Arbëri

Cakolli akuzon Deharin për tejkalim të kompetencave: S’na u lejua monitorimi i seancës

Avni Dehari

Avni Dehari

Foto: Driton Paçarada

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka thënë se nuk janë lejuar të hyjnë brenda seancës së sotme për monitorim si shkak i performancës që kanë zhvilluar si shoqëri civile para Kuvendit.

Ai ka thënë se në hyrje u është thënë se nevojitet kërkesë e re me shkrim. 

“Pas performancës që zhvilluam sot si shoqëri civile para Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa kolegë deshëm të monitorojmë seancën – ashtu siç kemi bërë vazhdimisht prej më shumë se 15 vitesh, e veçanërisht pas 15 prillit. Por, kësaj here, sigurimi na ndaloi hyrjen, me arsyetimin se nevojitet kërkesë e re me shkrim, ndonëse një të tillë e kemi dorëzuar që më 10 prill, pas së cilës kemi marrë pjesë në pothuajse të gjitha seancat”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai tutje e ka akuzuar kryesuesin e seancës, Avni Dehari, për tejkalim të kompetencave, pasi nuk ka mandat për kufizim të pranisë së shoqërisë civile. 

“Nga komunikimi me administratën e Kuvendit, na u bë e ditur se ky vendim reflekton qëndrimin e kryesuesit Avni Dehari. Ky veprim, pikërisht pas reagimit tonë publik, është jo vetëm pengesë e pajustifikueshme, por edhe tejkalim i kompetencave nga ana e kryesuesit, i cili nuk ka asnjë mandat për të kufizuar praninë e shoqërisë civile në Kuvend”, është shprehur ai.

KOHA ka dërguar pyetje në zyrën për media të Kuvendit të Kosovës, por deri në publikim të artikullit nuk ka marrë përgjigje.

Lexo përditësimet tjera
Tentimi i 20-të për konstituim të Kuvendit

Edhe një tentim i dështuar, sërish s’ka konstituim