Banorët e Rahovicës të komunës së Ferizajt prej kohësh po përballen me disa deponi të mbeturinave, të cila po krijohen përgjatë rrugës kryesore midis fshatit e qytetit.
Rreth kësaj çështje banorët kanë dërguar disa herë shkresa zyrtare në komunë, madje këtë shqetësim e kanë ngritur shpesh edhe në debatet publike në komunë, mirëpo deri tashti ato nuk janë shqyrtuar. Banorët kanë deklaruar se fshati i tyre është i papastër, derisa komuna nuk po ofron shërbime për menaxhimin e mbeturinave. Brahim Osmani, anëtar i Kryesisë së fshatit Rahovicë, ka thënë se banorët po përballen me kundërmim nga mbeturinat nga deponitë në rrugën kryesore. “Kryetari i fshatit dhe Kryesia jemi ankuar disa herë në komunë, madje dy javë më parë e kemi ngritur këtë shqetësim edhe një herë në një debat publik, mirëpo përveç premtimeve verbale deri tashti komuna nuk ka arritur t’i pastroi deponitë e mbeturinave dhe as mbeturinat e tjera brenda fshatit”, ka thënë Osmani. Sipas tij, komuna duhet ta angazhojë një kompani për menaxhimin e mbeturinave pasi që kundërmimi është mjaft i madh.
Ndërkohë Këshilli i këtij fshati nëpërmjet një komunikate ka thënë se fshati i tyre po përballet me problemin e mosmenaxhimit të mbeturinave. “Toka ku ne jetojmë dhe zhvillojmë veprimtaritë tona është mjaft e rëndësishme. Pa të nuk mund të ketë jetë ashtu si dhe uji. Toka është e rrezikuar nga ndotja. Të njëjtët faktorë që ndotin ujin e ajrin e ndotin edhe tokën. Nga ana tjetër toka është e rrezikuar edhe nga humbja e shtresës së sipërme që përdoret prej njeriut për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë. Mënyra më e mirë për të parandaluar ndotjen e tokës është përmes menaxhimit të mbeturinave në mënyrën e duhur”, thuhet në komunikatën e Këshillit të fshatit Rahovicë. Sipas tyre, zbatimi i dobët i ligjeve të mbrojtjes së mjedisit dhe mungesa e kontrollit, solli ndotje të vazhdueshme të ujit, ajrit e tokës në këtë fshat. “Hedhja e mbeturinave në mjedis mbetet si një nga problemet më serioze të dukshme. Ne u bëjmë thirrje edhe bashkëqytetareve të mos hedhin mbeturina vend e pa vend. Këtë problem e kemi ngritur edhe në takim publik me zyrtarët komunalë, po ashtu do të kemi edhe reagime të tjera”, thuhet më tej në komunikatë.