Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka konstituuar legjislaturën e 11-të. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë thirrje edhe një herë për kohë shtesë, pasi sipas tij, duhet ende negociata me partitë tjera për të formuar institucionet. Kryesuesi Avni Dehari e miratoi kërkesën e Kurtit dhe kërkoi nga partitë që të ketë negociata. Pas kësaj, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit duke shkaktuar rrëmujë dhe ndërhyrjen e sigurimit. Seanca u ndërpre.
LDK-ja u bashkohet PDK-së dhe Aleancës në akuzat për LVV-në dhe Kurtin
Subjektet kryesore politike të përfaqësuara në Kuvend kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj Albin Kurti, për moskonstituimin e legjislaturës së re, brenda afatit 30-ditor të definuar nga Gjykata Kushtetuese.
Takimin e së shtunës, deputeti i Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj e ka cilësuar si “seancë të turpit” dhe, tek i është referuar faktit se salla e Kuvendit ka qenë e mbyllur në orët e mbrëmjes së të premtes, ka thënë se Vetëvendosja po e trajton këtë institucion si pronë të saj.
“Nëse dje simbolikisht ja kanë vu drynin sallës së kuvendit sot ja kanë vu drynin demokracisë... Kosova prej sot nuk ka më demokraci. Në këtë vend nuk ka as kushtetutë, as rend kushtetues. Zoti Kurti i ka shkatërruar, i ka suspenduar të gjitha institucionet demokratike të këtij vendi dhe është ndër ditët më të rënda që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës prej ekzistencës së saj si shtet sovran dhe i pavarur”, ka thënë Hoxhaj.
Edhe ligjvënës të Lidhjes Demokratike u janë bashkuar atyre të partive të tjera në kritika, një ditë pasi u shprehën dallime të mëdha mes kësaj partie dhe Vetëvendosjes, rreth arritjes së një marrëveshjeje koalicioni.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se e gjithë përgjegjësia bie mbi Vetëvendosjen.
“Po e shohim një papërgjegjësi totale nga subjekti i parë, i cili nuk po gjen mënyrën që të kryejë obligimin e vet kushtetues për ta prezantuar emrin e kryetarit të Kuvendit dhe për të bërë votimin dhe për t’u konstituar Kuvendi. Dhe kjo është vërtet fatkeqësi, është mungesë e madhe, por është papërgjegjësia e tyre. I bëj të gjithë qytetarëve thirrje që ta shohin këtë pamje të një Kuvendi i cili mblidhet dhe nuk arrin që të konstituohet, e përgjegjësia i takon subjektit më të madh”, u shpreh ajo.
Ndryshe nga deputetët e këtyre dy partive, për media nuk u deklaruan pas ndërprerjes së seancës ata të Aleancës.
Ka qenë deputetja e kësaj partie, Time Kadrijaj, ajo që ka gjuajtur me vezë në drejtim të Kurtit, veprim që u pasua me përplasje fizike mes deputetësh.
E, gjatë pritjes për vazhdimin e seancës, deputeti Burim Ramadani tha se Kosova ka humbur jashtëzakonisht shumë kohë, duke mos pasur institucione funksionale.
“Jemi në një situatë total absurde jo vetëm në aspektin legal edhe paqartësisë kushtetuese që për bindjen tonë dje ka përfunduar afati kushtetues por megjithatë kjo është situatë total absurde edhe politike edhe njerëzore edhe partiake”, ka thënë Ramadani.
Përfaqësues të këtyre partive, gjatë paraqitjeve publike, nuk dhanë shenja se do t’i përgjigjen ftesës së Kurtit për takim dhe as nuk folën për mundësinë e marrëveshjes me Vetëvendosjen, rreth çështjes së presidentit.
Vetëvendosja, bashkë me ligjvënës të komuniteteve e pa përfshirë ata të Listës Serbe, ka numrin e mjaftueshëm të votave për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe për ta votuar qeverinë. Por, për presidentin kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy rundet e para.
