Arbëri

Deliu për vendimin e sotëm të Speciales në rastin “Thaçi e të tjerët”: Test serioz për gjykatën

Blerta Deliu Kodra

Trupi gjykues në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së do të shpallë të mërkurën, më 16 korrik, vendimin mbi mocionin e përbashkët të Mbrojtjes që kërkon rrëzimin e disa pjesëve të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra për EO kritikoi mungesën e mbështetjes nga Qeveria për këtë proces.

“Mbështetja është dashur të jetë shumë më e fuqishme, sidomos në lidhje me zhvillimet e fundit, të cilat i kemi parë dhe ndalja e mjeteve për këtë institucion nga Qeveria natyrisht ka qenë pengesë e madhe për një proces tejet të ndjeshëm atje. Shpresoj që gjykata sot me vendimin e saj do ta mirëpresë propozimin e palës mbrojtëse. Është një test serioz për gjykatën dhe nëse ka drejtësi besoj që gjykata do ta pranojë propozimin e palës mbrojtëse për të dëshmuar edhe një herë objektivitetin e saj në një proces tejet të ndjeshëm për Kosovën”, tha Deliu-Kodra.

Ajo vlerësoi se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për procesin në Hagë ka qenë minimale.

“Disa herë kemi diskutuar lidhur me nevojën e mbështetjes së Qeverisë për këtë proces që po zhvillohet në Hagë. Është proces që lidhet me Republikën e Kosovës. Çfarëdo vendimi që do të ndërmerret atje nuk do të jetë vendim që do të jetë për një emër të përveçëm, por i përket të kaluarës e të ardhmes së Kosovës si dhe qytetarëve të saj. Mbështetja për procesin që po ndodh ka qenë minimale dhe natyrisht që fondet, të cilat janë ndërprerë për atë proces kanë qenë të ditura. Tashmë i kemi dëgjuar deklaratat dhe qëndrimet publike për këto fonde, të cilat janë ndaluar nga Qeveria”, shtoi ajo.

Deliu-Kodra u shpreh optimiste se Gjykata do të marrë një vendim të drejtë, që do të reflektojë objektivitetin dhe do të sjellë drejtësi për çlirimtarët e Kosovës.

“Është një proces i rëndë, një proces që lidhet me të ardhmen e Kosovës. Natyrisht, duhet të ketë drejtësi dhe ne besojmë fuqishëm. Jam optimiste dhe besoj që do të jetë ngadhënjyes për çlirimtarët që po mbahen në Hagë”, ka thënë ajo.
Seanca gjyqësore në Hagë do të nisë në orën 09:00 dhe konsiderohet moment kyç pas përfundimit të fazës së provave të Prokurorisë.