Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po cenon fshehtësinë e votës duke i vendosur kabinat e votimit ballë për ballë.
Ai ka shkruar në Facebook se kështu votuesit mund të jenë të ekspozuar ndaj njëri-tjetrit e edhe komisionerët dhe vëzhguesit “do të kenë pamje të qartë të lëvizjeve të votuesve, në të paktën njërën kabinë”.

“Kjo është mënyra se si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon që t’i organizojë vendvotimet për zgjedhjet e 9 shkurtit. Siç mund ta shihni, kabinat e votimit do të vendosen ballë për ballë. Jo vetëm që votuesit mund të jenë të ekspozuar ndaj njëri-tjetrit, por edhe komisionerët dhe vëzhguesit do të kenë pamje të qartë të lëvizjeve të votuesve, në të paktën njërën kabinë. Po flasim për fletëvotime në formatin A3 (të mëdha), ku lëvizja e dorës në fillim apo në fund të fletëvotimit, mund t’i ‘ekspozojë’ lehtësisht preferencat e votuesve”, ka deklaruar Cakolli.
Sipas tij, kjo s’është hera e parë që KQZ-ja rrezikon fshehtësinë e votës.
“E njëjta ndodhi edhe me matrikulimin e gishtërinjve të votuesve, një praktikë që u konsiderua si shkelje edhe nga Agjencia për Informim dhe Privatësi. Pavarësisht paralajmërimeve për sanksione, KQZ-ja i injoroi ato. Është e çuditshme pse KQZ-ja po krijon kushte ku votuesit ndihen të ekspozuar pa privatësi të plotë gjatë votimit?! Deri në zgjedhjet e vitit 2021, kjo çështje ka qenë e rregulluar në përputhje me standardet ndërkombëtare. Prandaj, KQZ-ja duhet urgjentisht t’i rikthehet garantimit të fshehtësisë së votës, si obligim i saj ligjor”, ka shtuar ai.
Cakolli tutje ka theksuar se asnjë votues s’duhet të ndihet i pasigurt apo të ketë presion gjatë votimit.