Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Bytyqi e AAK-së: S’e kemi problem kalimin e pragut, qeveria e ardhshme do të jetë e opozitës

Albana Bytyqi

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, ka thënë se janë të gatshëm gjithmonë që të shkojnë në zgjedhje ndonëse kjo parti aktualisht po i nënshtrohet procesit të brendshëm zgjedhor.

Bytyqi ka deklaruar po ashtu se nuk e kanë problem as kalimin e pragut sepse konsiderojnë që i kanë votuesit të qëndrueshëm.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Jemi të gatshëm kurdo që të shkojmë në zgjedhje ndonëse aktualisht nuk jemi të pajtimit për shkak të zgjedhjeve të brendshme. Asnjëherë nuk mendoj se duhet të diskutohet pragu sepse jemi parti e qëndrueshme, asnjëherë se kemi pasur këtë problem dhe nuk do ta kemi. Për koalicione të ndryshme do të vijë koha të diskutojmë dhe pse jo”, ka thënë Bytyqi në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Bytyqi është shprehur e bindur që në rast se vendi do të shkojë në zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta ketë më rezultatin që e kishte në zgjedhjet e 28 dhjetorit, dhe se qeveria e ardhshme do të jetë qeveri e opozitës.

“Në zgjedhjet e ardhshme opozita do të formojë qeverinë. Deri më 28 dhjetor e kemi parë rezultatin dhe e kemi pranuar por qytetarët e kanë parë tashmë kush është fajtori për situatën në të cilën ndodhemi. Jam e sigurt që Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i ketë kurrë më këta numra”, ka thënë Bytyqi në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Deputetja e AAK-së ka thënë se nuk kanë pranuar ndonjëherë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për të biseduar për çështjen e presidentit por edhe sikur të ketë, ajo deklaroi se nuk e pranojnë.

Bytyqi ka thënë se arsye për këtë është që nuk kanë pranuar mbështetje për Ramush Haradinajn si president.

“Ne e kemi pasur një emër për kandidat për president që ka qenë kryetari Ramush Haradinaj. E kemi parë që nuk kemi mbështetje dhe këtë çështje e kemi mbyllur. Prej atij momenti e kemi vendosur që nuk do të marrim pjesë në asnjë takim edhe nëse ftohemi sepse nëse ne nuk kemi mbështetje pse duhet t’i japim dikujt tjetër mbështetje. Nuk do t’iu kishim përgjigjur asnjë ftese dhe as nuk do të përgjigjemi edhe nëse na ftojnë”, është shprehur Bytyqi.

Bytyqi ka thënë se kryeministri Albin Kurti po bën lojë ndërsa jo serioze e quajti edhe ofertën ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Bytyqi është shprehur që Kurti e ka fuqinë që pastaj t’i shkarkojë ministrat e LDK-së.

Deputetja e AAK-së ka kërkuar nga kryeministri Kurti që ta gjejë sërish një emër tjetër për president.

“Kurti po shihet që është duke bërë lojë. Në raport me LDK-në dhe ofertën që ia bëri ne e dijmë që e ka mundësinë e fuqinë t’ia shkarkojë pastaj ministrat dhe t’i emëroj njerëzit e vet. Ajo çka kërkoj nga kryeministri Kurti është që ta gjejë vetë një kandidat për president siç ka qenë nga familja Jashari për të cilin të gjithë kemi pasur pajtueshmëri që ta votojmë. Le ta gjejë sërish një emër tjetër. Nëse shkojmë në zgjedhje është faji i Kurtit. Qytetarët e kanë parë që ai i ka fajet për të gjitha sidomos për shkuarjen në zgjedhje”, ka thënë Bytyqi në "60 Minuta" në KTV.

Të hënën, edhe takimi i pestë i Kurtit me kryetarin e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, për çështjen e presidentit, rezultoi i pasuksesshëm. Kuvendi ka kohë deri më 28 prill për të zgjedhur presidentin e ri ose automatikisht vendi shkon në zgjedhje të reja.

 

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se i ka refuzuar dy oferta të Albin Kurtit, e para të përfshihet në Qeveri si zëvendëskryeministër dhe LDK-ja t’i ketë 4 ministri, dhe e dyta, që erdhi pas refuzimit të së parës, që posti i kryekuvendarit t’i takojë partisë së Abdixhikut, e nënkryetarin ta marrë Vetëvendosje.

Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues e ka shpallur të mbyllur kontributin e saj në këtë proces. Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, refuzoi të takohej me Kurtin ndërsa tha se edhe atij i është ofruar posti i kryeparlamentarit.