OpEd

Kosova me ligj, por pa siguri në punë

Nga: Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike në Kosovë 

Në Kosovë ndër vite janë raportuar raste kur në vendin e punës punëtorët – me theks të veçantë të punësuarit në sektorin e ndërtimtarisë - janë lënduar dhe në disa raste, fatkeqësisht, kanë përfunduar me fatalitet, pra me humbje jete, duke u shndërruar në një realitet të hidhur.

Përveç Ligjit të Punës, nga viti 2013 në fuqi është edhe Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë, qëllimi i të cilit është përcaktimi i masave për përmirësimin e shkallës së sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në sektorin publik, privat, publiko-privat dhe sektorin e administratës shtetërore të nivelit qendror dhe lokal.

Ky ligj, ndër të tjera, parasheh masa për përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, me theks të veçantë në parandalimin e rreziqeve profesionale, eliminimin e faktorëve të rrezikut dhe aksidenteve në vendin e punës.

Sipas raportit të Inspektoratit të Punës, nga viti 2022 deri në vitin 2024 në Kosovë janë raportuar mijëra aksidente me lëndime të rënda dhe të lehta, kurse në vend të punës kanë vdekur gjithsej 33 punëtorë. Kurse, viti 2025 ka tendencë të jetë rekord i rasteve me fatalitet, për faktin se vetëm në katër mujorin e parë të këtij viti u raportuan 10 raste të vdekjes në vendin e punës, pjesa më e madhe e tyre në sektorin e ndërtimtarisë.

Po ashtu, duke qenë se një ndër problemet  mbetet edhe punësimi informal, me theks të veçantë në sektorin e ndërtimtarisë – por jo vetëm, kërkohet rritja e inspektimeve me qëllim që të eliminohet informaliteti dhe që punëtorët të gëzojnë sigurim shëndetësor apo pensional dhe mbrojtje juridike në rast të aksidenteve në vend të punës.

Ku po dështon Kosova në këtë aspekt? 

Ligji i Punës në Kosovë e garanton të drejtën për një vend pune të sigurt, për mbrojtjen e shëndetit dhe një ambient pune të përshtatshëm. Ai e detyron punëdhënësin jo vetëm të marrë masa parandaluese, por edhe ta informojë punëtorin për çdo rrezik para se i njëjti ta nisë punën. Në letër, edhe pse mund të tingëllojë si duhet, është dëshmuar që realiteti nuk është i tillë. Përtej zbatimit të dobët, vetë ligji lë shumë për të dëshiruar, për faktin se nuk ka arritur asnjëherë që ta përmirësojë standardin e mbrojtjes së shëndetit në punë në sektorët e rrezikshëm. Duke qenë se ky ligj është në fuqi nga viti 2010, mbetet domosdoshmëri që i njëjti të harmonizohet me direktivat e Bashkimit Evropian dhe të adaptohet në pajtim me nevojat reale të tregut të punës në Kosovë. Nga një rishikim i tillë nuk duhet të përjashtohet as ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Kur jemi te korniza ligjore, meqë sektori i ndërtimtarisë mbetet më i predispozuari ndaj rrezikut për lëndime dhe humbje jetësh të punëtorëve, Ligji për Ndërtim duhet të rishikohet dhe të njëjtit t’i shtohen dispozitat që i përcaktojnë masat që duhen ndërmarrë për sigurimin e objekteve gjatë ndërtimit në vendndërtim, për t’i evituar mundësitë për rrezik potencial për shëndetin dhe jetën e punëtorëve. Përveç kësaj, qeveria duhet ta nxjerrë aktin nënligjor “Kodi Unik i Ndërtimit”, që parashihet me këtë ligj tash e 13 vjet, me synimin e përmirësimit të standardit të ndërtimit, duke i përfshirë edhe kushtet në punë.

Përpos kornizës legjislative, nga ana e Institucionit të Avokatit të Popullit është konstatuar se Kosova po dështon edhe me mungesën e stafit në kuadër të Inspektoratit të Punës, mungesën e trajnimeve profesionale për stafin dhe punëtorët, ngecjen në digjitalizimin e të dhënave dhe mosfunksionalizimin e një databaze e cila do të përmbante detaje mbi aksidentet në punë sipas sektorit, moshës, gjinisë etj.

Rritjes së numrit të aksidenteve në punë, e rrjedhimisht edhe të rasteve me fatalitet, po vazhdojnë t’i kontribuojnë vetë institucionet publike, duke mos funksionalizuar mjekësinë e punës, Këshillin Nacional për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Këshillin Ekonomiko-Social dhe duke mos e hartuar listën e sëmundjeve profesionale.

Prandaj, duke qenë se vetë institucionet publike po dështojnë të krijojnë infrastrukturë të duhur për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve në vendin e punës, ato duhet të mbahen përgjegjës për aksidentet, përfshirë edhe vdekjet e punëtorëve në vend të punës.

E me qëllim që të kërkohet përgjegjësi nga institucionet publike që i mohojnë ose i shkelin të drejtat nga marrëdhënia e punës, punëtorët tashmë e kanë një adresë për t’i realizuar të drejtat e tyre në rrugë administrative apo gjyqësore përmes procesit gjyqësor strategjik.

Kjo mund të bëhet përmes raportimit të rasteve të tyre dhe procedimit nga Qendra Raste Gjyqësore Strategjike, ku përveçse paditësi individual arrin ta fitojë të drejtën e mohuar, rasti i tij mund t’i shërbejë interesit publik si precedent për individët e tjerë në situatë të ngjashme. 

(Ky editorial është shkruar në kuadër të projektit Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike të projektit “Human Rightivism” të mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë dhe zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar - CDF)