Pacolli e quan opozitën “të shkretë”: Po rreshtohen në të njëjtën linjë me Listën Serbe
Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, i ka quajtur partitë e deritashme opozitare “të shkretë”, duke i akuzuar për rreshtim në të njëjtën linjë me Listën Serbe për, siç thotë ajo, bllokimin e institucioneve të Kosovës.
Të shtunën, vazhdimi i seancës konstituive për legjislaturën e 11-të u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari pasi kryeministri në detyrë njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u godit me vezë nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
Pacolli i ka kritikuar deputetët opozitarë, duke thënë se “nuk dinë as kur e as për çfarë protestojnë”.
Ajo ka pretenduar se opozita po rreshtohet “në të njëjtën linjë me Listën Serbe” për të bllokuar funksionimin e institucioneve.
“Të shkretët, nuk dinë as kur e as për çfarë protestojnë! Gjuajnë me vezë Albin Kurtin, pikërisht njeriun që e shtriu sovranitetin në çdo cep të Republikës dhe e çliroi veriun nga bandat e dirigjuara nga Beogradi”, ka shkruar Pacolli.
Sipas saj, dallimi mes protestave të Vetëvendosjes në të kaluarën dhe protestave të sotme të opozitës qëndron te motivet e tyre.
“Dallimi është i qartë, ne protestonim për të mbrojtur territorin e Kosovës e kundër Gjykatës Speciale, ndërsa ata sot protestojnë sepse po i humbin privilegjet e tyre”, ka deklaruar ajo.
Sipas Pacollit, bllokimi i institucioneve dhe bashkimi i opozitës kundër Kurtit do të ndikojë në mbështetjen e tyre te qytetarët.
“Sa më shumë që bllokojnë e bëhen bashkë kundër Albin Kurtit, aq më shumë do të bie mbështetja për ta. Ne vazhdojmë fuqishëm me mbi 50%, ata le të mbesin të bashkuar, gjithnjë më të vegjël. Shteti nuk ndalet. VVazhdojmë!”, ka shkruar Pacolli.

Tensioni në Kuvend, lajm botëror
Ka bërë xhiron e botës, hedhja e vezëve në drejtim të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, të shtunën në Kuvend të Kosovës.
Media prestigjioze kanë raportuar për momentet tensionuese, pasi Kurti kërkoi shtyrjen e serishme të seancës konstituive. Pasi ai u ul në ulësen e deputetit, Kadrijaj u ngrit dhe në drejtim të tij hodhi disa herë me vezë. Situata u qetësua pas ndërhyrjes së deputetëve të tjerë dhe forcave të sigurimit.
Agjencia “Associated Press” ka publikuar videon me titull “Ligjvënësja opozitare hedh vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në seancën parlamentare”.
Agjencia “Reuters” u ka ofruar mediave fotografi e video nga rasti. Ndërkaq “The Guardian” ka publikuar videon duke e titulluar “ligjvënësja kosovare i hedh vezë kryeministrit”.
Publikimi ka zënë vend edhe në portalin e BBC-së. Momentin tensionues e ka publikuar edhe “Skynews”.
Rama: Kosova s’është pronë e Albin Kurtit
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për “papërgjegjësi institucionale” dhe “lojë të rrezikshme me funksionimin e shtetit”.
Të shtunën, Kurti kërkoi edhe një herë shtyrjen e vazhdimit të seancës konstituive, për siç tha ai, që t’u jepet kohë negociatave me parti të tjera për postin e presidentit. Ai tha se pa marrëveshje për presidentin, Kosova rrezikon zgjedhje të reja. E seanca e sotme u mbajt përtej afatit kushtetues që kërkon që Kuvendi të konstituohet 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Seanca u përcoll edhe me tensione. Deputetja e Aleancës Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Kurtit.
