Arbëri

DASH: Kosova po përpiqet, por jo mjaftueshëm kundër trafikimit me njerëz

Departamenti i Shtetit

Kosova është renditur në Nivelin e dytë të raportit të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore. Në këtë kategori hyjnë shtetet, qeveritë e të cilave kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për ta luftuar trafikimin me njerëz, por që ende nuk kanë arritur të përmbushin plotësisht standardet minimale ndërkombëtare.

“Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë këtë. Qeveria demonstroi përpjekje në rritje në krahasim me periudhën e mëparshme të raportimit, prandaj Kosova mbetet në nivelin e dytë”, thuhet në raportin për Kosovën.

Aty theksohet se ndër veprimet e Kosovës përfshihen ndjekja penale e më shumë trafikantëve të dyshuar dhe identifikimi i më shumë viktimave, rritja e fondeve qeveritare për ndihmë ndaj viktimave dhe rritja e fondit për kompensim të viktimave.  Megjithatë, shteti ka dënuar më pak trafikantë dhe gjykatat i kanë liruar shumicën e të dyshuarve dhe jepnin dënime nën minimalen e përcaktuar sipas ligjit të trafikimit.

Raporti, gjithashtu, thekson se rastet e fëmijëve të detyruar nga prindërit për të lypur rrugëve, trajtohen shpesh si neglizhencë ose keqtrajtim, e jo si trafikim, duke ngritur shqetësime për identifikimin e pasaktë të viktimave. Kritika ka pasur për ndarjen e më pak fondeve për fushata ndërgjegjësimi.

Autoritetet në Kosovë kanë ndjekur më 2024, 49 trafikantë të dyshuar në 17 raste të reja. E një vit më herët ishin tetë raste me 10 të dyshuar.

Por raporti ka theksuar se gjykatat e kanë dënuar vetëm një trafikant seksual – rënie prej numrit 14 sa ishte më 2023. Ai u dënua me tetë muaj burgim, që ishte nën dënimin minimal prej pesë vjetësh burgim. Dënimet nën këtë minimum dëmtojnë përpjekjet për t’i mbajtur trafikantët përgjegjës dhe nuk pasqyrojnë seriozitetin e krimit, thuhet në raport.

Ndërkaq janë identifikuar 14 viktima, krahasuar me 17 sa ishin një vit më herët. Shumica e viktimave morën asistencë ligjore, mjekësore dhe psikologjike, këshillim, edukim dhe mbështetje për riintegrim. Për këto, Qeveria është vlerësuar për rritjen e financimit.

Rekomandim për Kosovën është thënë se duhet t’i përforcojë dukshëm përpjekjet ndaj trafikimit, t’i hetojë e ndjekë penalisht trafikantët dhe dënimet të jenë më të rënda. Rekomandohet edhe ndjekja e rasteve të trafikimit sidomos te grupet e ndjeshme.

Në të njëjtën kategori renditen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.