Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka konstituuar legjislaturën e 11-të. Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka bërë thirrje edhe një herë për kohë shtesë, pasi sipas tij, duhet ende negociata me partitë tjera për të formuar institucionet. Kryesuesi Avni Dehari e miratoi kërkesën e Kurtit dhe kërkoi nga partitë që të ketë negociata. Pas kësaj, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të Kurtit duke shkaktuar rrëmujë dhe ndërhyrjen e sigurimit. Seanca u ndërpre.
Haradinaj: Kemi hyrë në situatë të rrezikshme. U dogj qëllimisht afati kushtetues
Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje qëllimisht e ka djegur afatin kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, Kosova ka hyrë në situatë të rrezikshme. Ai ka thënë se tash është koha që të merren “veprime që ndihmojnë ruajtjen e kushtetutshmërisë”.
Haradinaj ka paralajmëruar se Aleanca do të jetë pjesë e seancës konstituive, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues.
“Ajo që është më e keqja është se Kurti, Albulena e të tjerët, qëllimshëm ia kanë djegur Kosovës afatin kushtetues për t’i zgjedhur institucionet. Si do të dalim nga kjo, do të marrim me kujdes... Të shohim si mund ta nxjerrim vendin nga situata e re e krijuar, për nxjerrjen e institucioneve. Kemi hyrë në situatë të rrezikshme... Kjo që ka ndodhur ka pasoja kushtetuese. Veprimet e ardhshme duhet të ndihmojnë në ruajtjen e kushtetutshmërisë”, ka thënë ai para hyrjes në Kuvend.
Kurti: Dehari e ka ftuar seancën, unë i përgjigjem pozitivisht
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka refuzuar të komentojë më gjatë zhvillimet e fundit politike, por ka thënë shkurt se i është përgjigjur pozitivisht ftesës për pjesëmarrje në vazhdimin e seancës konstituive, pavarësisht tejkalimit të afatit kushtetues.
“Kryesuesi Avni Dehari e ka ftuar për sot dhe sot i përgjigjem pozitivisht”, ka thënë ai në hyrje të Kuvendit.
Haziri thotë se LDK-ja do të marrë pjesë në seancën konstituive
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, para nisjes së seancës konstituive tha se do të jetë i pranishëm në seancën e sotme.
Haziri tha se shpreson që sot do të arrihet zgjidhje drejt formimit të institucioneve.
"Natyrisht që jemi këtu për të marrë pjesë në seancën konstituive. Shpresoj shumë që do të ketë ndërruar qasje dhe përkundër zhvillimeve dje dhe thirrjeve tona të respektohet Kushtetuta dhe të konstituohet Kuvendi, u pa që partia e parë e neglizhoi, e mbylli për ditën e djeshme. Sot po presim që zhvillimet politike të çojnë drejtë normalizimit të Kuvendit të Republikës, në mënyrë që tu jepet shans dhe mundësi zbatimit të zgjedhjeve në rastin e Qeverisë dhe Presidentit", tha Haziri./ KP
Hoxhaj paralajmëron pjesëmarrjen në seancën e pasafatshme
Enver Hoxhaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës ka paralajmëruar pjesëmarrjen në seancën konstituive të përcaktuar për të vazhduar pas afatit kushtetues.
“Do të ishte e fundit që opozita ta bojkotojë një seancë të tillë, por duhet politikisht të sillemi në mënyrën më të pjekur e të vendosur”, ka thënë ai në hyrje të Kuvendit.
Ai ka thënë se pikërisht mospjesëmarrja e opozitës “është qëllimi i Kurtit”.
Gruda: Sot po rrënohet Kushtetuta, jo më nga Millosheviqi por nga njerëzit e zgjedhur nga populli
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me afatin kushtetues të seancës konstituive.
Ai ka thënë se po rrënohet Kushtetuta e Kosovës duke shkelur afatin që skadoi të premten për konstituimin e Kuvendit.
“Sot po rrënohet Kushtetuta e Kosovës, por jo më nga Millosheviqi, prej njerëzve që i ka zgjedhur populli i Kosovës. Kjo është e pabesueshme dhe e papranueshme”, ka thënë Gruda.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, më herët u pa duke hyrë në Kuvend e para mediave tha shkurt se do të mblidhet grupi parlamentar dhe se nuk ka çka të flasë më shumë.
Haxhiu: S’ka pasur nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme, dyert rrinë mbyllur kur s’ka seanca
Kryetarja e legjislaturës së 10-të të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se partitë opozitare nuk i kanë protokolluar 40 nënshkrime të nevojshme për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme të premten, me qëllim konstituimin e Kuvendit. Haxhiu ka thënë se dyert e Kuvendit kanë qenë të mbyllura sepse sipas saj “ato qëndrojnë gjithmonë të mbyllura në rrethanat kur s’ka pasur seancë plenare”.