Në një reagim, Rama që në zgjedhje ka fituar duke përfaqësuar LDK-në, ka thënë se “Kosova nuk është pronë e Albin Kurtit”.
“Kushtetuta nuk është mjet për manipulime politike... Ajo që po shohim në Kuvendin e Republikës së Kosovës është papërgjegjësi e rëndë institucionale dhe një lojë e rrezikshme me funksionimin e shtetit. Afatet po kalojnë. Kuvendi mbetet i pakonstituuar. Institucionet po mbahen në bllokadë, ndërsa Albin Kurti vazhdon me kalkulime për pushtet. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk funksionon sipas nevojave politike të një partie. Afatet kushtetuese nuk presin derisa Albin Kurti t’i bëjë numrat. Kuvendi nuk mund të shndërrohet në instrument pazari për Presidentin, Qeverinë apo për mbijetesën politike të askujt”, ka shkruar Rama në Facebook.
Rama ka akuzuar Kurtin dhe Vetëvendosjen se “kur i kanë numrat flasin për demokraci” e se “kur nuk i kanë prodhojnë bllokada”.
“Me keqardhje po i shohim edhe skenat e sotme në Kuvend, ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit. Në një situatë të tillë të tensionuar politike, pamje të tilla nuk i bëjnë nder Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe duhet të na shqetësojnë të gjithëve. Deri kur do të jetojë ky popull në krizë, tension dhe përçarje politike? Populli i Kosovës nuk meriton politikanë përçarës që prodhojnë vazhdimisht kriza dhe trauma. Ka mjaft vuajtje ky popull. Ka mjaft përçarje. Ka mjaft kriza. Kosova ka paguar një çmim tepër të lartë për lirinë, demokracinë dhe shtetin e saj që institucionet sot të përdoren si monedhë për kalkulime politike. Albin Kurti mban përgjegjësi politike për mënyrën se si po e menaxhon këtë krizë. Detyra e një Kryeministri është të marrë përgjegjësi, të respektojë rendin kushtetues dhe të kontribuojë në stabilitetin e vendit”, ka shtuar Rama.
Britania – deputetëve: Punoni bashkë urgjentisht për të mirën e partneriteteve ndërkombëtare
Ambasada britanike në Prishtinë u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të punojnë së bashku në drejtim të formimit të institucioneve të reja, dhe këtë ta bëjnë urgjentisht.
Ambasada ka përçuar mesazh përmes Facebookut me thirrjen që zgjidhja e situatës politike të bëhet sa më shpejt për të mirën e popullit dhe të partneriteteve që Kosova ka me shtetet e tjera.
“Kjo është përgjegjësi e politikanëve të Kosovës dhe jo e sistemit të saj. Ata tani duhet urgjentisht të punojnë së bashku për ta zgjidhur këtë situatë përmes dialogut paqësor dhe negociatave, për të mirën e popullit të Kosovës dhe partneriteteve ndërkombëtare”, shkruan në reagimin e Ambasadës.
Fotot dhe videot që tregojnë hedhjen e vezëve nga Kadrijaj drejt Kurtit
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka hedhur vezë në drejtim të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, pasi ai kërkoi edhe një shtyrje të seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit.
Fotoreporteri i KOHËS, Driton Paçarada ka shkrepur momentet kryesore të tensioneve të sotme në Kuvend.









VIDEOT:
KDI: Deputetët t’i drejtohen Kushtetueses, ka tejkaluar rrafshi i mosmarrëveshjeve politike
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) po e konsideron absurde dhe të papranueshme situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke vlerësuar se afati detyrues 30-ditor ka përfunduar dhe se LVV-ja nuk e ushtroi përgjegjësinë ekskluzive për ta propozuar kandidatin për kryeparlamentar.
Sipas KDI-së, Lëvizja Vetëvendosje “me vetëdije” po e vazhdon “bllokadën institucionale”.
