Arbëri

Çitaku-Vokrrit: Përfaqëson politikë që prodhon tension e izolim

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratës së zëvendësministrit në detyrë të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, i cili e akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për nxitje të disa rasteve të trazirave në veri të vendit.

Çitaku ka thënë se Vokrri përfaqëson një politikë që prodhon tension jo zgjidhje dhe izolim jo bashkëpunim.

Ajo tutje ka thënë se deklaratat e tilla janë një prej arsyeve pse Kosova është “më e izoluar se kurrë më parë”.

“Ky zyrtar, një eksponent tipik i një qasjeje që sheh armiq të brendshëm e të jashtëm kudo, nuk përfaqëson as interesin qytetar, as vizionin për shtetndërtim. Ai përfaqëson një politikë që i shërben vetëm vetes, një politikë që prodhon tension, jo zgjidhje, izolim, jo bashkëpunim. Kur dëgjon deklarata të tilla, nuk është e vështirë të kuptosh pse Kosova sot është më e izoluar se kurrë më parë. Pikërisht për këtë arsye Kuvendi ende nuk është konstituuar. Pikërisht për këtë arsye, institucionet nuk po formohen. Dhe ndërkohë që qytetarët përballen çdo ditë me çmime të larta, pasiguri dhe mungesë perspektive, atyre u ofrohet vetëm një gjë, egërsia e fjalëve boshe dhe mburrja me ‘qëndrime të forta’”, ka shkruar ajo. 

Ajo ka shtuar se vendi nuk ka nevojë për zëra që partnerët i shohin si kundërshtarë dhe problemet si mundësi për propagandë. 

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Vokrri ka thënë se një ndër diplomatët ndërkombëtarë është edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav.