Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka deklaruar se nuk pret ndonjë zhvillim të ri në përpjekjen e radhës për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se zgjidhja e ngërçit nuk është në dorën e tij, por të partive politike.
“Nuk pres ndonjë gjë të re për sot, edhe pse do të dëshiroja të kishte. Ka kaluar shumë kohë, por kjo nuk varet prej meje – varet nga krerët e partive politike. Unë jam vetëm një drejtues teknik. Shpesh njerëzit më thonë pse nuk po jap zgjidhje kësaj situate, por nuk është roli im të jap apo të mos jap zgjidhje, apo të imponoj ndonjë vendim”, u shpreh Dehari para mediave.
Ai ka deklaruar se ka dëgjuar pretendime se ai ka një skenar, por tha se “skenari do të ndryshojë vetëm atëherë kur krerët e partive të arrijnë marrëveshje”, shkroi EO.
“Kam dëgjuar për pretendime se Avni Dehari ka një skenar të sekretariatit apo të Albin Kurtit. Në fakt, skenari i vazhdimit vjen nga sekretaria – më vjen mua, Sala Jasharit dhe të tjerëve në kabinet. Skenari do të ndryshojë vetëm atëherë kur krerët e partive të arrijnë marrëveshje, dhe unë do të isha shumë i lumtur që një skenar i tillë t’i japë fund këtij ngërçi”, tha Dehari.
