Megjithëse periudhën e fundit është përmirësuar gjendja nga hedhja ilegale e mbeturinave në pjesën urbane dhe në disa pjesë rurale, të Komunës së Deçanit, megjithatë në disa fshatra ende kanë probleme nga krijimi i deponive ilegale, e sidomos nga hedhja e mbeturinave në lumenj e përroska.
Me problemin e hedhjes së mbeturinave në lum nga qytetarë të papërgjegjshëm është duke u përballur banori i fshatit Gramaqel, Arben Jasiqi. Lumi që kalon pranë shtëpisë së tij dhe ndër mullirin e tyre vazhdimisht sjell sasi të mëdha të mbeturinave që hidhen në lum.
“Te mulliri po mblidhen shumë mbeturina. Që mos me an e blloku mbeturinat mullirin kam vendos një rrjetë të hekurt që me i ndalu mbeturinat e mos me hy nën mulli e me ma blloku mullirin. Shumica e mbeturinave vinë nga dy fshatrat tjera ka është rrjedha e lumit dhe grumbullohen këtu. Ky është problem i vazhdueshëm. Vjet në këtë kohë i kam larguar katër kamionë mbeturina nga ky vend afër mullirit”, thotë Jasiqi.
Ai më tepër është i befasuar nga sjellja e qytetarëve, nga fakti se kompania publike “Higjiena” rregullisht një herë në javë shkon dhe i mbledh mbeturinat e amvisërive. “Është diçka vërtet e papërgjegjshme. S’di pse me hedh mbeturina në lum e përroska kur ato po merren nga kompania ‘Higjiena’. Duhet të ndërmarrë Komuna diçka që këta njerëz të vetëdijesohen, jo vetëm për të mos më shkaktuar dëme e probleme mua, por edhe që të kemi një ambient e ujë më të pastër. Ne mezi kemi pritur të vij dita kur të kemi një kompani që kujdeset për mbledhjen e mbeturinave, e prapë hedhin mbeturina”, thotë Jasiqi.
Drejtori i ndërmarrjes publike “Higjiena”, Kastriot Hulaj, tregoi se me shërbimin e bartjes së mbeturinave është i mbuluar pothuajse i gjithë territori i kësaj komune dhe se prej 36 fshatrave vetëm edhe katër fshatra kanë mbetur pa u furnizuar me kontejnerë për amvisëri. “Jemi në procedura të tenderimit me ua sigurua kontejnerët atyre fshatrave dhe besoj deri në muajin nëntor do të mbulohen edhe këto fshatra”, thotë Hulaj.