Arbëri

Dedaj: Jam distancuar nga deklarimet e kaluara

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, po vijon me dhënien e dëshmisë para Dhomave të Specializuara të martën.

Ai po iu përgjigjet pyetjeve të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar, derisa gjatë dëshmisë ka thënë se kërkuar që seanca të jetë e mbyllur “që të mos rrezikohet familja”.

“Keni bërë padrejtësi ndaj meje, në pyetjet që po mi bëni... Së pari jam përgjegjës të mbroj familjen time dhe fëmijët e tij. Kam kërkuar seancat të jenë të mbyllura që të mos rrezikohet familja dhe e ardhmja ime në Kosovë”, ka thënë Dedaj, derisa Prokuroria i ka bërë thirrje t’u mos flasë jashtë temës.

Seanca më pas ka kaluar e mbyllur.

Gjatë dëshmisë, Dedaj ka përsëritur se gjatë qëndrimit në Baicë, pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, iu kishte dërguar birra dhe ushqime.

“Unë jam këtu, do të jem këtu dhe ju faleminderit...Ne nuk kemi shkuar atje në pushime, as në Maldive e as në pushime verore. Kosova digjej, Drenica ishte në flakë, s’kishte bukë as për fëmijët.Ne kemi ngrënë atë që kanë ngrënë ushtarët e UÇK-së, ushqimi s'ka pasur asnjë vërejtje. Kur kemi kërkuar birra si në hotel na kanë sjell birra në Baicë...Po më pyesni për detaje 25 vjet më parë, 25 vjetët e mia janë sa 2500 vjet tuajat në Evropë”, ka shtuar ai.

Ai ka theksuar se me Hashim Thaçin është përshëndetur dhe s’ka pasur asnjë problem me të.

“Me Hashim Thaçin jemi përshëndetur me dorë si burrat dhe të tjerat s’më kujtohen....Kam bërë deklarime në gjendjen time të rënduar, në procese të rivarrimeve, e ndoshta kam pasur edhe hidhërime të pabesueshme. Ndoshta edhe revanshuese dhe ekzagjeruese. Nga të gjitha këto jam distancuar”, ka thënë Dedaj.

“Më ka rrëshqitur këmba...Ka qenë e mundshme në oborrin e shkollës, derisa po shkoja në tualet në shkollën 'Migjeni' tualeti ka qenë larg shkollës dhe ka qenë natë. Jam rrëzuar, jam ngritur e kjo s’është kurrfarë...në njëfarë mënyre s’kam pasur dëshirë të rrëzohem, por kam pasur të drejtë të rrëzohem. Ka qenë terr dhe shi, ka qenë lagësht”, ka shtuar ai derisa po përgjigjej në pyetjen e Prokurorisë se si ishte rrëzuar kur po mbahej në Baicë.

Në disa raste, gjykatësi i ka tërhequr vërejtjen Dedajt, duke i kërkuar të përgjigjet në pyetjet konkrete të ZPS-së.

Gjatë dëshmisë, Dedaj është përballur me një pamje të viteve të pasluftës, ku shihej se njërën dorë e kishte të nxirë.

Image

Ai u pyet për gjendjen e tij shëndetësore, ndërsa tha se “mirë që i kam pasur të dyja duart”.