Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë vizitës së tij në Kosovës, të mërkurën është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Në konferencën e përbashkët për media me Osmanin, Costa ka deklaruar se heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës është e kushtëzuar me shtensionimin e situatës në veri të vendit, duke shprehur shpresën se ngjarjet e fundit nuk përfaqësojnë prirje të re destabilizuese. Ndërkohë Osmani ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është më i domosdoshëm se kurrë derisa zhvillimet politike dhe ato të sigurisë në botë janë të paparashikueshme. Costa gjithashtu është pritur edhe nga kryeministri në detyrë Albin Kurti. Zhvillimet rreth vizitës së Costas mund t’i lexoni këtu.

 

Costa: Heqja e masave lidhet me shtensionimin në veri, shpresoj që ngjarjet e fundit të jenë përjashtim

2 o. më parë / 14 maj 2025 18:52
Antonio Costa

Photo: Driton Paçarada

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka deklaruar se heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës është e kushtëzuar me shtensionimin e situatës në veri të vendit, duke shprehur shpresën se ngjarjet e fundit nuk përfaqësojnë prirje të re destabilizuese.

“Këto masa janë të lidhura me nevojën për të deskaluar tensionet në rajon dhe në veri të vendit. Dëshiroj që sa më shpejt të arrihet shtensionimi dhe të mund të ecim përpara drejt heqjes së këtyre masav”, u shpreh Costa të mërkurën në konferencë për media me presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë.

Ai theksoi se e ardhmja evropiane e Kosovës është e lidhur ngushtë me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe me përkushtimin ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

“Shpresoj që ngjarjet e fundit të mos përfaqësojnë prirje të re, por të jenë përjashtim që konfirmon se jeni të angazhuar për të shtensionuar situatën dhe për të ecur përpara në rrugën evropiane”, ka thënë ai.

Costa e quajti zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor si “investimin më të madh gjeopolitik” të Bashkimit Evropian.

“Është një mundësi e madhe për Ballkanin Perëndimor dhe është thelbësore që të vazhdohet me agjendën e reformave dhe të përfitohen benefitet e saj. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në dobi të qytetarëve dhe ky proces është jetik për rrugëtimin tuaj drejt Bashkimit Evropian”, theksoi Costa.

Osmani: BE-ja t’i vlerësojë shtetet aspiruese bazuar në vepra e jo në fjalë

2 o. më parë / 14 maj 2025 18:46
osmani

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është më i domosdoshëm se kurrë derisa zhvillimet politike dhe ato të sigurisë në botë janë të paparashikueshme. Pas takimit me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, ajo ka thënë se BE-ja duhet të marrë hapa të guximshëm drejt kësaj domosdoshmërie, e se Kosova është gati të ecë drejt integrimit evropian.

“Presim që nën udhëheqjen tuaj të bëjmë hapat përpara dhe Kosovës t’i hapet rruga drejt BE-së. Që të ndodhë kjo, shpresojmë që shtete anëtare të pajtohen të hiqen masat e padrejta”, ka thënë ajo në konferencë për media.

 

 

 

 

Osmani ka bërë thirrje që të trajtohet me prioritet aplikimi i Kosovës në BE i bërë më 2022.

“Është koha përfundimtare që të trajtohet aplikimi ynë për anëtarësim i dorëzuar më 2022 dhe ky dokument të mos mbetet vetëm dokument i arkivuar por të arrihet konsensusi që të trajtohet me prioritet dhe të mandatohet komisioni”.

Osmani është shprehur se pret frymë të re në dialogun me Serbinë me emërimin e emisarit të ri për dialog.

“Dialogu me Serbinë tani me emërimin e emisarit të ri për dialog shpresojmë se do sjellë frymë të re, qasje të balancuar dhe trajtim të barabartë të dyja palëve në këtë proces përmes lidershipit të ri të BE-së. Në Kosovë jemi të bindur se fokusi duhet të jetë njohja reciproke”.

Ndërkaq, ka kritikuar presidentin serb për vizitën në Moskë, teksa ka thënë se mosreagimi i Bashkimit Evropian ngreh pikëpyetje.

“Vizita e fundit e Vuçiqit në Moskë.. pritshmëritë tona nuk janë premtuese. Vizita e tij nuk mund të shihet ndryshe përpos akt i qartë politik që sfidon qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e BE-së. Nëse një vend pretendues për të qenë anëtar sillet kështu dhe nuk ballafaqohet me asnjë masë lidershipi atij vendi, pyetja lind natyrshëm çfarë mesazhi po i jepet rajonit tonë”, ka thënë ajo.

Osmani ka theksuar se BE-ja duhet të bazohen në vepra dhe jo fjalë, e ta  vlerësojë Kosovën.

“Me kë qëndrojmë, për çka qëndrojmë, me kë linjëzohemi në politika, kë mbështesim dhe bashkëpunojmë, këto gjëra duhet të kenë rëndësi për një shtet që aspiron BE-në. Këto shpresoj të vlerësohen bazuar në veprat e jo bazuar vetëm në fjalë”.