Arbëri

Diplomojnë 426 policë të rinj

Gjenerata e 55-të e kadetëve policorë të Policisë së Kosovës sot ka diplomuar. Në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe u.d. i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmeti, i cili ka deklaruar se Kosovës po i bashkohen edhe 426 policë të rinj.

“Duke marrë parasysh se PK-ja ka një imazh të mirë te qytetarët ju duhet të kontribuoni që akoma më shumë të ngrihet niveli i besueshmërisë te qytetarët. Policëve të rinj ju dëshiroj shëndet dhe suksese në detyrën e re në shërbim të qytetarëve”, ka deklaruar Mehmeti.

426 policët e rinj kanë pranuar certifikatat dhe kanë dhënë betimin zyrtare se do e zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e policisë.

Këtë trajnim së bashku me kadetët policorë e kanë përfunduar edhe 5 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga komponenta e Policisë Ushtarake. Gjithashtu janë ndarë mirënjohje për 14 kadetët policorë si kapitenë të klasave dhe 20 kadetëve policorë për rezultatet më të larta të arritura gjatë kohëzgjatjes së trajnimit.

Nga 2 nëntori i këtij viti, policët e rinj do të fillojnë të shërbejnë në kuadër të Policisë së Kosovës, duke vazhduar me programin e trajnimit fushor për policët e rinj në stacione policore për dy vjet.