Arbëri

Me kritika pritet pranimi i 1000 testeve donacion nga Serbia

Foto: Reuters

Me kritika janë pritur njëmijë testet për koronavirus të ardhura si donacion nga Serbia në Kosovë.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti për pranimin e 1 mijë testeve nga Serbia për Covid-19. Ai thotë se “edhe sikur t’ia ngjallnin vëllezërit, nuk do ia pranonte atë ndihmë të Serbisë”.

“Edhe me mi ngjallë vëllezërit s’ia kisha pranuar ndihmën Serbisë. Vrasje e masakra që ndodhën ndër vite, s’guxojmë t’i kalojmë. Inati po m’vjen që malazezët refuzuan e Kosova e pranon ndihmën e gjakatarëve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se qeveria në detyrë e ka kthyer Kosovën në lypsare të Serbisë.

“Shihni se si ndryshohen por edhe ruhen idealet me sukses. Prej bashkimit me Shqipërinë e kthyen Kosovën në lypsar të Serbisë. Thanë mungesës sonë me teste, Serbia iu përgjigj pozitivisht - pranuam 1000 teste për COVID-19, donacione serbe. E tmerrshme dhe e dhimbshme çfarë nënçmimi ia bënë Kosovës”, shkruan Kadrijaj.

“A duhet të mbajë dikush përgjegjësi për këtë aranzhim nënshtrues, përfshirë ata që dështuan në furnizime paraprake dhe sigurimin e këtyre testeve qoftë me blerje apo donacione nga shtete që e njohin Kosovën. A pyetët në Shqipëri paraprakisht, apo drejt e në Serbi?!”, pyet Kadrijaj.

Ajo thotë se këto teste fillimisht duhet të testohen tek disa deputetë e ministra të VV-së.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Kujtim Gashi, i është drejtuar kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e quajtur argat në detyrë të Serbisë.

“Albin, gjithnjë ke me mbet i njëjtë – argat në detyrë i Serbisë në Kosovë!”, shkruan ndër tjera Gashi.

Gashi gjithashtu thotë se “Kur u themelua Ushtria e Kosovës mohove që vendi ynë ka ushtri. Tash e 20 vjet në liri nuk i vizitove pikat kufitare me Serbinë”.

Ndërsa mbrëmë, ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, në Interaktiv të KTV-së thotë se këtë donacion e kanë marrë si një ndihmë e cila po bëhet në shumë vende të botës.

“Të mërkurën kam pasur një videokonferencë me homologun nga Serbia, që është organizuar nga ambasada amerikane dhe KFOR-i. E kam pas biseda edhe me atë nga Shqipëria edhe me atë të Maqedonisë Veriore. Ndër të tjera i kam shpreh gatishmërinë që ne do të punojmë që secilin qytetar ta testojmë pa marr parasysh se çfarë etnie ka. Interesimi i tyre ka qenë nëse mund të na ndihmojnë dhe një ofrim i një ndihme të tillë e kam marr si shenjë të mirë që të testohet të gjithë qytetarët dhe ato s’do të jenë vetëm për testimin e qytetarëve serbë. Këtu ndihmesë ka dhënë edhe ministri Jevtiq, i cili ka dhënë ndihmën e tij. Ne kemi quar edhe materiale ndihmëse edhe të tjera në komunat serbe”, tha Vitia.