Arbëri

Çitaku: Kurti ka djegur çdo urë bashkëpunimi me Washingtonin

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku

Foto: Alban Bujari

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka djegur çdo urë bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo është pyetur për deklaratën e ish-ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, se Ballkani nuk është prioritet ditor për SHBA-në dhe zgjidhjet duhet të vinë nga brenda. Ai në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka thënë se nuk pret që SHBA-ja të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve në Ballkan siç ka bërë në të kaluarën.

E, Çitaku ka thënë se raportet mes Kosovës e SHBA-së vazhdimisht janë diktuar nga udhëheqësit e Kosovës.

“Jo vetëm në këto 4 vjet por në vazhdimësi natyra e raportit mes Kosovës dhe 
Washingtonit nuk është diktuar nga personi që ka qenë në Shtëpinë e Bardhë, por nga persona që kanë udhëhequr Kosovën. Fatkeqësisht Kurti ka djegur çdo urë bashkëpunimi me Washingtonin zyrtar, jo vetëm me administratën Trump. Kosova ka nevojë për qeveri të përgjegjshme që di të krijojë miq dhe një që në Shtëpi të Bardhë, Bruksel, imponohet dhe trajtohet jo si problem por si partner”, ka thënë ajo në konferencë për media.