As tentimi i 22-të nuk ka rezultuar i suksesshëm në përpjekjen për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Votimi për formimin e komisionit për votim të fshehtë mori vetëm 54 vota pro. Një deputet votoi kundër e nuk pati asnjë abstenim. Seanca e ardhshme do të mbahet të enjten me fillim prej orës 11:00.
Kuvendi: Shoqëria civile duhet të bëjë kërkesë tre ditë para për të ndjekur seancën konstituive
Përfaqësuesit e shoqërisë civile që dëshirojnë të marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës duhet të parashtrojnë kërkesë së paku tre ditë pune përpara mbajtjes së saj. Kështu është nga Drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit pas akuzave të Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Cakolli më herët u shpreh se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka tejkaluar kompetencat pasi nuk iu lejua ta monitoronte seancën.
“Seancën konstituive të Kuvendit, me ftesë të kryesuesit, mund ta përcjellin përfaqësuesit e korit diplomatik, përfaqësues të institucioneve shtetërore, mysafirë të posaçëm (përfaqësues të familjeve emblematike). Në funksion të transparencës seancën mund ta përcjellin përfaqësuesit e mediave të akredituara. Nga lozha e sallës plenare seancën gjithashtu mund ta përcjellin përfaqësues të shoqërisë civile, sipas kërkesës të parashtruar së paku tre ditë pune para seancës (Rregullorja për rendin dhe qasjen e mediave dhe të publikut në punën e Kuvendit)”, thuhet në përgjigje për KOHËN nga Drejtoria për media e Kuvendit.
Limaj: Bashkëpunimi me Vetëvendosjen, në nivel parlamentar
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj deklaroi se qëndrimi i tyre për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje është vetëm për bashkëpunim në nivel parlamentar.
Kështu u shpreh ai para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive, ku deputetët u mblodhën për herë të 22-të në një tjetër tentim për konstituimin e legjislaturës së nëntë.
“Vazhdojmë të qëndrojmë në atë, bashkëpunim në nivel parlamentar”, deklaroi ai./KP
Cakolli akuzon Deharin për tejkalim të kompetencave: S’na u lejua monitorimi i seancës
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se nuk janë lejuar të hyjnë brenda seancës së sotme për monitorim si shkak i performancës që kanë zhvilluar si shoqëri civile para Kuvendit.
Ai ka thënë se në hyrje u është thënë se nevojitet kërkesë e re me shkrim.
“Pas performancës që zhvilluam sot si shoqëri civile para Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa kolegë deshëm të monitorojmë seancën – ashtu siç kemi bërë vazhdimisht prej më shumë se 15 vitesh, e veçanërisht pas 15 prillit. Por, kësaj here, sigurimi na ndaloi hyrjen, me arsyetimin se nevojitet kërkesë e re me shkrim, ndonëse një të tillë e kemi dorëzuar që më 10 prill, pas së cilës kemi marrë pjesë në pothuajse të gjitha seancat”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai tutje e ka akuzuar kryesuesin e seancës, Avni Dehari, për tejkalim të kompetencave, pasi nuk ka mandat për kufizim të pranisë së shoqërisë civile.
“Nga komunikimi me administratën e Kuvendit, na u bë e ditur se ky vendim reflekton qëndrimin e kryesuesit Avni Dehari. Ky veprim, pikërisht pas reagimit tonë publik, është jo vetëm pengesë e pajustifikueshme, por edhe tejkalim i kompetencave nga ana e kryesuesit, i cili nuk ka asnjë mandat për të kufizuar praninë e shoqërisë civile në Kuvend”, është shprehur ai.
KOHA ka dërguar pyetje në zyrën për media të Kuvendit të Kosovës, por deri në publikim të artikullit nuk ka marrë përgjigje.
Basha: Absurde që partitë që votuan Gjykatën Speciale e “Zajednicën” të mos votojnë komisionin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka deklaruar se janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e votimit të fshehtë, pasi partitë e tjera e kanë dërguar si lëndë për shqyrtim.