“Kjo situatë tashmë e ka tejkaluar rrafshin e mosmarrëveshjes politike ndërmjet partive parlamentare. Skadimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit ka krijuar një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese për vlefshmërinë e procedurës së mëtejshme. Një kandidaturë e paraqitur me vonesë, një ndërprerje e re 48-orëshe apo një marrëveshje eventuale politike nuk mund t’i fshijnë vetvetiu pasojat e mosveprimit brenda afatit”, thuhet në komunikatën e institutit.
KDI-ja ka deklaruar se së paku dhjetë deputetë duhet t’i referohen menjëherë Gjykatës Kushtetuese me vendimet dhe veprimet e ndërmarra pas skadimit të afatit duke i kërkuar disa përgjigje.
“Nëse mosushtrimi brenda afatit i së drejtës së propozimit e ka shteruar mandatin e kësaj përbërjeje për përfundimin e procesit konstitues; çfarë vlefshmërie juridike kanë veprimet e ndërmarra pas skadimit të afatit; dhe cila procedurë kushtetuese duhet të ndiqet më tej, përfshirë hapjen e rrugës për zgjedhje të reja”, thonë pyetjet që sipas KDI-së duhet të dërgohen në Kushtetuese.
Kurti: Nuk besoj se duhet t’i shpallim të përfunduara përpjekjet për marrëveshje
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, u ka bërë thirrje kryetarëve të partive të tjera sërish për bisedime për çështjen e presidentit. Ai ka përsëritur se konstituimi pa marrëveshje politike për presidentin do të çonte në zgjedhje të reja.
“Nuk propozuam një emër ndonëse i kemi votat për një gjë të tillë meqë çfarëdo konstituimi pa marrëveshje politike që do garantonte qëndrimin në sallë dhe votimin për presidentin do na shpinte te zgjedhjet e reja. Andaj insistimi ynë i drejtë dhe i dobishëm është që të ulemi të bisedojmë, të merremi vesh dhe vetëm nga lartësia e një marrëveshje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshje mes meje si kryetar i LVV me liderët e partive të tjera të konstituojmë Kuvendin, qeverinë dhe ta zgjedhim presidentin”.
Kurti ka shprehur qëndrimin se do të vazhdojë me përpjekjet për bisedime.
“Nuk ka kuptim që të mos bëjmë marrëveshje, mos të bashkëbisedojmë. Në këto orët e fundit mes fillimit të seancës dhe vazhdimit të kësaj seance kam pasur takim, kam shkruar letra, dhe nuk besoj që duhet t'i shpallim përpjekjet e dëshpëruara apo të përfunduara. Duhet të vazhdojmë të përpiqemi sepse kështu e kërkon kushtetutshmëria”.
VIDEO: Fjalimi i plotë
Kurti pranon të gjuhet me vezë “vetëm që të ulet në takim” me opozitën
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se “do të ishte i lumtur” po që se goditjet me vezë “janë çmimi” që ai duhet të paguajë për t’u ulur në takim me opozitën për negociata për formim institucionesh.
“Nëse gjuajtja me vezë dhe goditja e sakos dhe pantallonave të kryeministrit nga vezët që i hedh një deputete është çmimi që unë duhet ta paguaj në mënyrë që ata të ulen dhe bisedojnë, jam i lumtur ta paguaj këtë çmim vetëm të vijnë në takim. Unë nuk ankohem që ata hedhen vezë, ankohem që ata nuk duan të takohen”, ka deklaruar Kurti pas seancës së shtyrë të Kuvendit.
Në këtë seancë ndaj tij, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj hodhi vezë.
VIDEO: Fjalimi i plotë
Hoxhaj: Dje ia vunë drynin sallës së Kuvendit, sot demokracisë
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova sot ka hyrë në një fazë të re derisa i ka bërë thirrje kryetarit të LVV-së Albin Kurtit që ta propozojë kandidatin për kryeparlamentar.
