I dërguari special i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovë në kohën e luftës dhe ambasador amerikan në Serbi deri në fillim të këtij viti, Christopher Hill, sot do të vazhdojë për ditën e tretë dëshminë në gjykatoren e Speciales, në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Deklarimet e Hillit në Speciale i gjeni KËTU

Hill: Nëse shikohet historiku i Thaçit, s’mund të lëvizte gjërat brenda UÇK-së

1 muaj më parë / 12 nën 2025 13:51
Christopher Hill

Dëshmitari Christopher Hill duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor ka thënë se nëse shikohet historiku i formimit të Hashim Thaçit, nuk ka asgjë që sugjeron se ai mund të lëvizte gjërat brenda për brenda UÇK-së.

Sipas Hill, në pikëpamjen e jashtme, Thaçi e kuptonte se si funksiononte bota dhe sa e rëndësishme ishte që SHBA-ja të ishte në anën e tyre, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Përshtypja ime është që nëse do shikoni historikun e Thaçit se çfarë formimi ka ai nuk ka asgjë që ai mund të lëvizte gjërat brenda për brenda UÇK-së por në pikëpamjen e jashtme ai e kuptonte se si funksiononte bota dhe e kuptonte se sa e rëndësishme ishte që SHBA-të të ishin në anën e tyre”, tha Hill.

I pyetur se a pajtohet se UÇK-ja ishte një lëvizje çlirimtare e armatosur, Hill e pohoi por tha se shtrohet pyetja se sa e integruar ishte UÇK-ja.

“Po, por pyetja që shtrohet është se sa e integruar ishte UÇK-ja krahasimisht me grupe të tjera të ndryshme që lidheshin vetëm… me të por vepronin sipas kokës së tyre dhe urdhrave të tyre”, tha Hill.

Duke qenë fjala për një lëvizje të armatosur, Hill u pyet se cila është ndasia në mes një lideri politik dhe një udhëheqësi ushtarak në kuadër të një lëvizje çlirimtare të armatosur.

“Udhëheqësi politik është një person që luan një rol të ministrit të Punëve të Jashtme dhe nuk është përgjegjës për çështjet e brendshme”, deklaroi ai.

Hilli e përfundoi dëshminë duke e përshkruar si “përvojë të veçantë”.

Diplomati amerikan dëshmoi për tri ditë radhazi.

Hill përgjigjet për kabllogramin ku shkruhet UÇK-ja ishte e organizuar në gjashtë departamente

1 muaj më parë / 12 nën 2025 12:36
Christopher Hill

Diplomati amerikan, dëshmitari Christopher Hill, është pyetur në Dhomat e Specializuara lidhur me një kabllogram ku thuhej se UÇK-ja përbëhej nga sektori Politik, i Informimit, i Logjistikës, i Policisë, Drejtësisë dhe ai i Operacioneve.

Lidhur me dokumentin e shkruar nga Shaun Byrnes, që ka udhëhequr Misionin Mbikëqyrës Diplomatik të Shteteve të Bashkuara (KDOM) gjatë luftës në Kosovë, ambasadori Hill tha se Byrnes ishte më i prirë se ai që të besonte se ekzistonte linjë hierarkike të komunikimit në UÇK.

“Unë e respektoj shumë Shaunin, por mendoj që kjo ishte një orvatje për të përshkruar një organizatë dhe mendoj që e kishte ekzagjeruar pak përshkrimin e kësaj organizate....Shauni, në themi në shërbimet e huaja, ishte shumë i ëmbël e karizmatik. Dilte, bisedonte me persona. Mbase mund t’ia ketë thënë dikush këtë gjë, por siç ndodh shpesh në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, informacionet shpesh nuk janë të vërteta dhe nuk kanë për synim ta informojnë personin, por të kenë ndikim te personi që duhet ta marrë këtë informacion. Pra kishte një përpjekje për të na bindur ne, për të na thënë ne, që kjo është një organizatë dhe ushtri vërtetë e strukturuar. Unë nuk e pash. Unë nuk e shihja si ai. Unë nuk e shihja atë që e shihte ai dhe të jem i sinqertë nuk pajtohem me deklaratën e tij dhe ia kam thënë këtë atij. Sigurisht që nuk mund t’ia censuroja kabllogramet Shaunit, por unë nuk ndaja të njëjtin mendim. Nuk do ta përshkruaja siç e ka përshkruar ai”, tha Hill.

Hill për UÇK-në: Nuk ishte një grup personash i organizuar mirë që të kishin hierarki komanduese

1 muaj më parë / 12 nën 2025 11:58
Christopher Hill

I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara gjatë luftës, Christopher Hill, ka thënë se e ka parë UÇK-në si grup njerëzish që nuk ishin të organizuar mirë. Ambasadori Hill ka folur në ditën e tretë të dëshmisë në Gjykatën Speciale në rastin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së për përshtypjen e tij gjatë gjithë kohës.

“Ideja që Drejtoria Politike ka ndonjë rol në Shtabin e Përgjithshëm, ishte diçka që personat në Drejtorinë Politike përfshirë Adem Demaçin, ishte përpjekje për të treguar që ne kemi përgjegjësi dhe jemi përgjegjës. Për ne kjo tregonte që bëheshin shumë përpjekje, në kuptimin që personat donin ta konsolidonin pozicionin e tyre dhe donin të ishin më të fortë se disa të tjerë. Nuk ishte një grup personash i organizuar mirë që të kishin hierarki komanduese dhe përgjegjësi komanduese të mirë, kjo ishte përshtypja jonë gjatë të gjithë kohës”, ka thënë Hill.