Basha tha pas dështimit të tentativës së 22-të për konstitutim të Kuvendit se është absurde që partitë që kishin votuar për themelim të Gjykatës Speciale dhe pro “Zajednicës”, të mos votojnë një komision.
“Është e paarsyeshme dhe absurde të mbahet shteti pezull për shkak se s’duan të votojnë një komisioni zgjedhor partitë politike që kanë votuar Gjykatën Speciale dhe ‘Zajednicën’. Iu ka dalë në rrugë komisioni zgjedhor dhe Albulena”, është shprehur deputeti i VV-së para mediave.
Ai ka shtuar se Vetëvendosje i ka ofruar alternativat për dalje nga ngërçi politik, derisa akuzoi kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, se “është hidhëruar”.
“Oferta për LDK-në ka qenë e sinqertë. Kemi mundur të japim rrugë. Deri në klasë tretë arsyetohet hidhërimi, pas asaj, edhe lideri partiak duhet të dalë mbi veten. Sidomos kur një parti që thirret se është institucionaliste. Është ajo që e bllokon institucionin pasi lideri është hidhëruar”, ka thënë Basha.
Quni: Vetëvendosje me fokus të veçantë në dy deputetë tanë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se dy deputetë të kësaj partie janë fokus i veçantë i Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit, Quni ka thënë se ata kontaktohen shpesh nga LVV-ja, por janë stabilë në qëndrimet e tyre.
“Një parti në këtë rast partia e parë nuk mundet t’i sigurojë votat e duhura është e pakuptimtë të vazhdohet me të njëjtën agjendë. Kur nuk janë të zor për të ofruar zgjidhje. Vetëvendosje do të duhej ta ofronte zgjidhjen. ... mund të them që kontaktohen të gjithë deputetët në forma të ndryshme. Kontaktohem edhe unë. Kontaktohemi nga zyrtarët e Vetëvendosjes e nga ndërmjetësuesit e tyre. Dy deputetë të LDK-së janë në fokus të veçantë. I kemi informatat i kemi përmbajtjen e bisedën të gjithë deputetët që më së shumti kontaktohen nga Vetëvendosja por ata janë stabil dhe i qëndrojnë... Format e presionit janë të ndryshme një nga to është edhe kjo formë që e potencuat.. duke ofruar benefite për bizneset e tyre familjare”, ka thënë ai.
Sipas Qunit, gjendja e krijuar së fundmi në Kuvend tregon se Vetëvendosje nuk i ka as votat për formimin e Qeverisë.
“Kur nuk janë të zotë për të ofruar zgjidhje, Vetëvendosja do të duhej të pranonte zgjidhjen”, ka shtuar ai.
Edhe një tentim i dështuar, sërish s’ka konstituim
As tentimi i 22-të nuk ka rezultuar i suksesshëm në përpjekjen për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Votimi për formimin e komisionit për votim të fshehtë mori vetëm 54 vota pro. Një deputet votoi kundër e nuk pati asnjë abstenim.
Seanca e ardhshme do të mbahet të enjten me fillim prej orës 11:00.
Zemaj për Vetëvendosjen: Zgjidhjen dhe fatin politik e kërkon te LDK-ja
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë partia fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit zgjidhjen e fatin e saj politik po e kërkon te LDK-ja.
Para fillimit të seancës të së martës, Zemaj ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është fajtori kryesor i gjendjes së krijuar lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, kjo parti nuk është e interesuar për marrëveshje politike.
“Zgjidhjen dhe fatin e tyre politik e kërkojnë te LDK-ja, por kur flasim për pushtetin atëherë flasim për fituesin që mund të dirigjojë zgjedhjen e organeve të reja. LDK-ja është i vetmi subjekt politik parlamentar që ka dhënë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë dhe për t’ia mundësuar qytetarëve të vendit por edhe Kosovës formimin e institucioneve të reja.
