Arbëri

Politikë apo solidaritet, mes Kosovës e Serbisë

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Reagime të shumta janë ngritur pasi Kosova pranoi si donacion njëmijë teste nga Serbia. Por, disa vlerësojnë se në këto kushte pandemie, kjo s’duhet të shihet si akt politik, por solidar.

Disa parti politike e kanë kundërshtuar pranimin e këtij donacioni, derisa ata që janë në pushtet e kanë mbrojtur.

Të zëshëm në kritika për pranimin e këtyre testeve nga Serbia ishin deputetë të AAK-së e PDK-së. Ndër më të ashprit ishin shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, deputetja e kësaj partie Time Kadrijaj e deputeti Ali Berisha, si dhe ata të PDK-së Kujtim Gashi e Valdete Idrizi.

Të gjithë ia kanë kujtuar Qeverisë masakrat e kryera në Kosovë duke thënë se ato nuk duhet harruar kurrë.

“Edhe me mi ngjallë vëllezërit s’ia kisha pranuar ndihmën Serbisë. Vrasje e masakra që ndodhën ndër vite, s’guxojmë t’i kalojmë. Inati po m’vjen që malazezët refuzuan e Kosova e pranon ndihmën e gjakatarëve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. 

“Shihni se si ndryshohen por edhe ruhen idealet me sukses. Prej bashkimit me Shqipërinë e kthyen Kosovën në lypsar të Serbisë. Thanë mungesës sonë me teste, Serbia iu përgjigj pozitivisht - pranuam 1000 teste për COVID-19, donacione serbe. E tmerrshme dhe e dhimbshme çfarë nënçmimi ia bënë Kosovës”, ka deklaruar Kadrijaj.

Berisha ka thënë se Serbia asnjëherë nuk ka pasur vullnet të mirë ndaj Kosovës.

“Mashtruan popullatën se janë furnizuar me 7000 teste e po del që ishin furnizuar vetëm me 2100 sosh. Serbia kurrë nuk ka pasur dhe nuk ka vullnet të mirë ndaj Kosovës”, ka thënë ndër tjera Berisha.

Gashi në anën tjetër ka thënë se “Me pranimin e 1 mijë testeve nga Serbia, ti (Kurtit) relativizove krimet e Serbisë në Kosovë. Albin, gjithnjë ke me mbet i njëjtë – argat në detyrë i Serbisë në Kosovë”.

Idrizi, po ashtu përmes Facebookut, ka thënë se “falë kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrit në detyrë Arben Vitia, Aleksandar Vuçiqi, i cili u rrit politikisht mbi tragjedinë e Kosovës dhe Serbia që ushtroi gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë, sot ia dolën të shfaqen me imazhin e ‘humanizmit’ dhe ‘solidaritetit’ në mediat më prestigjioze ndërkombëtare”.

Ndërkohë që kanë nisur këto reagime, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hajrulla Çeku, u është kundërpërgjigjur. Ai thotë se në betejën me Serbinë këta ka kohë që e kanë lëshuar bajrakun.

“Betimi i ushtarit të UÇK-së e sakrifica e dëshmorit janë përdhosur sistematikisht për 20 vjet. Nga dialogu pa parime te bashkëpunimi me mafiozët serbë, nga nënshtrimi ekonomik te mosdokumentimi i krimeve të luftës, gjykata speciale, eksterritorialiteti i kishave, e deri te pranimi i agjendës serbe për ndarje territoriale. Të gjitha këto mbajnë firmën e politikanëve tanë që në shkëmbim të pushtetit personal legjitimuan pozicionet e Serbisë karshi Kosovës”, ka shkruar Çeku në Facebook.

Çeku vlerëson se kjo zhurmë, siç e quan ai, vjen nga “patriotë të rrejshëm”.

“Dhe tash të njëjtit çirren për 1000 teste që qeveria e Kosovës ka pranuar nga Serbia, në luftën globale për të shpëtuar jetë njerëzish. Kushedi, mbase qeveria mund të mos e kishte pranuar këtë donacion, nuk kam mendim të prerë për këtë situatë. Por, zhurma e patriotëve të rrejshëm, thënë më së buti, është neveritëse. I keni borxh vendit dhe qytetarëve për koncesionet ndaj Serbisë. Një kërkimfalje si hap fillestar do të ishte minimum i dinjitetit të munguar qe dy dekada”, përfundon Çeku.

Reagime ka pasur edhe nga presidenca. Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, thotë se “pranimi i 1 mijë testeve ka imunizuar kriminelët serbë”.

“Gebelsi i Millosheviqit, Aleksandër Vuçiq, me një investim minimal arriti t’i shkaktojë dëm maksimal Kosovës. Këtë fitore të madhe diplomatike të Serbisë, që po celebrohet nga New York Times deri te Sputnik, ia mundësoi kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti. Pranimi i 1 mijë testeve kundër Covid-19, si “shenjë e vullnetit të mirë të Serbisë”, i ka imunizuar kriminelët serbë që i kryen mbi 400 masakra në Kosovë dhe mbi 20 mijë dhunime, duke vrarë rreth 13 mijë civilë të pafajshëm, mbi 1 mijë prej të cilëve ishin fëmijë”, shkruan Behrami.

