Kronikë

Avokatët kërkojnë lirimin e ish-policëve, Prokuroria u tërhoq nga akuzat për ryshfet

Për rastin ku 20 ish-policë akuzohen për korrupsion lidhur me kontrabandë në kufirin me Serbinë, të hënën është mbajtur seanca e fjalës përfundimtare. Avokatët e 18 të pandehurve kanë kërkuar lirimin e tyre pas tërheqjes së Prokurorisë Speciale nga akuza për ryshfet. Në seancë u akuzua edhe një zv.ministër aktual për kontrabandë në veri

Avokatët e 18 prej 20 ish-policëve të akuzuar për krim të organizuar lidhur me kontrabandë e korrupsion në veri, në periudhën 2017-2019, kanë kërkuar lirimin e të pandehurve nga akuzat.

Kërkesat e tyre u bënë të hënën, në seancën e fjalës përfundimtare për këtë rast në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi Prokuroria Speciale ditë më parë është tërhequr nga një pjesë e aktakuzës së ngritur më 2020.

Pas tërheqjes së Prokurorisë nga akuzat për ryshfet, 18 prej grupit të policëve akuzohen vetëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare, derisa ndaj ish-policit N.B., Prokuroria ka tërhequr akuzat, kurse Burim Merovci e ka pranuar fajësinë.

“I kërkojmë gjykatës që gjatë marrjes së vendimit përfundimtar ta marrë parasysh si rrethanë lehtësuese që klienti im nuk ka asnjë precendent tjetër penal, sinqeritetin e tij dhe bashkëpunimin e tij në çdo fazë të procedurës, shpalljen e tij si dëshmitar bashkëpunues dhe pranimin e fajësisë”, ka theksuar avokatja e tij, Fatlume Korça Sekiraqa.

E avokati Predrag Milkoviq, mbrojtës i Blagoje Lazoviq, njëri prej 18 policëve që nuk e kanë pranuar fajësinë, tha se deklarimet e Merovcit janë kundërthënëse.
“Gjatë tërë kësaj procedure i ka dhënë pesë apo gjashtë deklarata, tash avokatja tha që i mbetet pranë të gjithë deklaratave. Në deklaratën e parë më 25.05.2019 tha se kurrë nuk ka marrë ryshfet dhe se s’kishte informata a e ka bërë tjetërkush atë punë. Deklaratën e dytë e ka bërë më 17.07.2019 kur thonte se të gjithë kanë marrë ryshfet e edhe ai ka marrë se s’kishte zgjidhje”, ka deklaruar Milkoviq.

Avokatët thanë se Prokuroria Speciale as në aktakuzën e saj e as në shqyrtim gjyqësor nuk ka arritur ta vërtetojë përgjegjësinë e 20 ish-policëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sipas tyre, Prokuroria nuk e ka vërtetuar se kur, ku dhe sa herë e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

“Në fillim kemi pasur aktakuzë për krim të organizuar, për marrje ryshfeti, si dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, e prej tyre ka mbetur vetëm një…Mendoj që kjo është dobësi e sistemit kosovar të drejtësisë”, ka theksuar avokati i Lubisha Vujinoviqit, Sërgjan Mitroviq.
Prokurori i Prokurorisë Speciale, Burim Çerkini, iu kundërpërgjigj akuzave të të pandehurit Dragosh Kompiroviq, i cili tha se Prokuroria ka manipuluar me rastin.
“Ne e inkurajojmë që eventualisht nëse ke treguar diçka me dhunë apo me forcë siç e deklaroi sot në fjalën përfundimtare i din zyrat e Prokurorisë Speciale dhe do ta shqyrtojmë çdo gjë që ai e ka”, është shprehur prokurori.
Çerkini është tërhequr nga një pjesë e akuzave në seancën e mbajtur javën e kaluar.

I akuzuari Zoran Radunoviq e akuzoi Zvezdan Spasojeviqin, dikur shef i tij në polici, se merrej me kontrabandë. E akuzoi edhe Radoica Radomiroviqin, zëvendësministrin aktual në Qeverinë e Kosovës, për përfshirje në kontrabandë në veri.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar për datën 27 tetor.