Fajtori kryesor i kësaj gjendje është Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ata zgjidhjen po e kërkojnë me joshje. Nuk janë të interesuar për marrëveshje politike që e ndihmon Kosovën”, ka thënë ai.
Çitaku: Bllokada është krijuar falë kokëfortësisë së Kurtit e ambicies së Haxhiut
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe deputeten e kësaj partie Albulena Haxhiu për bllokadën në Kuvend.
Ajo ka thënë se është detyrë e Kurtit që të sigurojë shumicën parlamentare.
Përkundër kësaj ajo ka thënë se PDK-ja është treguar konstruktive.
“PDK-ja gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë korrekte dhe konstruktive, dhe kemi ofruar rrugëdalje nga kjo gjendje e bllokadës në të cilën jemi futur, ekskluzivisht falë kokëfortësisë së zotëri Albin Kurtit dhe ambicies së zonjës Albulena Haxhiu”, është shprehur Çitaku, para nisjes së vazhdimit të 22-të të seancës konstituive të Kuvendit.
Ajo e ka ftuar Kurtin që të reflektojë.
“Edhe sot ju bëjmë ftesë që të reflektojnë, Kosova është shumë më e madhe sesa secili emër i përveçëm në atë sallë. Ne jemi të gatshëm për zgjidhje i kemi dhënë propozimet tona, shpresojmë që sot Kurti të reflektoje”, ka deklaruar Çitaku.
Dehari: Nuk pres ndonjë zhvillim të ri
Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka deklaruar se nuk pret ndonjë zhvillim të ri në përpjekjen e radhës për konstituimin e Kuvendit, duke theksuar se zgjidhja e ngërçit nuk është në dorën e tij, por të partive politike.
“Nuk pres ndonjë gjë të re për sot, edhe pse do të dëshiroja të kishte. Ka kaluar shumë kohë, por kjo nuk varet prej meje – varet nga krerët e partive politike. Unë jam vetëm një drejtues teknik. Shpesh njerëzit më thonë pse nuk po jap zgjidhje kësaj situate, por nuk është roli im të jap apo të mos jap zgjidhje, apo të imponoj ndonjë vendim”, u shpreh Dehari para mediave.
Ai ka deklaruar se ka dëgjuar pretendime se ai ka një skenar, por tha se “skenari do të ndryshojë vetëm atëherë kur krerët e partive të arrijnë marrëveshje”, shkroi EO.
“Kam dëgjuar për pretendime se Avni Dehari ka një skenar të sekretariatit apo të Albin Kurtit. Në fakt, skenari i vazhdimit vjen nga sekretaria – më vjen mua, Sala Jasharit dhe të tjerëve në kabinet. Skenari do të ndryshojë vetëm atëherë kur krerët e partive të arrijnë marrëveshje, dhe unë do të isha shumë i lumtur që një skenar i tillë t’i japë fund këtij ngërçi”, tha Dehari.
“Për çka ju kemi zgjedhë?” - Aksion para Kuvendit për moskonstitutim
Organizata të shoqërisë civile kanë zhvilluar një performancë simbolike para Kuvendit të Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë ndaj bllokimit të procesit të konstituimit të këtij institucioni.
Aksioni u organizua pak para se të niste përpjekja e 22-të për konstituim të Kuvendit.
Para hyrjes së Kuvendit janë vendosur ulëse që simbolizonin sallën plenare, ndërsa mbi to ishin vendosur pankarta me mesazhe që, sipas organizatorëve, pasqyrojnë papërgjegjësinë e deputetëve, shkroi EO.
Disa nga mesazhet e vendosura në karriget simbolike ishin: “120 rroga, 0 përgjegjësi”, “Deri kur?”, “Cirku i demokracisë”, “Ky nuk është serial – është shteti ynë”, “Për çka ju kemi zgjedhur?”.