Kosova është kritikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për luftë të pamjaftueshme ndaj korrupsionit. Në një raport të publikuar këtë javë përmenden masat që janë ndërmarrë nga Qeveria, por asaj ia ka faturuar dështimet edhe për mungesë hetimi e arrestimi të të korruptuarve
Departamenti Amerikan i Shtetit e ka vlerësuar të pasuksesshme Qeverinë e Kosovës në luftën kundër korrupsionit.
Në një raport të publikuar këtë javë përmenden masat që janë ndërmarrë nga Qeveria, por asaj ia ka faturuar dështimet edhe për mungesë hetimi e arrestimi të të korruptuarve.
“Kosova ka miratuar legjislacion të fortë për të luftuar korrupsionin, por Qeveria mbetet relativisht e pasuksesshme në përpjekjet për të hetuar, ndjekur penalisht, burgosur dhe konfiskuar pasuritë e individëve të korruptuar”, thuhet në raport. “Qeveria ka miratuar masa të tjera për të trajtuar korrupsionin, duke përfshirë një kërkesë për të kryer të gjitha prokurimet publike në mënyrë elektronike dhe për të publikuar emrat e fituesve të kontratave. Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm janë agjencitë qeveritare të mandatuara për të luftuar korrupsionin”.
Mes tjerash, në këtë raport, thuhet se efikasiteti i gjykatave në Kosovës është më i ulët në trajtimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë.
“Përderisa ankuesit kanë të drejtë të kundërshtojnë vendimet gjyqësore, rregulloret dhe veprimet përmbarimore në sistemin e rregullt gjyqësor, si dhe në Gjykatën Kushtetuese, shumë analistë i shohin gjykatat e Kosovës si të ndikuara politikisht nga dega ekzekutive, me trajtim të veçantë ose ‘drejtësi selektive’ për individë të profilit të lartë, të lidhur mirë”, është kritika që theksohet në këtë dokument. “Shkalla e dënimeve në gjykatat e Kosovës në përgjithësi përputhet me mesataret rajonale, por shkalla bie ndjeshëm kur filtrohet për rastet e korrupsionit të profilit të lartë”.
Në këtë raport vëmendje i është kushtuar edhe situatës politike. Përmenden proceset e shpeshta zgjedhore që janë mbajtur e edhe paqëndrueshmëria politike.
Po ashtu, vlerësohet se mosnormalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet burim tensionesh, veçanërisht në katër komunat e banuara kryesisht me serbë.
Sipas këtij raporti, të mosqenët anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga fqinjët rajonalë, ka bërë që Kosova të ekspozohet ndaj vështirësive të ndryshme në sferën e biznesit.