Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Çanak: Serbia praktikisht e ka njohur Kosovën

Lideri i Ligës së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak, në një intervistë për portalin e Klubit i Debatit Politik, ka folur për gjasat e arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë.

Çanak ka thënë se Franca dhe Gjermania duan të zgjidhin këtë çështje, e hapur për shumë kohë dhe që mund të kthehet në një konflikt të hapur në tokën e Evropës, sipas tij.

“Është e pritshme që dy fuqitë nga BE-ja duan ta zgjidhin këtë çështje. Mos kini dyshim se një konflikt i tillë do të ishte në interes të Putinit, si një mënyrë për të larguar vëmendjen nga sulmi mizor kundër Ukrainës dhe se të dëgjueshmit e tij po punojnë me përkushtim për këtë. Prandaj, ndër të tjera, është fort e rëndësishme gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë dhe në të njëjtën kohë mjaft cilësore”, ka thënë Çanak.

Duke fokur për pranimin e Kosovës në OKB, siç parasheh propozimi franko-gjerman, ai ka thënë se praktikisht Serbia tashmë e ka njohur Kosovën.

“Serbia praktikisht e njohu Republikën e Kosovës dhe sovranitetin e saj thelbësor mbi atë territor. Gjithashtu, ajo që është e sigurt është se Serbia, përkatësisht zyrtarët e saj, nuk do ta pranojnë kurrë se e kanë njohur Kosovën, sepse kjo lëvizje do të kishte gjithmonë pasoja shkatërrimtare politike për këdo që do ta bënte. Prandaj, jam i bindur se pranimi urgjent i Serbisë në Bashkimin Evropian dhe, do të shtoja edhe i Kosovës në BE, është e vetmja mënyrë për zgjidhjen e përhershme të çështjes së kufirit”, është shprehur ai.