e partisë së tij s’do të marrin pjesë në seancën e ftuar nga ora 17:00 për të diskutuar lidhur me zgjedhjen e presidentit.
“Kosova i kishte tre muaj me diskutu seriozisht zgjedhjen e presidentit, që nga themelimi i qeverisë. E kemi thënë nga dita e parë, diskutimet për zgjedhjen e presidentit kanë qenë spektakël politik, performancë publike, me qëllim të vetëm me ardhur në këtë situatë...AAK-ja s’ka qenë e ftuar për diskutime. S’kemi marrë pjesë, e rrjedhimisht s’marrim pjesë në një diskutim që prapë është një performancë publike. Kësaj radhe po shihet është performancë publike, diskutim me fol vet me veti. Kurti në vend se të flasë në organe të partisë, do që platformën e Kuvendit ta kthejë në diskutim të brendshëm”, ka thënë Tahiri.
Ai tha se është “vazhdim i spektaklit publik, që fatkeqësisht po e çon vendin në zgjedhje”.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, para se të nis seanca e orës 17 ka ftuar partitë politike të marrin pjesë në seancën e Kuvendit për të diskutuar për zgjedhjen e presidentit. Nagavci ka thënë se Vetëvendosje është e gatshme të tërheqë kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Kollçakut, nëse PDK-ja e LDK-ja ofrojnë tre emra për presidentë që janë jashtë skenës aktuale politike dhe janë unifikues.
E pyetur nëse Vetëvendosje është e gatshme t’i ofrojë nënshkrimet për ish-presidenten Vjosa Osmani, Nagavci para seancës së Kuvendit tha se deri më tash asnjë parti opozitare s’ka deponuar nënshkrimet për asnjë kandidaturë.
“Përtej deklaratave e deklarimit se i kemi 15 nënshkrime, ato duhet të shihen. Unë kam të gatshme nënshkrimet edhe për seancë edhe për president. S’mjaftojnë deklaratat. Kemi pritur gjithë fundjavën, e pritëm edhe sot paradite të ofrohen nënshkrimet dhe t’i plotësojmë me nënshkrimet tona. Të ofrohen 15 nënshkrime nga LDK e 22 nga PDK-ja e të japim nënshkrimet tona. Nuk ka hapa seriozë”, tha Nagavci.
Ajo tha se zgjedhjet e reja s’i nevojiten askujt dhe duhet shmangur.