Pas zhvillimit të takimit të liderëve të rajonit në kuadër të Procesit Brdo-Brione të hënën në Shkup, nga kryeqyteti maqedonas është thënë se ky takim është mbajtur për t’u theksuar rëndësia kritike e përshpejtimit të procesit të integrimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.
Në deklaratën e udhëheqësve të këtij Procesi, është thënë se sikurse BE-ja edhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë gati për zgjerim sa më shpejt të jetë e mundur, duke shtuar se ky qëllim duhet të arrihet jo më vonë se viti 2030.
“Duke pasur parasysh agresionin e vazhdueshëm rus kundër Ukrainës dhe efektin e tij të përhapur në Ballkanin Perëndimor, ne përsërisim domosdoshmërinë e një BE-je të fortë dhe gjithëpërfshirëse, me Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj. Ne e pranojmë se reformat gjithëpërfshirëse politike, ekonomike dhe sociale janë thelbësore për anëtarësimin në BE. Angazhohemi të intensifikojmë përpjekjet tona në zbatimin e reformave në Ballkanin Perëndimor që synojnë rritjen e sundimit të ligjit, prosperitetit, funksionimit të institucioneve demokratike dhe administratës publike”, thuhet në këtë kumtesë.
Në këtë deklaratë është përmendur edhe trajtimi i sfidave të ndryshimeve klimatike, për çka është thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor angazhohen të përshpejtojnë tranzicionin drejt burimeve të rinovueshme të energjisë.
“Ne mirëpresim Paketën e Mbështetjes së Energjisë prej 1 miliard euro për Ballkanin Perëndimor, me të cilën BE-ja zgjeroi të njëjtat masa solidariteti që ishin marrë brenda BE-së pas agresionit të Federatës Ruse kundër Ukrainës, si mbështetja e familjeve të cenueshme dhe ndërtimi i infrastrukturës së re energjetike”, thuhet në deklaratë.
Edhe
Pritje të vogla nga Procesi i Bërdo-Brionit
Edhe shqetësimi për emigrimin e të rinjve nga Ballkani Perëndimor është përmendur në këtë deklaratë, ku është thënë se është i rëndësishëm bashkëpunimi dhe mbështetja e BE-së në mbajtjen e të rinjve në rajon.
“Angazhimi dhe partneriteti i BE-së janë thelbësore në sigurimin e zbatimit të suksesshëm të strategjive që synojnë të ushqejnë dhe shfrytëzojnë potencialin e të rinjve. Duke nxitur shoqëritë gjithëpërfshirëse dhe të hapura, ne synojmë të krijojmë një mjedis që inkurajon të rinjtë të qëndrojnë ose të kthehen dhe të kontribuojnë në zhvillimin kolektiv të rajonit”, thuhet në deklaratë.