Ai ka theksuar se vendi ka lëvizë “drejt një anarkie të plotë, burim i së cilës është Albin Kurti dhe LVV”.
“E kishim një seancë të turpit. Nëse dje simbolikisht ia vunë drynin sallës së Kuvendit, sot ia kanë vu drynin demokracisë meqë dot do duhej të propozohej emri për kryetar të Kuvendit, një gjë të tillë LVV nuk e bëri që po e konsideron Kuvendin pronë të saj. Sot ka qenë seancë antikushtetuese antidemokratike. Presim që qytetarët ta shohin dhe ta gjykojnë këtë situatë dhe ta dënojnë këtë subjekt politik”, ka thënë ai pas ndërprerjes së seancës konstituive.
Hoxhaj e ka përshkruar si një prej ditëve më të rënda për Kosovën të shtunën kur seanca konstituive u ndërpre pasi Kurti kërkoi sërish kohë shtesë për bisedime ndërpartiake.
“Kosova prej sot nuk është më demokraci, në këtë vend nuk ka Kushtetutë as rend kushtetues. Kurti i ka suspenduar të gjitha institucionet demokratike. Është një nga ditët më të rënda që ka pasur Kosova prej ekzistencës së saj si shtet sovran dhe i pavarur”.
Hoxhaj ka shtuar se Kosova nuk gjendet më vetëm në krizë politike por se është në “shthurje të shtetit”.
“Nuk ka pasur udhëkryq më të madh politik se kjo nuk është më krizë e thjeshtë politike. Nëse shkojmë tri herë në zgjedhje, rrezikojmë të shkojmë edhe një herë, nuk është më krizë politike, as bllokadë institucionale, është shthurje e shtetit të Kosovës”.
Basha: Kurtin po e sulmojnë ata që e pritshin Radoiçiqin në kryeministri
Dimal Basha, ministër në detyrë i Infrastrukturës, ka komentuar hedhjen me vezë nga deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj ndaj kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
“Kryeministri i fton për diskutim e marrëveshje, këta sulmojnë e ofendojnë! Edhe kush? Këta që Radojçiçin e pritshin në kryeministri e Listën Serbe e mbajshin në qeveri. Marrëzitë nuk kanë fund, por as populli nuk jau fal!” ka shkruar Basha në Facebook.
Tahiri: Për keqardhje abuzimi që Kurti po ua bën institucioneve
Arian Tahiri, deputet i PDK-së, ka thënë se situata e re politike është shkak i mungesës së përgjegjësisë së pushtetit ndaj qytetarëve.
“Është për keqardhje abuzimi që po u bëhet institucioneve të Kosovës nga Albin Kurti tash e 18 muaj”, ka thënë ai pas shtyrjes së serishme të seancës.
Ai ka thënë se vetëm po ndryshojnë skenarët, por krizë ka të vazhdueshme.
Lushaku i bën thirrje LVV-së që ta propozojë emrin për kryeparlamentar
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që ta propozojë emrin për kryetar të Kuvendit pasi kryetari i saj Albin Kurti kërkoi kohë shtesë duke e ndaluar vazhdimin e seancës konstituive.
Lushaku e ka quajtur këtë të papërgjegjshme.
“Besimin që na kanë dhënë si deputetë na kanë dhënë t’i konstituojmë institucionet, por po e shohim papërgjegjësi totale nga LVV që nuk po gjen mënyrën që ta kryejë detyrën e vet. kjo është fatkeqësi dhe papërgjegjësi. Thirrje qytetarëve që ta shohin këtë pamje që Kuvendi nuk arrin të konstituohet”.
Kadrijaj gjuan Kurtin me vezë
Pasi kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për emrin e kryeparlamentarit, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj ka hedhur ve në drejtim të tij.
Seanca u përshkallëzua dhe u ndërpre, pas intervenimit të deputetëve të tjerë dhe forcave të sigurisë.
