Arbëri

Deponi në kënd lodrash në Taukbahqe

U mbyllën në vitin 2016 pas një vlerësimi të Inspektoratit të Prishtinës se lodrat nuk ishin të sigurta për fëmijët e kryeqytetit.

Por, që atëherë, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur që të bindë shfrytëzuesin që t’i largojë ato.

Kjo ka bërë që hapësira të mos lirohet nga lodrat dhe mjetet e tjera. Ato vazhdojnë të qëndrojnë në fillim të Taukbashqes, duke i dhënë pamjen e një deponie kësaj hapësire.

Banaku që dikur përgatiteshin pije, është shndërruar në vend që vizitohet nga persona problematikë, thonë banorët e këtushëm.

Bari është rritur e si pasojë, kjo është bërë ndër vendet më të shëmtuara në këtë pjesë.

Banorët kërkojnë zgjidhje.

Në vend të tyre është paraparë të ndërtohen 4 fusha tenisi për të cilat është marrë vendim edhe në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Por as kjo ende nuk ka ndodhur.

E kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se lodrat kanë mbetur aty pasi që pronari nuk i ka larguar ende. Kjo, sipas tij, për shkak të kostos së lartë.

“Nuk ka pasur proces gjyqësor për vendimin tonë që lodrat të largohen. Shfrytëzuesi nuk po i largon ende për shkak të kostos së lartë. Sa u përket fushave të tenisit, Ministria e Kulturës dhe Federata e Tenisit janë marrë me projektin dhe e di që tashmë ka një fitues”, ka thënë Ahmeti për KTV-në.

Që shumë shpejt hapësira do të rigjenerohet, kanë premtuar në Ministrinë e Kulturës.

“Projekti është përzgjedhur, jemi në fazën e planifikimit për aktivitet të Prokurimit të realizimit të projektit. Ju e dini që Prishtinën e kam në prioritet!”, ka thënë ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi.

Vendim për largim të lodrave të tilla, Komuna e Prishtinës kishte marrë edhe për ato që ndodhen pranë QKUK-së, por që të njëjtat po ashtu vazhdojnë të qëndrojnë jashtë funksionit, por në vendin e njëjtë.