Kështu u përgjigj ambasadori Hill në rrjedhën e pyetjes së gjyqtarit Guenael Mettraux. Anëtari i trupit gjykues e pyeti Hillin lidhur me një kabllogram amerikan ku thuhej se Adem Demaçi mori pozitën e tij nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Te paragrafi në mes është një fjali që fillon me më në fund... Thotë: më në fund, një emër apo funksion ‘është i redaktuar’ i tha KDOM-it amerikan sonte mbrëma se Demaçi u emërua nga Shtabi i Përgjithshëm që të kryente disa funksione konkrete dhe këto funksione nuk përfshijnë vendimmarrje politike për Shtabin e përgjithshëm, vetëm Shtabi i përgjithshëm me drejtorin politik që e ka drejtimin mund të marrë vendime politike. Pyetja e parë që e kam unë është a ju kujtohet ky kabllogram dhe përmbajtja e këtij kabllogrami”, pyeti Mettraux.

E dëshmitari tha se supozonte që Drejtoria Politike nuk ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm dhe kishte më shumë rol të kontaktit me jashtë.

“Nuk kam dëgjuar ndonjëherë që Drejtoria Politike ishte pjesë e Shtabit të Përgjithshëm apo që të drejtonte ndonjë gjë. Nuk e kam dëgjuar ndonjëherë dhe nuk ka qenë as supozimi ynë. Supozimi ynë, dua të jem i qartë, supozim në mungesë të fakteve, ishte që Shtabi i përgjithshëm më shumë ishte organ ushtarak dhe përbëhej prej komandantëve lokalë që i ishin bashkuar në një mënyrë në një moment dhe drejtoria politike ishte në shumë organi që merrej me botën e jashtme”, tha Hill.

Hill: Marrëveshja e Ramboulletit rrëzoi pikëpamjet e Millosheviqit që shqiptarët s’bëhen bashkë për asgjë

1 muaj më parë / 12 nën 2025 11:12
Hill

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ramboulletit nga delegacioni shqitpar, sipas Christopher Hill ka rrëzuar pikëpamjet e Sllobodan Millosheviqit.

Sipas Hillit, Millosheviqi thoshte vazhdimisht që shqiptarët nuk mund të bëhen bashkë për asgjë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Koncepti i asaj kohe ishte që t’iu jepej mesazh i qartë serbeve, t’iu thuhet se kjo do të ndodhë kështu që ju është mirë që të bëheshit pjesë e procesit. Pra, është mënyra më e mirë që të mbronit interesat e Serbisë dhe të jeni pjesë e këtij procesi. Përderisa, Millosheviq kishte thënë shumë e shumë herë kishte thënë se shqiptarët nuk do të pajtohen dhe nuk bien dakord asnjëherë për asgjë dhe Marrëveshja në fakt e rrëzonte pikëpamjen e tij që shqiptarët nuk do pajtoheshin me asgjë”, tha ai.

Christopher Hill deklaroi se iu tha Millosheviqit se e kishte gabim se e arritën marrëveshjen dhe është radha e Sebrisë që të bëjë lëvizjen e saj.

“Ai kishte thënë gjatë gjithë kohës që shqiptarët nuk do pajtohen me asgjë dhe për rrjedhojë ne nuk na duhet të pajtohemi me asgjë. Ky ishte një mesazh i kundërt me atë se çfarë po thoshte Millosheviqi. Ne, po i thoshim Milloshevqit që ai e kishe gabim se e arritëm Marrëveshjen por ti do bësh mirë që të mendosh se cila do të jetë lëvizja e radhës e Serbisë”, tha Hill.

Dëshmitari u shpreh se nuk i kujtohet se në këtë marrëveshje kanë qenë katër nënshkrime, por e di se tri prej tyre të kujt kanë qenë. Tha se një ka qenë nga ana e UÇK-së, një nga LDK-ja dhe një nga grupi i intelektualëve të pavarur siç e quanin ata veten.

Hill: Pavarësia ishte slogan, vështirë të gjendej ndonjë shqiptar që thoshte dua autonomi

1 muaj më parë / 12 nën 2025 11:10
Christopher Hill

Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se shqiptarët e Kosovës çështjen e pavarësisë e kishin slogan. Ai tha se ishte e vështirë të gjendej ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte se duan thjesht autonomi.

“Kishte shumë persona që prezantoheshin se flisnin në emër të UÇK-së. Problemi ynë ishte që nuk kishim një pikë kontakti të konfirmuar me të cilën mund të komunikonim për të ardhmen. Çështja e pavarësisë së Kosovës ishte më shumë slogan. Të gjithë thonin se ky është qëllimi ynë. Ishte e vështirë të gjeje ndonjë shqiptar në Kosovë që thoshte duam thjesht autonomi”, tha Hill, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se shqiptarët e donin Kosovën Republikë si shtetet tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia.

“Personat shprehnin dhe thonin se unë e mbështes se Kosova do të jetë në Republikë. Pra, si të gjitha republikat tjera të shkëputura nga Jugosllavia. Pra, kur thoshin republikë e krahasonin me shtetet e tjera që ishin shkëputur nga Jugosllavia”, tha ai.

Hill theksoi se duke e pasur parasysh këtë, edhe filluan që të kërkojnë pika kontakti.

“Duke pasur këtë parasysh, ne filluam të kërkonim pika kontakti që ishin të besueshëm dhe vërtetë që mund të flisnin në emër të UÇK-së”, u shpreh ai.

Hill tha për Adem Demaçin se ka pasur kontakt me atë sepse ishte një person me ndikim. Por, sipas tij, ai më shumë fliste për veten sesa për UÇK-në

“Unë kam shpenzuar kohë me zotin Demaçi sepse ishte një person që kishte ndikim. Nuk besoj që ai fliste për UÇK-në, por fliste më shumë për veten”, deklaroi Hill.