VIDEO:
Kurti kërkon sërish kohë shtesë për bisedime me partitë e tjera
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar sërish kohë shtesë për bisedime me kryetarët e partive të tjera për presidentin.
Në nisje të seancës konstituive kur ai pritej të propozonte emrin për kryetar të Kuvendit, Kurti ka dalë me kërkesën për kohë shtesë.
“Marrëveshje politike nuk kemi ende prandaj për të evituar zgjedhjet e reja ju lus për kohë shtesë”, ka thënë ai, çka ka çuar në pakënaqësi në sallë.
Sërish s’ka emër për kryeparlamentar, Kurti kërkon prapë kohë shtesë
Nis vazhdimi i seancës konstituive
Ka nisur të shtunën, një ditë pas afatit kushtetues, vazhdimi i seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.
Seanca e ftuar për sot ka nxitur diskutime mbi shkeljen kushtetuese, por në sallë megjithatë janë të gjitha partitë parlamentare.
Të pranishëm janë 109 deputetë. 11 mungojnë.
Deputetët nisin të hyjnë në sallë
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës kanë nisur të hyjnë në sallën e Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive.
Vonesa në seancën e pasafatshme
Edhe pse është ftuar për në orën 11:00 dhe një ditë pas afatit kushtetues, vazhdimi i seancës konstituive nuk ka nisur as kur ora po mbërrin në 12:00.
Asnjë deputet nuk është i pranishëm në sallën e Kuvendit.
Partitë janë mbledhur nëpër grupet e tyre.
Ramadani akuzon pushtetin për vonesa: Nuk e di a iu ka dalë malli i keq këto ditë
Burim Ramadani, deputet i Aleancës, ka thënë se është i habitur se përse ende deputetët e Vetëvendosjes nuk janë paraqitur në seancën e ftuar për në orën 11:00, pavarësisht se ajo është ftuar pas afatit kushtetues për konstituimin.
“Erdha ta inspektoj a ka a s’ka seancë. U bë 11:40 gati dhe nuk ka ende asnjë deputet të pushtetit që ka ardhur në seancë. S’e kuptoj këtë joseriozitet, derisa Kosova ka humbur shumë kohë këta po e vazhdojnë humbjen e kohës. Ne e thirrëm një seancë mbrëmë, nuk erdhën. Thirrin vetë seancë, tash po bëhet një orë... e nafta ka shkuar 1.8 e secila situatë më tutje vetëm po e rëndon jetën e secilit njeri në Kosovë. Joseriozitet i madh. Nuk e di a iu ka dalë malli i keq këto ditët e fundit apo jo”, ka thënë ai teksa nuk është përgjigjur kur është pyetur se për çka e ka fjalën me “mallin”. “Jemi në situatë total absurde. Jo vetëm në aspektin legal dhe paqartësi kushtetuese që për bindjen tonë ka përfunduar afati”, ka thënë tutje ai.
Ramadani ka bërë thirrje që nga zgjedhja si deputet që pushteti dhe të gjithë deputetët të bëjnë testin e drogës.
Haradinaj: Kemi hyrë në situatë të rrezikshme. U dogj qëllimisht afati kushtetues
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje qëllimisht e ka djegur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, Kosova ka hyrë në situatë të rrezikshme. Ai ka thënë se tash është koha që të merren “veprime që ndihmojnë ruajtjen e kushtetutshmërisë”.
Haradinaj ka paralajmëruar se Aleanca do të jetë pjesë e seancës konstituive, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues.
“Ajo që është më e keqja është se Kurti, Albulena e të tjerët, qëllimshëm ia kanë djegur Kosovës afatin kushtetues për t’i zgjedhur institucionet. Si do të dalim nga kjo, do të marrim me kujdes... Të shohim si mund ta nxjerrim vendin nga situata e re e krijuar, për nxjerrjen e institucioneve. Kemi hyrë në situatë të rrezikshme... Kjo që ka ndodhur ka pasoja kushtetuese. Veprimet e ardhshme duhet të ndihmojnë në ruajtjen e kushtetutshmërisë”, ka thënë ai para hyrjes në Kuvend.
