Arbëri

Zgjerimi i Bashkimit Evropian nën presionin e sigurisë

Lufta në Ukrainë, ndikimi rus në rajon dhe pasiguria politike në Ballkanin Perëndimor e kanë kthyer zgjerimin nga një proces teknik në një urgjencë gjeopolitike. Ekspertë dhe politikanë në kuadër të Konferencës së Sigurisë theksuan se kërcënimet e reja të sigurisë po riformësojnë qasjen e BE-së ndaj rajonit

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ka hyrë në një fazë të re, ku lufta në Ukrainë e ka kthyer atë nga një proces teknik, shpesh i bllokuar, në një urgjencë gjeopolitike, është thënë në ditën e tretë të Konferencës së Sigurisë që po mbahet në Beograd. 

Në panelin “Resetimi i zgjerimit. Qasje e re për Ballkanin Perëndimor”, u theksua se dinamikat politike dhe sfidat e brendshme të BE-së po e rimodelojnë rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Analisti politik Agon Maliqi, tha se projekti evropian në rajon historikisht ishte një “projekt paqeje”, por ngecjet në dekadën e fundit e kanë dobësuar fuqinë transformuese.

“Rajoni ka ngecur për shkak të sigurisë, çështjeve të pazgjidhura bilaterale. Mes Kosovës e Serbisë, pastaj Maqedoni e Veriut- Bullgari. Duhet rol më proaktiv nga BE, vete Komisioni Evropian. Po ashtu SHBA  është më shumë e përfshirë në rajon sesa që njerezit mendojnë. Do te ketë një rol të SHBA-së në zgjidhjen e cështjeve të sigurisë në Ballkan, dhe eliminimim e pengesave qe lidhen edhe me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor”, theksoi Maliqi.

Biljana Papoviq, sekretare e Shtetit për Çështjet Evropiane në Mal të Zi, ofroi perspektivën e vendit që ka avancuar më së shumti në procesin e anëtarësimit. Ajo përmendi se mbi 80% të qytetarëve të Malit të Zi mbështesin anëtarësimin në BE.

“Tani kur negociojmë mbylljen e disa kapitujve e shohim se nuk mund te bëhet vetem pa mbështetje edhe në rajon, jo vetem Shqipëria që ëhstë në këtë proces, por duam të shohim edhe shtetet e tjera që avancojnë në këtë drejtim. Po përpiqemi ti mbyllim kapitujt dhe ta rrisim bashkëpunimin rajonal”, deklaroi Papoviq.

Ish-ministri i Financave i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Besimi, foli për aspektet  ekonomike dhe politike, duke theksuar se integrimi i rajonit nuk është thjesht proces teknik, por çështje strategjike për vetë BE-në.

“Nëse flasim për reforma është fakt se ka shpenzime në para, kohë, pra duhet zëri i vendimmarrësve. Nuk eshtë se kërkojmë para por mbështetje për reforma nga BE-ja. Por është fakt po ashtu se politikanët bëjnë kalkulime me zgjedhje në Ballkan, ka populistë dhe përfundojmë në situatën ku reformat ngecin”, tha Bislimi. 

Tanja Mishçeviq, ish-ministre e Serbisë për Integrim Evropian, argumentoi se BE-ja ka miratuar tashmë një qasje të re ndaj zgjerimit, të motivuar nga gjeopolitika. 

“Pas luftes në Ukrainë reflektohet thirrja e gjatë për lëvizje të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE, përmes projekteve të ndryshme sikurse ai i fundit - Plani i Rritjes. Problemi me planin e rritjes është se nuk ka lidhje me zgjerim, pra nuk nuk e dijmë si do të ndikojë në integrim zbatimi i klauzolave të këtij Plani”, deklaroi Misheviq.

Moderatorja e Panelit, ish-ministrja e Integrimit në Shqipëri, Majlinda Bregu, theksoi se kostot e anëtarësimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë minimale për BE-në, vetëm rreth 1% e GDP-së, tek shtoi se debati për zgjerimin është më shumë politik dhe strategjik sesa ekonomik.