Sipas tij, Kurti i ka shndërruar ata në humanistë, dhe këtë, e ka cilësuar si gabim fatal.

“Brenda një dite, Kurti i shndërroi në humanistë! Me një gabim fatal në politikën e jashtme, Kurti e pranoi ndihmën serbe pa kërkimfalje, pa kthimin e të pagjeturve dhe pa reparacionet. Kurti e ngriti Serbinë në nivel me Rusinë dhe Kinën, që si vende janë duke investuar në mbarë botën, sidomos në Ballkan, për krijimin e një imazhi pozitiv. Kryeministri i shkarkuar duhet ta kuptojë se nuk ka vullnet të mirë në marrëdhënie ndërkombëtare, por ka vetëm interesa! Ky akt nuk ishte interes i Kosovës, por vetëm i Serbisë!”, përfundon Behrami.

Edhe kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka kritikuar qeverinë Kurti për pranimin e këtyre testeve, duke i kujtuar krimet serbe në Kosovë.

“Ne duke pritur kërkim falje nga Serbia për gjithë gjenocidin e kryer në Kosovë, si mundë të pranohet një ndihmë e tillë dhe t’i jepet mundësia që t’i bëjnë të ndihen human ndaj nesh. Ne asnjëherë nuk ishim në atë gjendje që të shtrijmë duart drejt tyre, nuk iu falet një gjë e tillë nga gjaku i dëshmorëve nga gjymtyrët tona të humbura, nga nënat dhe motrat tona që kanë përjetuar tmerr nga po të njëjtit që sot shtiren kinse human ndaj nesh, ne presim që ta na i sjellin të gjithë të pagjeturit nga lufta, nuk presim dhe nuk pranojmë asnjë lloj ndihme, ata që pranuan një ndihmë të tillë le të mbesin të turpëruar!”, shkruan Gucati në Facebook.

Publicisti dhe shkrimtari Veton Surroi, përmes një reagimi në Facebook thotë se njëmijë teste të ardhura nga Serbia janë njëmijë teste të ardhura për të testuar të infektuarit nga koronavirusi, real apo potencial.

“Mejdane për konfrontime politike me Serbinë ka ende boll e tepër. Nuk ka nevojë të futet shëndeti i qytetarëve të Kosovës në to. E as ka nevojë për të shtuar helm në jetën tonë politike. Ka boll e tepër”, shkruan Surroi.

Kolumnisti i Kohës Ditore, Enver Robelli, duke vlerësuar këtë vendim të Qeverisë në detyrë e duke iu përgjigjur atyre që kanë kritikuar, thotë se “nuk është faji i Vetëvendosjes që Kosova nuk ka sistem të mirë shëndetësor”.

“Para se të kritikoni, jepni një kontribut për përmirësimin e gjendjes në Kosovë. Do të gëzoheshin edhe ata kosovarë që presin për trajtim në spitalet e Beogradit. Ata kanë shkuar në Beograd për shkak se partitë që kanë sunduar Kosovën nga viti 1999 i kanë dërguar ata në Beograd”, shkruan në vështrimin e tij për Kohën Robelli.

Edhe avokati Arianit Koci ka thënë se “nëse vetëm një jetë është shpëtuar me këto teste, nëse vetëm një vatër e infeksionit është izoluar me këto teste – ia ka vlejtur që i kemi pranuar testet”.

Ai ka thënë se me këtë gjest “pushteti Serb nuk amnistohet për krimet e kryera në Kosovë, dhe as ne, natyrisht që nuk i harrojmë masakrat e individëve serbë, pjesë e pushtetit gjenocidal të Millosheviqit”.

Edhe mediat ndërkombëtare si Reuters e New York Times kanë shkruar për këtë donacion të Serbisë për Kosovën.

“Serbia ia ka dhuruar Kosovës 1000 teste për koronavirusin të premten në shenjë solidariteti, përkundër historisë së dhunshme të kohëve të fundit dhe dështimit të Kosovës për të siguruar njohje nga Serbia si një vend i pavarur”, shkruan Reuters ndër tjera.

Reuters shkruan se “Serbia humbi kontrollin mbi Kosovën pas bombardimeve të NATO-s në 1999 për të dëbuar forcat serbe pas një kryengritjeje në të cilën u vranë më shumë se 13,000 njerëz, kryesisht shqiptarë të Kosovës”.

Ndërsa gazeta prestigjioze amerikane New York Times, ka shkruar se “sot, Kosova ka pranuar 1000 teste si donacion nga Serbia në kuadër të bashkëpunimit midis shteteve të rajonit lidhur me masat kundër Covid-19”, duke transmetuar raportimet e ngjashme me të Reutersit.

Sot, Kosova pranoi 1000 teste si donacion nga Serbia në kuadër të bashkëpunimit midis shteteve të rajonit lidhur me masat kundër Covid-19.

Deri tash, në Kosovë kanë rezultuar pozitivë me koronavirusin Covid-19 - 510 raste derisa 12 kanë vdekur e 93 janë shëruar.