“S’i kemi pasur 40 nënshkrime. S’jemi njoftuar se janë protokolluar. As kryesuesi nuk është njoftuar se janë protokolluar 40 nënshkrime. Kur protokollohen dorëzohen te zyra për parashtresa, e kryesuesi obligohet të thërrasë seancën konstituive. Kjo nuk ka ndodhur. Ka edhe mënyra të tjera se si thirret seanca e Kuvendit, qeveria dhe kryesia e Kuvendit. S’ka ndodhur asnjëra dhe s’ka pasur askush përgjegjësi nga administrata që të vije për sa kohë s’ka pasur seancë zyrtarisht. Kur ftohet zyrtarisht seanca, natyrisht që dyert hapen dhe i gjithë stafi është aty”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka thënë se “duket se ka një përpjekje që vendi të shkojë sërish në zgjedhje”.
“Kushdo që përpiqet që përmes veprimeve të tilla ta çojë vendin në zgjedhje, mendoj se e ka shumë gabim, sepse qytetarët na kanë votuar për të kontribuuar për marrëveshje, e jo që të veprojmë në mënyrë të tillë dhe të përpiqemi që ta çojmë vendin në zgjedhje. Nuk na duhen zgjedhjet”, ka thënë Haxhiu teksa ka akuzuar opozitën “që përmes bojkotit e ka sjellë Kosovën në këtë pozitë”.
Ajo ka thënë se kushdo që ka ankesa për vazhdimin e sotëm, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë ndodhi dje në Kuvend
E premtja e 7 gushtit shënoi skadimin e afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore për konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës. Kjo ditë u karakterizua nga përplasje politike, negociata të dështuara dhe një përpjekje e opozitës për të parandaluar atë që e cilësuan si shkelje antikushtetuese.
Sipas interpretimit të shoqërisë civile dhe juristëve, moskonstituimi i Kuvendit deri në mesnatën e së premtes përbën shkelje direkte të Kushtetutës dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Pikërisht në ditën e fundit të afatit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari (LVV), vendosi që seanca të mos vazhdonte të premten, por të shtyhej për të shtunën, më 8 gusht në orën 11:00. Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas kërkesës për shtyrje të enjten, e arsyetuan kërkesën me nevojën për më shumë kohë për negociata rreth postit të presidentit, pa të cilin – sipas Kurtit – vendi rrezikon të shkojë prapë në zgjedhje të reja.
Gjatë të premten, Kurti zhvilloi takime me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, mirëpo palët mbetën shumë larg marrëveshjes. LDK-ja kërkoi balancë institucionale dhe të drejtën për të propozuar emrin e presidentit. Kurti po ashtu i dërgoi letër kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, duke i ofruar rokadë (postin e kryeparlamentarit për PDK-në) në këmbim të votës për presidentin, ofertë që u refuzua.
Grupet parlamentare të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së të premten në mbrëmje megjithatë u mblodhën në objektin e Kuvendit.
Opozita kërkoi me ngulm mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme para mesnatës për ta përmbyllur procesin brenda afatit. Megjithatë, deputetët opozitarë u përballën me dyert e mbyllura të sallës së seancave plenare.
Bedri Hamza, kryetar i PDK-së, e cilësoi këtë situatë si marrje të institucioneve në mënyrë antikushtetuese nga pushteti, duke paralajmëruar se përgjegjësia për zgjedhje të reja apo krizë bie mbi Albin Kurtin, ndërsa nuk përjashtoi as protestat.
Besnik Tahiri, deputet i Aleancës, e quajti mbylljen e dyerve si “goditje të rëndë ndaj demokracisë parlamentare” dhe përpjekje për ta kthyer shtetin në parti-shtet.
Ndërsa Lutfi Haziri nga LDK-ja tha se qëndrimi në Kuvend ishte “mbrojtje e rendit kushtetues” dhe njoftoi se LDK do të vendosë në mëngjes për hapat e mëtejshëm.
Tani pritet që seanca të nisë në orën 11:00. Nuk dihet nëse partitë opozitare do të jenë pjesë e saj.
Përveç seancës së paralajmëruar për orën 11:00, monitoruesit e punës së Kuvendit i kanë bërë thirrje deputetëve opozitarë që t'i drejtohen menjëherë Gjykatës Kushtetuese për të kontestuar vendimin e shtyrjes së seancës dhe për të kërkuar masë të përkohshme pezullimi.