Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

​Dita e Sigurisë në Punë i gjen punëtorët në Kosovë të pasigurt

Sot është Dita Ndërkombëtare të Sigurisë në Punë.

Gëzim Xërxa ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë, ka thënë se kjo ditë shënohet në nder të gjithë atyre që kanë humbur jetën në punë në gjithë botën.

Ai ka thënë se siguria dhe shëndeti në punë është fushë multidisiplinare.

Xërxa në emisionin SOT në KTV ka thënë se legjislacioni në vend është shumë i kënaqshëm lidhur me sigurinë e shëndetin në punë.

“Edhe në energjetikë ka pasur disa raste me fatalitet. Kemi edhe sëmundjet profesionale që ndodhin gradualisht. Ne ende nuk posedojmë listën esenciale të sëmundjeve profesionale. Edhe kjo gjë duhet të gjejë zgjidhjen e vet. Shoqata Kosovare për Siguri dhe Shëndetit në Punë vazhdimisht bënë aktivitete profesionale për shëndetin në punë”, ka thënë ai.

Edhe 74 punëtorë vdiqën gjatë 5 vjetëve të fundit, kërkohet ligj për shëndetin në punë Arbëri 74 punëtorë vdiqën gjatë 5 vjetëve të fundit, kërkohet ligj për shëndetin në punë

Xërxa ka thënë se gjatë gjashtë viteve të fundit ka dalë një mesatare që nga 15 persona e kanë humbur jetën. Këtë vit, sipas tij 107 persona kanë marrë lëndime.

Sipas tij, ka pasur lëndime edhe të fëmijëve.

Mimoza Dugolli profesoreshë e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës ka thënë se një numër i konsiderueshëm i ndërmarrjeve funksionon në mënyrë informale duke ua mohuar punëtorëve kontratat.

Sipas saj, kjo bën që punëdhënësit t’u ikin obligimeve.

“Punëtorët e kanë të vështirë t’i adresojnë çështjet e tyre nëse pësojnë lëndime në punë. Pastaj nuk ka as bazë ligjore që mund të fillosh. Ka edhe ndërmarrje që janë të rregullta. Duhet të përmendim që në Kosovë ka implementim të projekteve ndërkombëtare dhe ata i kanë kushtëzuar ndërmarrjet me kompletimin e kushteve ligjore që të fitojnë grante. Kjo ka ndihmuar mjaft në adresimin e kësaj çështje. Unë kam audituar edhe institucione publike, adresimi i këtyre çështjeve është zero, ndërsa kompanitë private kanë nisur të bëjnë hapa të vegjël lidhur me këtë”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar trajtimi i çështjes së sigurisë në punë kërkon alokimin e një buxheti specifik.

Edhe Për gjashtë muaj, 13 vdekje në vendet e punës Arbëri Për gjashtë muaj, 13 vdekje në vendet e punës

Zëvendëskryeinspektori i Sigurisë në Punë, Agim Millaku, ka thënë se siguria në punë nga viti në vit po avancon, por sipas tij, numri i aksidenteve po vjen duke u shtuar.

Sipas tij, kjo pasi është ngritur edhe vetëdija për lajmërimin e rasteve.

Millaku ka thënë se siguria në punë nuk është në nivel e kënaqshëm përkundër se ka avancuar.

Ai ka shtuar se sektori më i prekur është ai i ndërtimtarisë.

“Zakonisht kemi probleme me rënie nga lartësia. Por edhe këtu kemi përmirësime sepse kompanitë kanë filluar të mbajnë rregull. Edhe në sektorët tjerë, qoftë në shtetëror ose privat, gjendja në tërësi është më e mirë kur ambientet janë të mbyllura. Edhe këtu kemi mangësi sidomos tash në kohën e koronavirusit”, ka thënë ai.

Edhe Hoxha: Të ketë sa më shumë ndëshkime për kompanitë që s’i zbatojnë rregullat për sigurinë e punëtorëve Arbëri Hoxha: Të ketë sa më shumë ndëshkime për kompanitë që s’i zbatojnë rregullat për sigurinë e punëtorëve

Dita Botërore për sigurinë dhe shëndetin në punë është një pjesë integrale e Strategjisë Globale mbi Sigurinë dhe Shëndetin në Punë e drejtuar nga ILO, e cila promovuan krijimin e një sigurie globale parandaluese dhe të një kulture shëndetësore me përfshirjen e të gjithë aktorëve.