LAJMET E MBRËMJES

DASH: Qeveria jokonsistente në ndëshkimin e shkelësve të të drejtave të njeriut

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin në lidhje me të drejtat e njeriut për vitin e shkuar. Sipas tij, në lidhje me këtë sferë nuk ka pasur ndryshime, por se Qeveria ndonëse ka marrë hapa të besueshëm nuk ka qenë konsistent në identifikimin, hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimi e zyrtarëve që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas DASH-it, në vendet e Ballkanit Perëndimor janë të kufizuara liria e shprehjes dhe liria së medias

Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë hapa të qëndrueshëm për të identifikuar, hetuar e ndëshkuar zyrtarët që kryen shkelje të drejtave të njeriut, konstaton raporti i Departamentit të Shtetit.

Në raportin për vitin e shkuar në lidhje me të drejtat e njeriut, thuhet se nuk ka pasur ndryshime në situatën dhe se nuk ka pasur raporte të besueshme për shkelje të të drejtave të njeriut.

DASH-i citon raportimet e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës se zyrtarë të qeverisë janë përfshirë në fushata për të minuar besimin e publikut te mediat.

“Deri në shtator, AGK-ja raportoi dhe dënoi 53 raste ku zyrtarë qeveritarë, liderë politikë, staf gjyqësor, interesa biznesi, kriminelë të dyshuar, grupe të komunitetit, protestues ose grupe fetare kishin sulmuar fizikisht ose kërcënuar verbalisht gazetarë, kishin dëmtuar pajisjet e tyre, ose kishin kryer sulme kibernetike ndaj mediave”, thuhet në raport.

Sipas raportit, shkaku i presionit, gazetarët janë autocensuruar e kanë hezituar të bëjnë raportime kritike.

“Gazetarët pohuan se presioni nga politikanët dhe grupet e krimit të organizuar shpesh çonte në auto censurë. Disa gazetarë hezitonin të bënin raportime kritike investigative për shkak të frikës për sigurinë fizike ose për vendin e punës. Herë pas here, gazetarëve u ofroheshin përfitime financiare në këmbim të raportimeve pozitive ose për të hequr dorë nga një hulumtim. Sipas disa redaktorëve, agjencitë qeveritare dhe korporatat tërhiqnin reklamat nga mediat që botonin materiale kritike”, thuhet në dokument,

Pas raportit të Departamentit të Shtetin kanë reaguar nga AGK-ja. Thanë që ai ka evidentuar edhe gjetjet e asociacionit.

“Në raport flitet edhe për Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, i miratuar më 11 korrik 2024, për të cilin AGK-ja, Ombudspersoni dhe organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur shqetësime për ndikimin në pavarësinë e këtij institucioni. Ligji ishte në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese në kohën e përpilimit të raporti. Ai u shpall antikushtetues në mesin e vitit 2025”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Në lidhje me raportin, të mërkurën nuk ka pasur reagim nga ekzekutivi.

Sipas Departamentit amerikan i Shtetit, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të kufizuara liria e shprehjes dhe liria së medias.

Pjesa për Shqipërinë thekson se organizatat e pavarura mediatike dhe gazetarët profesionistë kanë pohuar se Qeveria, partitë politike, bizneset dhe grupet kriminale kanë kërkuar të ndikojnë te mediat në mënyra të papërshtatshme dhe jotransparente.

“Ka pasur raportime të besueshme se përfaqësues të lartë të mediave kanë përdorur platformat e tyre për të shantazhuar biznese, duke kërcënuar me raportim negativ. Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kanë kufizuar pavarësinë e mediave të shkruara, ndërsa raportohet se gazetarët kanë ushtruar vetëcensurë”, theksohet në të.

Raporti shton se “mungesa e kontratave të zbatueshme të punës ka ulur pavarësinë e gazetarëve dhe ka kontribuuar në njëanshmërinë e raportimit”.

Gjithashtu thuhet se “interesat politike dhe të biznesit kanë ushtruar presion mbi gazetarët. Disa gazetarë kanë raportuar se kanë marrë mesazhe kërcënuese ose janë bërë objekt i fushatave publike të njollosjes pas raportimeve mbi korrupsionin apo keqpërdorimet e supozuara të Qeverisë”.

“Në muajin mars, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka denoncuar publikisht kryeministrin për përdorimin e një gjuhe frikësuese ndaj një gazetari që po hetonte investimet në turizëm në vend”, thuhet në këtë raport.

Në pjesën për Serbinë, raporti thekson se nuk ka pasur ndryshime të mëdha në gjendjen e të drejtave të njeriut.

Çështjet kryesore të evidentuara përfshijnë raportime të besueshme për kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe të medias, përfshirë dhunë ose kërcënime ndaj gazetarëve, ndjekje të pajustifikuara, si dhe trafikim të qenieve njerëzore, përfshirë punën e detyruar.

Raporti vë në dukje gjithashtu procesimin e ngadalshëm të rasteve të krimeve të luftës.

Sa i përket lirisë së medias, janë përmendur sulmet ndaj gazetarëve, mungesa e transparencës në pronësinë e mediave dhe roli i tepruar i shtetit në sektorin mediatik.

“Rregullatori për mediat elektronike (REM), në fund të vitit 2023, i dha licencë rajonale për transmetim televizionit Informer TV pa konkurs publik, gjë që ngre shqetësime për lidhjet e ngushta të këtij kanali me partinë në pushtet”, thuhet në raport.

Po ashtu, evidentohet se presioni financiar ka çuar në autocensurë, me media që shmangin kritikat ndaj Qeverisë nga frika e pasojave.

Edhe pse kushtetuta dhe ligji ndalojnë torturën dhe keqtrajtimin, raporti përmend dy raste të përdorimit të tepruar të forcës nga zyrtarë policorë.

Në pjesën për Bosnje e Hercegovinën, raporti thekson se në entitetin e Republikës Sërpska, autoritetet kanë ndërmarrë veprime që kanë dobësuar institucionet shtetërore, kanë rritur tensionet ndëretnike dhe kanë kufizuar lirinë e shprehjes.

“Sulmet e shtuara verbale dhe juridike të presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, kanë minuar rendin kushtetues të vendit, ndërsa retorika e tij polarizuese dhe fyese ka kontribuar më tej në tensionet politike e etnike në mbarë vendin”, thuhet në përmbledhje të dokumentit.

Çështjet kryesore të të drejtave të njeriut në Bosnje përfshijnë kufizime serioze të lirisë së shprehjes dhe të medias, përfshirë kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve, si dhe praninë e formave më të rënda të punës së fëmijëve. Raporti thekson se autoritetet nuk kanë ndërmarrë hapa të besueshëm për të hetuar ose ndëshkuar zyrtarët përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut.

Raporti thekson se, sipas organizatave joqeveritare në Maqedoninë e Veriut, liritë mediatike janë të rrezikuara nga paditë strategjike kundër gazetarëve (SLAPP), presionet e zyrtarëve, autocensura dhe sulmet për shkak të hetimeve mbi korrupsionin, dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes.

Shembujt përfshijnë kërcënimet me vdekje ndaj gazetares Lepa Gjundeva dhe sulmin ndaj gazetarit Furkan Saliu. Disa prej këtyre rasteve vazhdojnë të jenë në proces gjyqësor.

Mediat, veçanërisht shërbimi publik, përballen me presione politike dhe ekonomike, ndërsa mediat online – edhe pse më të lira – janë objekt i sulmeve digjitale dhe përpjekjeve për diskreditim.

Deri në shtator, katër gazetarë kanë qenë subjekt i padive SLAPP të ngritura nga aktorë shtetërorë dhe privatë.