Kurti: Dehari e ka ftuar seancën, unë i përgjigjem pozitivisht
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë më gjatë zhvillimet e fundit politike, por ka thënë shkurt se i është përgjigjur pozitivisht ftesës për pjesëmarrje në vazhdimin e seancës konstituive, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues.
“Kryesuesi Avni Dehari e ka ftuar për sot dhe sot i përgjigjem pozitivisht”, ka thënë ai në hyrje të Kuvendit.
Haziri thotë se LDK-ja do të marrë pjesë në seancën konstituive
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, para nisjes së seancës konstituive tha se do të jetë i pranishëm në seancën e sotme.
Haziri tha se shpreson që sot do të arrihet zgjidhje drejt formimit të institucioneve.
"Natyrisht që jemi këtu për të marrë pjesë në seancën konstituive. Shpresoj shumë që do të ketë ndërruar qasje dhe përkundër zhvillimeve dje dhe thirrjeve tona të respektohet Kushtetuta dhe të konstituohet Kuvendi, u pa që partia e parë e neglizhoi, e mbylli për ditën e djeshme. Sot po presim që zhvillimet politike të çojnë drejtë normalizimit të Kuvendit të Republikës, në mënyrë që tu jepet shans dhe mundësi zbatimit të zgjedhjeve në rastin e Qeverisë dhe Presidentit", tha Haziri./ KP
Hoxhaj paralajmëron pjesëmarrjen në seancën e pasafatshme
Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës ka paralajmëruar pjesëmarrjen në seancën konstituive të përcaktuar për të vazhduar pas afatit kushtetues.
“Do të ishte e fundit që opozita ta bojkotojë një seancë të tillë, por duhet politikisht të sillemi në mënyrën më të pjekur e të vendosur”, ka thënë ai në hyrje të Kuvendit.
Ai ka thënë se pikërisht mospjesëmarrja e opozitës “është qëllimi i Kurtit”.
Gruda: Sot po rrënohet Kushtetuta, jo më nga Millosheviqi por nga njerëzit e zgjedhur nga populli
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin kushtetues të seancës konstituive.
Ai ka thënë se po rrënohet Kushtetuta e Kosovës duke shkelur afatin që skadoi të premten për konstituimin e Kuvendit.
“Sot po rrënohet Kushtetuta e Kosovës, por jo më nga Millosheviqi, prej njerëzve që i ka zgjedhur populli i Kosovës. Kjo është e pabesueshme dhe e papranueshme”, ka thënë Gruda.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, më herët u pa duke hyrë në Kuvend e para mediave tha shkurt se do të mblidhet grupi parlamentar dhe se nuk ka çka të flasë më shumë.
Haxhiu: S’ka pasur nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme, dyert rrinë mbyllur kur s’ka seanca
Kryetarja e legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se partitë opozitare nuk i kanë protokolluar 40 nënshkrime të nevojshme për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme të premten, me qëllim konstituimin e Kuvendit. Haxhiu ka thënë se dyert e Kuvendit kanë qenë të mbyllura sepse sipas saj “ato qëndrojnë gjithmonë të mbyllura në rrethanat kur s’ka pasur seancë plenare”.
“S’i kemi pasur 40 nënshkrime. S’jemi njoftuar se janë protokolluar. As kryesuesi nuk është njoftuar se janë protokolluar 40 nënshkrime. Kur protokollohen dorëzohen te zyra për parashtresa, e kryesuesi obligohet të thërrasë seancën konstituive. Kjo nuk ka ndodhur. Ka edhe mënyra të tjera se si thirret seanca e Kuvendit, qeveria dhe kryesia e Kuvendit. S’ka ndodhur asnjëra dhe s’ka pasur askush përgjegjësi nga administrata që të vije për sa kohë s’ka pasur seancë zyrtarisht. Kur ftohet zyrtarisht seanca, natyrisht që dyert hapen dhe i gjithë stafi është aty”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se “duket se ka një përpjekje që vendi të shkojë sërish në zgjedhje”.
