Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dështon seanca ku të akuzuar janë 20 policë për kontrabandë në veri të vendit

Ka dështuar të mbahet seanca ku pritej të jepej fjala përfundimtare në rastin e 20 ish-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të akuzuar për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare e kontrabandë me mallra në veri të vendit.

Seanca dështoi të hënën, pasi mungoi i akuzuari Abdurrahim Haxhiq.

Mbrojtja tha se ai është duke u trajtuar në Spitalin e Kralevës në Serbi pas aksidentit që ka pësuar në trafik më 21 korrik. Ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës - shqiptarë, serbë e boshnjakë - akuzohen nga Prokuroria Speciale se kanë pranuar ryshfet për ta lejuar kontrabandimin e kafshëve, derivateve të naftës, pijeve alkoolike e joalkoolike, si dhe produkteve ushqimore nga Serbia në Kosovë e anasjelltas në periudhën 2017-2019.

Gjyqtari kryesor, Mentor Bajraktari, vendosi që seanca e radhës, kur do të jepet fjala përfundimtare, të mbahet më 6 shtator.