“Kushdo që përpiqet që përmes veprimeve të tilla ta çojë vendin në zgjedhje, mendoj se e ka shumë gabim, sepse qytetarët na kanë votuar për të kontribuuar për marrëveshje, e jo që të veprojmë në mënyrë të tillë dhe të përpiqemi që ta çojmë vendin në zgjedhje. Nuk na duhen zgjedhjet”, ka thënë Haxhiu teksa ka akuzuar opozitën “që përmes bojkotit e ka sjellë Kosovën në këtë pozitë”.
Ajo ka thënë se kushdo që ka ankesa për vazhdimin e sotëm, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë ndodhi dje në Kuvend
E premtja e 7 gushtit shënoi skadimin e afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore për konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës. Kjo ditë u karakterizua nga përplasje politike, negociata të dështuara dhe një përpjekje e opozitës për të parandaluar atë që e cilësuan si shkelje antikushtetuese.
Sipas interpretimit të shoqërisë civile dhe juristëve, moskonstituimi i Kuvendit deri në mesnatën e së premtes përbën shkelje direkte të Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Pikërisht në ditën e fundit të afatit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari (LVV), vendosi që seanca të mos vazhdonte të premten, por të shtyhej për të shtunën, më 8 gusht në orën 11:00. Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas kërkesës për shtyrje të enjten, e arsyetuan kërkesën me nevojën për më shumë kohë për negociata rreth postit të presidentit, pa të cilin – sipas Kurtit – vendi rrezikon të shkojë prapë në zgjedhje të reja.
Gjatë të premten, Kurti zhvilloi takime me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, mirëpo palët mbetën shumë larg marrëveshjes. LDK-ja kërkoi balancë institucionale dhe të drejtën për të propozuar emrin e presidentit. Kurti po ashtu i dërgoi letër kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, duke i ofruar rokadë (postin e kryeparlamentarit për PDK-në) në këmbim të votës për presidentin, ofertë që u refuzua.
Grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së të premten në mbrëmje megjithatë u mblodhën në objektin e Kuvendit.
Opozita kërkoi me ngulm mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme para mesnatës për ta përmbyllur procesin brenda afatit. Megjithatë, deputetët opozitarë u përballën me dyert e mbyllura të sallës së seancave plenare.
Bedri Hamza, kryetar i PDK-së, e cilësoi këtë situatë si marrje të institucioneve në mënyrë antikushtetuese nga pushteti, duke paralajmëruar se përgjegjësia për zgjedhje të reja apo krizë bie mbi Albin Kurtin, ndërsa nuk përjashtoi as protestat.
Besnik Tahiri, deputet i Aleancës, e quajti mbylljen e dyerve si “goditje të rëndë ndaj demokracisë parlamentare” dhe përpjekje për ta kthyer shtetin në parti-shtet.
Ndërsa Lutfi Haziri nga LDK-ja tha se qëndrimi në Kuvend ishte “mbrojtje e rendit kushtetues” dhe njoftoi se LDK do të vendosë në mëngjes për hapat e mëtejshëm.
Tani pritet që seanca të nisë në orën 11:00. Nuk dihet nëse partitë opozitare do të jenë pjesë e saj.
Përveç seancës së paralajmëruar për orën 11:00, monitoruesit e punës së Kuvendit i kanë bërë thirrje deputetëve opozitarë që t'i drejtohen menjëherë Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar vendimin e shtyrjes së seancës dhe për të kërkuar masë të përkohshme pezullimi.